Vështirësi në dy sfidat me Torpedon, Europa zbuloi problemet e Tiranës në… mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 8:49

Vështirësi në dy sfidat me Torpedon, Europa zbuloi problemet e Tiranës në… mbrojtje

Dy ndeshjet europiane ishin një “pasqyrë” e mirë për Tiranën. Drejtuesit e klubit, stafi teknik, por edhe tifozët, kanë parë se në çfarë pike është realisht kjo skuadër pas ndryshimeve të janë bërë në merkato.tirana

Dy sfidat me gjeorgjianët e Torpedo Kutaisit dhanë mesazhe domethënëse si në kahun pozitiv, ashtu edhe atë negativ. Disa nga lojtarët e afruar treguan një nivel të pranueshëm për fanellën e Tiranës. Po ashtu, harmonizimi i reparteve për atë kohë të shkurtër që ishte në dispozicion, ishte një faktor pozitiv në kampin bardheblu. Po kaq sigurisht që nuk mjafton, kur ka mbetur edhe një muaj kohë nga nisja e sezonit të ri. Kuptohet që Tirana ka nevojë për më shumë kualitet. Trajneri Bledi Shkëmbi pranoi pas eliminimit nga Liga e Konferencës se do të afrohen të tjerë lojtarë, por vetëm nëse ata do të jenë më cilësorë se ata që janë aktualisht pjesë e skuadrës më të titulluar në vend.

MBROJTJA – Më shumë Tirana vuajti në prapavijë gjatë dy ndeshjeve me gjeorgjianët. Pësoi vetëm dy gola për 180 minuta në fakt, por në momente të caktuara dukej qartë se bardheblutë kishin vështirësi, sidomos në qendër të prapavijës, ku u aktivizuan Kola dhe Mici. Jo vetëm në rastin e golit të shpejtë të pësuar në “Elbasan Arena”, që ndoshta prishi planet bardheblu, por edhe në situata të tjera skuadra e Shkëmbit duhej të mbrohej me shumë forca që të shmangte rrezikun nga kundërshtari.

Mici është një lojtar që luan në këtë pozicion për nevoja të skuadrës dhe për hir të së vërtetës, nuk ka parametrat fizikë të një qendërmbrojtësi. Kola ndërkohë, të paktën për atë që tregoi kundër Torpedos, duket se nuk ka nivelin për të udhëhequr mbrojtjen e Tiranës. Diçka më mirë krahët e mbrojtjes, por qendra është e qartë se ka nevojë për të tjerë lojtarë me kualitet, siç kanë qenë sezonet e fundit Najdovski apo Lulaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"