Vështrim historik: 85-vjetori i krijimit të Federatës Sportive dhe evoluimi i saj në vite
PROLOGU
Më 6 qershor 2015 u mbushën 85 vjet nga krijimi i Federatës Sportive Shqiptare, in stitucioni i parë sportiv i ngritur me iniciativën e disa veprimtarive dhe sportistëve të shquar të asaj kohe dhe me miratimin e shtetit shqiptar nëpërmjet një dekretligji. Përkujtimi i kësaj ngjarjeje ka një rëndësi shumë të madhe për sportin dhe shtetin shqiptar sepse ky institucion vuri themelet e zhvillimit të sportit si dhe bëri të mundur njohjen e Shqipërisë në organizmat sportive ndërkombëtare. Më poshtë po zhvillojmë historikun e krijimit të Federatës Sportive Shqiptare dhe evoluimin e saj në vite. Historia e kulturës fizike dhe sportit në Shqipëri është e lidhur ngushtë me historinë e popullit shqiptar, me luftën dhe përpjekjet e tij për kulturë, dije dhe pavarë- si kombëtare.
Pavarësisht nga kushtet historike ku jetonte populli shqiptar, nën sundimin otoman, sporti lindi si një nevojë jetike e edukimit dhe argëtimit të brezave të rinj, pak vite përpara shpalljes së Pavarë- sisë së Shqipërisë. Kështu, në vitin 1906, një prift anglez i quajtur Ruter vizitoi kolegjin saverian të jezuitëve në Shkodër dhe solli me vete një top futbolli dhe rregullat e kësaj loje. Megjithëse ky e solli topin për nxënësit e kolegjit, loja e futbollit u përhap me shpejtësi në rrugicat dhe lagjet e qytetit duke marrë një popullaritet shumë të madh. Erdhi dita që futbollistët më të mirë të qytetit të përbërë prej shegertësh dhe fëmijët e punëtorëve në 1909 të formonin skuadrën e tyre të parë, me emrin “Indipendenca” që në shqip do të thotë “Pavarësia”. Kjo skuadër, me gjithë kundërshtitë fetare të kohës, u bashkua dhe u bë krenaria e qytetit, ku meritë të veçantë në përhapjen e futbollit dhe krijimin e ekipit kishte patrioti Palok Nika. Në tetor të vitit 1913, “Indipendenca” zhvilloi takimin e parë ndërkombëtar me skuadrën e ushtrisë austriake.
Ndeshja përfundoi 2-1 në favor të miqve. Takimi u ndoq me interes shumë të madh nga sportdashësit shkodranë ku morën pjesë edhe gratë. Vite më pas, sporti dhe veçanërisht futbolli mori zhvillim të vrullshëm në Shkodër, Korçë e më vonë në qytete të tjera. Patrioti Hilë Mosi, i cili qysh më 1909 ishte përpjekur të krijonte një shoqëri sportive, i ndodhur në Shkodër në bashkëpunim me patriotët Luigj Gurakuqi dhe Bajram Curri, themeloi shoqërinë “Vllaznia”. Kryetar i saj u zgjodh Hilë Mosi, ku pati dhe bashkëpunëtorë të vyer si Sali Nivica, Mati Logoreci dhe Kel Marubi. Përhapja e sportit kish filluar edhe në qytetin e Korçës. Atje luhej futboll, zhvilloheshin gara vrapimi e kërcimi, si dhe çiklizëm me biçikleta publike të kohës. Jo më vonë se prilli i 1909-ës, në këtë qytet krijohet shoqëria “Vllazëria”. Nismëtar kryesor i saj u bë patrioti Hilë Mosi, i cili në atë kohë punonte si mësues i edukimit fizik në Korçë. Në radhët e shoqërisë “Vllazëria”, merrnin pjesë edhe patriotët Mihal Grameno e Orhan Pojani. Më vonë, u krijuan edhe shoqëritë e tjera sportive deri në vitin 1928, si në Vlorë, Sport Klub Vlora, në Tiranë, Sport Klub Tirana, në Durrës e Kavajë, Atdheu e Adriatiku dhe në Berat Tomori. Në vitin 1921, me iniciativën e atdhetarit të shquar Avni Rustemi, u krijua shoqëria “Agimi”, e cila bashkoi shoqëritë “Atdheu” dhe “Vllazëria” dhe synonte bashkimin e të gjitha shoqërive sportive të viseve të Shqipërisë nën një program dhe nën një emër. Më 25 gusht 1920, me iniciativën e Avni Zajmit dhe Anastas Kojës etj., themelohet shoqëria “Agimi” dhe në 1927-ën Sport Klub Tirana, ku një kontribut shumë të madh dha edhe veprimtari Selman Stërmasi. Midis klubeve sportive zhvilloheshin ndeshje futbolli, ndonjë garë sporadike atletike si dhe takime ndërkombëtare futbolli. Në vitin 1922, Vllaznia ndeshet me Cetinën dhe Cërna Gorën të Jugosllavisë si dhe Tivarin. Më 1926-ën, Sport Klub Korça ndeshet me Manastirin dhe Selanikun.
