Veliu del në stërvitje në Vlorë, Magani: Dua një lojtar shqiptar
Franc Veliu i bashkohet Flamurtarit. Pas deklaratës së dhënë nga administratori Sinan Idrizi, që ftonte mbrojtësin që të niste stërvitjen, kështu ka ndodhur. Ai dje është vënë nën urdhrat e Gugash Maganit, ndërsa në vazhdim pritet që ish-kapiteni të negociojë me drejtuesit për borxhin e vjetër dhe lidhjen e një marrëveshjeje kontraktuale.
Trajneri
Gugash Magani takohet me Sinan Idrizin. Kreu i pankinës vlonjate ashtu sikundër ishte paralajmëruar, ka zhvilluar dje një takim me administratorin e klubit. Ata kanë qëndruar për më shumë se 60 minuta në shoqërinë e njëri-tjetrit ku kanë diskutuar rreth merkatos, për largime por edhe për ndonjë afrim. Në një prononcim për “Panorama Sport”, tekniku i Flamurtarit konfirmoi takimin me kreun e klubit, por pa dhënë shumë detaje rreth atyre që kanë diskutuar. “Po, jam takuar sot (dje) me administratorin Sinan Idrizi. Kemi diskutuar për punën dhe ecurinë e saj si dhe për lojtarët që kemi në ekip”, – ka thënë fillimisht Gugash Magani.
Për “Panorama Sport”, trajneri i Flamurtarit konfirmoi se merkato është drejt fundit. Magani tha se në ekip mund të ketë vetëm një afrim të fundit. Sipas trajnerit lojtari mund të jetë shqiptar por nuk konfirmon emra. “Merkatoja është thuajse në fund, për të mos thënë e mbyllur. Do të kemi ndoshta vetëm një afrim të fundit. Nuk mund të them emra lojtarësh pasi po shohim disa pista. Duke qenë se kemi lojtarë të huaj po shohim afrimin e ndonjë shqiptari”, u shpreh trajneri.
Kristi Marku nuk do të largohet.
Edhe pse u përfol për një largim të mbrojtësit, trajneri Magani thotë se ai do të qëndrojë. “Kristi Marku do të qëndrojë, nuk do të largohet. Ai është lojtar i Kombëtares dhe na duhet”, tha peqinasi i stolit të kuqezinjve. Ndërkaq në pikëpyetje për të qëndruar janë të huajt, konkretisht Milos Rniç dhe Toni Markiç. Në ditët në vazhdim pritet të vendoset për largimet. Gjatë ditëve të fundit, trajneri ka zhvilluar disa testime për ekipin, me ndeshje kontrolli por edhe me teste fizike. Kreu i pankinës vlonjate shprehet i kënaqur nga reagimi i ekipit. “Përgjithësisht jam i kënaqur nga reagimi i skuadrës në testet që kemi zhvilluar. Natyrisht që kemi shumë punë për të bërë”, përfundoi Magani.
Ermal Sika
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"