Vendimi për bojkot trondit edhe Takajn, drejtuesit heshtin për situatën
Plas te Skënderbeu, lojtarët bojkotojnë stërvitjen për rrogat. Kampionët në fuqi të vendit po “ziejnë”. Në Korçë tashmë ka një çështje të re, e cila ka të bëjë me pagat e prapambetura. Nëse paradite zhvilluan seancën e programuar në palestër, pasdite lojtarët vendosën që të mos stërviteshin fare. Kur pritej që të zbrisnin në fushë, sikundër ndodh zakonisht, futbollistët ishin të bindur që të mos dilnin pa marrë fillimisht garanci financiare për tri rrogat e padhëna nga klubi.
Që prej nisjes së sezonit 2018- 2019, bardhekuqtë nuk kanë marrë asgjë qindarkë. Dhe duke qenë para kësaj situate, në orën 17:00 nuk u vendosën nën urdhrat e Orges Shehit për të vijuar përgatitjet për ndeshjen me Kamzën. Edhe pse u paraqitën në ambientet e stadiumit brenda orarit të përcaktuar, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar që të dalë në stërvitje. Një lajm të tillë e konfirmuan burime të gazetës “Panorama Sport” pranë lojtarëve, të cilët në koefidencë sqarojnë se bojkoti vjen si shenjë proteste për klubin, që ende nuk ka dhënë asnjë sqarim për vonesën, e aq më pak për formën sesi do të likuidohen.
Pjesa më e madhe e futbollistëve nuk kanë pranuar as të zhvishen, por thjesht sa janë paraqitur në stadiumin “Skënderbeu”. Pas një konsulte mes tyre, ku kanë informuar edhe trajnerin se nuk do të stërviteshin, janë larguar. Ka pasur edhe nga ata, të cilët fillimisht janë bërë gati për të nisur stërvitjen, ku veçohet Gjergji Muzaka, por pas disa minutash është kthyer sërish në dhomë për ta mbyllur me kaq këtë çështje.
Zhgënjimi vjen prej faktit që në këto 8 javë ka dëshmuar supremaci në rezultate, madje duke mos reflektuar kurrfarë problemi sa u përket financave. Megjithatë, ndjenja e impenjimit të tyre nuk po përligjet prej klubit. Në një situatë më të rëndë ekipi ka qenë edhe më herët, bëjnë me dije të njëjtat burime. Lojtarë të veçantë, kryesisht ata që nuk janë titullarë, kanë qendërzuar 5-6 muaj pa rroga, por asokohe kishin një lloj garancie.
Ndërsa tani gjendja është më kritike, pasi pa rroga është i gjithë ekipi, pa kurrfarë përjashtimi. Tashmë, çështja është a do të kthehen sot në stërvitje lojtarët? Megjithatë, gjithçka do të marrë zgjidhje nëse do të zhvillohet biseda që lojtarët kanë kërkuar me Ardjan Takajn. Pa marrë garanci nga ky i fundit, ndoshta kjo histori do të vazhdojë. Gazeta u përpoq që të kontaktonte me presidentin dje, gjithashtu edhe zyrtarë të tjerë të klubit, por askush nuk reagoi për bojkotin.
LLAZI SARO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"