Vazhdon eksodi te Vllaznia, ikën edhe kapiteni Shtubina: Shpresoj të blejnë Mesin në vendin tim
Ndriçim Shtubina ka mbyllur gjithçka me Vllazninë dhe ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend të vazhdojë te shkodranët. Ish-kapiteni i kuqebluve, ka qartësuar gjithçka me një status në Facebook, ku ka njoftuar për largimin e tij nga shkodranët të cilët janë në vendnumëro sa i përket sezonit të ri.
“Nga ky moment jam lojtar i lirë, shpresoj që Vllaznia të blejë Mesin në vendin tim, s’kam çfarë flas më”, ishte mesazhi i futbollistit në rrjetet sociale.
Pak ditë më parë, Shtubina vendosi të mos dilte në stërvitje me Vllazninë për fillimin e përgatitjeve të sezonit të ri. Ai bëri të qartë asokohe se kishte disa mosmarrëveshje me klubin për sa u përkiste kushteve kontraktuale për sezonin në vijim.
Ndonëse ai tha se priste zgjidhjen e këtyre problemeve, me sa duket gjërat nuk kanë shkuar në rrugën e duhur dhe futbollisti ka vendosur t’u japë lamtumirën shkodranëve, të cilët vazhdojnë e humbasin lojtarë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"