Sport Klub Tirana më 1927 përballet me Cetinjën dhe Durrësi me Barin. Shoqëritë sportive kështu konsiderohen si celulat e para të organizimit vullnetar të sportit në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe, doli një plejadë e sportistëve të shquar. Atëherë logjikshëm lind pyetja: Meqenëse kishim shoqëri sportive të ngritura dhe me një aktivitet të gjerë si brenda dhe jashtë vendit, përse nuk pati një organizëm të ngritur nga shteti që të kujdesej për zhvillimin e sportit kur qeveritë ishin të ngritura? Kjo është e lidhur ngushtësisht me historinë e krijimit, organizimit dhe zhvillimit të shtetit shqiptar.
Pas një varg shekujsh robërie e kryengritjesh, Shqipëria më 28 nëntor 1912 shpalli pavarësinë e saj dhe krijoi qeverinë e parë me Ismail Qemalin në krye. Ky moment shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Por, qeveria e Vlorës, me gjithë rëndësinë e madhe historike që pati, pasi vuri themelet e shtetit te ri, pati një jetë të shkurtër dhe me gjithë përpjekjet e mëdha për të vendosur ligje dhe rregulla, nuk mundi t’i kushtojë kujdes sportit të porsalindur. Asnjë nga qeveritë e mëpasme deri në fund të Luftës së Parë Botërore nuk i kushtoi fare rëndësi sportit. Gjithsesi, gjatë kësaj kohe pati ndeshje futbolli mes skuadrave të Shkodrës dhe Korçës me skuadrat e ushtrive pushtuese. Edhe qeveritë e mëpasme, ajo e Durrësit, Lushnjës dhe e Nolit nuk prekën problemet e sportit në Shqipëri, pasi patën jetë të shkurtër. Si në çdo fushë të jetës së popullit tonë, sporti njohu në këto periudha zhvillime sporadike të organizuara vullnetarisht nga vetë shoqëritë sportive.
PERIUDHA E PARË 1930-1939
Historia e organizimit shtetëror të sportit fillon pas nxjerrjes së Kushtetutës së vitit 1928, që përcaktonte regjimin monarkik të Shqipërisë. Përfundimisht, qeveria e Zogut, duke parë ecurinë e sporteve në Shqipëri, krijimin e shoqatave të reja sportive në çdo qytet si dhe dëshirat e mëdha të masave sportdashëse për futbollin dhe sportin, nxori dekretligjin e 6 qershorit 1930 për formimin e Federatës Sportive Shqiptare, organ i entit kombëtar “Djelmënia shqiptare”. Qëllimi i federatës ishte grumbullimi i masave sportive të rinisë dhe rregullimi e organizimi i shfaqjeve sportive lokale kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktiviteti i kësaj federate zhvillohej nën patronazhin kombëtar sportiv sipas nenit 21 të ligjit kushtetues. Në çdo qendër prefekture u formuan shoqatat sportive krahinore, të cilat vareshin drejtpërsëdrejti nga federata. Patronesha e lartë e sportit ishte princesha Myzejen.
Aktiviteti sportiv i federatës ndahej në tri kategori: në lojëra sportive, atletikë, sporte të ndryshme (noti, çiklizmi, boksi dhe mundja). Veprimet e federatës rregulloheshin në bazë të statutit përkatës. Kryetari i parë i Federatës së parë Sportive Shqiptare ka qenë Izedin Beshiri dhe pas tij, pas disa muajsh, kryetar i federatës u bë ministri i Brendshëm, Musa Juka. Federata sportive organizoi në vitet 1930, 1931, 1932, 1933 kampionatet kombëtare të atletikës (veprimtaria e parë kombëtare e atletikës është zhvilluar në vitin 1929, para krijimit të federatës sportive). Në vitet 1930, ’31, ’32, ’33 u zhvilluan kampionatet kombëtare të futbollit. Po në vitet 1931, ’32, ’33 u zhvilluan kampionatet kombëtare të notit. Përveç këtyre aktiviteteve, janë zhvilluar gara e kampionate çiklizmi etj. Në vitin 1932, Federata Sportive Shqiptare u regjistrua në futboll si anëtare e FIFA-s.
