Vazhdon eksodi drejt Kosovës, mesfushori i Elbasanit firmos për Trepçën
Ajo që gazeta “Panorama Sport” e kishte bërë të ditur disa ditë më parë, është zyrtarizuar dje. Mesfushori i Elbasanit, Renato Hyshmeri, ka firmosur me Trepçën 89′ në Kosovë. Vazhdon eksodi i lojtarëve shqiptarë drejt kampionatit kosovar. Gjatë këtyre ditëve të merkatos, kanë qenë të shumtë futbollistët që kërkojnë të provojnë një eksperiencë të re në karrierën e tyre.
Hyshmeri është zyrtarizuar dje si një prej përforcimeve të Trepçës 89′, që drejtohet nga trajneri shqiptar Gugash Magani. Më parë, tekniku shqiptar mori në ekip edhe dy lojtarë shqiptarë, Mariglen Shoshi dhe Orgest Gava.
ÇEKIÇI – Ndërkaq, Albi Çekiçi u prezantua pak ditë më parë te Llapi në Kosovë, por dje ai ka mbyllur gjithçka me atë klub dhe është rikthyer në Shqipëri. “E mbylla, u ktheva vetë. Ata nuk u treguan korrekt me mua. Pata për të marrë paratë që më premtuan kur do të firmosja kontratën, por kaloi një muaj dhe askush nuk u kujtua për atë që kishim rënë dakord.
I kujtova disa herë që të më shlyenin, por e pashë që ishte e kotë. Kështu, prita dhe 3-4 ditë duke vendosur që të largohesha përfundimisht. Tani jam lojtar i lirë dhe do të shoh të ardhmen. Çfarë të bëja?! Nuk ia vlente që të qëndroja më tepër”, deklaron Çekiçi për mediat kosovare.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"