Vazhdon absurditeti me stadiumet për Europën! Egnatia pritet të luajë në Shkodër, Partizani e ka bërë Elbasanin si shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 22:56

Vazhdon absurditeti me stadiumet për Europën! Egnatia pritet të luajë në Shkodër, Partizani e ka bërë Elbasanin si shtëpi

Çështja e stadiumit ku do të luhen ndeshjet e Europës vijon të jetë një problem shqetësues edhe pse tashmë kanë mbetur vetëm dy ekipe shqiptare dhe jo katër, sa ishin në turet e para.

egnatia partizani

Partizani dhe Egnatia në ndeshjet e para qenë të kushtëzuara t’i luanin ndeshjet jashtë qyteteve përkatëse, konkretisht në “Elbasan Arena”. Edhe në turin e dytë do të luajnë si pritës jashtë shtëpisë, por një prej tyre do të duhet “të shtegtojë” më larg.

Më 1 gusht në orën 20:00 Partizani pret gjeorgjianët e Iberias, teksa një orë më vonë Egnatia pret Vikingur në ndeshjet e kthimit në Ligën e konferencës. Nisur nga fakti që luhet në një ditë, “Panorama Sport” mëson se një prej ekipeve do të duhet të luajë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës si pritës.

Pritet që Egnatia të luajë në impiantin e Vllaznisë dhe Partizani në Elbasan, por mbetet që gjithçka të konfirmohet në formë zyrtare në orët apo ditët në vazhdim. Fakt është që në asnjërën prej ndeshjeve tifozët nuk do ta kenë të lehtë të udhëtojnë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"