Në vitin 1933, Shqipëria është përfaqësuar me një grup atletësh në Olimpiadën Ballkanike që u zhvillua në Athinë. Në mars të vitit 1934, Federata Sportive Shqiptare bashkë me Entin kombëtar u suprimua në bazë të dekretligjit organik të Ministrisë së Arsimit dhe u krijua seksioni “Djemënia Shqiptare”. Ky seksion përfshinte edhe federatën sportive, e cila vazhdoi veprimtarinë e vet deri në vitin 1935. Në 13 gusht 1935, në mbledhjen e përgjithshme të përfaqësuesve të shoqërive sportive e artistike jashtëshkollore, bazuar në nenin 382 të D.L.O të arsimimit, u themelua me qendër në Tiranë, Federata e Shoqërive Sportive e Artistike me emrin “Vllaznia Shqiptare”. Për rregullimin dhe funksionimin e saj, u përpilua dhe u aprovua statuti përkatës. Aktiviteti sportiv ishte gjithmonë në patronazhin e princeshës Myzejen. Kryetar i parë i federatës “Vllaznia shqiptare” ka qenë ministri i Arsimit Dr. Mirash Ivanai, i cili i dha rëndësi fizkulturës në shkollë. Nënkryetar dhe shef i seksionit “Djemënia Shqiptare” ishte kolonel Aqif Përmeti dhe sekretar Luigj Shala, një nga veprimtarët më të shquar të sportit në atë kohë dhe që dha kontributin kryesor për krijimin e federatës. Ai ishte atlet i shkëlqyer, futbollist, gjyqtar futbolli, trajner dhe intelektual. Në tetor 1935, u zgjodh si kryetar i federatës Nush Bushati, ministër Arsimi dhe pas tij në nëntor 1937, Faik Shatku, ministër i Arsimit. Federata me emrin e ri “Vllaznia Shqiptare” vazhdoi aktivitetin kombëtar të futbollit në vitet 1934, ’36, ’37.
Në vitet ’34 e ’37 u vazhdua kampionati kombëtar i atletikës, në vitet 1934, ’36, ’37 u zhvillua kampionati kombëtar i notit, në vitin 1934 kampionati kombëtar i çiklizmit (rrethi i parë çiklistik) dhe në vitin 1936 rrethin e dytë çiklistik. Në vitin 1937, Shqipëria ka marrë pjesë në një grup atletësh në Olimpiadën Ballkanike që u zhvillua në Zagreb dhe në vitin 1935 në atë që u zhvillua në Stamboll. Federata u bë jo vetëm anëtare e FIFA-s, por në 1934 edhe anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës. Në vitin 1935, federata “Vllaznia shqiptare” filloi botimin e gazetës “Sporti Shqiptar” dhe drejtori i parë i kësaj gazete ka qenë një nga figurat më të shquara të sportit tonë, Anton Mazreku. Pra, siç shihet, më 1935-ën ndërpriten aktivitetet kombëtare për mungesë të fondeve financiare. Po kështu, më 6 shkurt 1937 gazeta “Sporti Shqiptar” njoftonte: “FIFA i ka bërë ftesë Shqipërisë që të marrë pjesë në kampionatin e tretë botëror të futbollit që zhvillohej një vit më vonë në Francë”. Lajmi u prit me shumë gëzim nga masat sportdashëse. Me shumë mundime u mblodh edhe ekipi kombëtar për pak kohë, pasi nuk kishte me se të mbahej. Kështu që, për mungesë fondesh, Shqipëria refuzoi të merrte pjesë, megjithëse kishte një plejadë futbollistësh shumë të mirë. Siç dihet, në këtë periudhë, shumë aktivitete zhvilloheshin me kontributet financiare të Italisë mbi bazën e marrëveshjeve që kishte qeveria e Zogut me qeverinë italiane.
Fituesit e kampionateve kombëtare janë këta:
1.Në futboll
1. Sport Klub Tirana 1930
2. Sport Klub Tirana 1931
3. Sport Klub Tirana 1932
4. Skënderbeu i Korçës 1933
5. Sport Klub Tirana 1934
6. Sport Klub Tirana 1936
7. Sport Klub Tirana 1937
2.Atletikë
o Prefektura e Tiranës 1929
o Prefektura e Tiranës 1930
o Prefektura Shkodër 1931
o Prefektura Shkodër 1932
o Prefektura Shkodër 1933
o Prefektura e Tiranës 1934
3.Not
o Durrësi 1931
o Durrësi 1932
o Durrësi 1933
o Durrësi 1934
o Durrësi 1936
o Durrësi 1937
4.Çiklizëm
o Shoqëria “Bashkimi Shkodran” 1932
o Shoqëria “Bashkimi Shkodran” 1933
o Shoqëria “Sport Klub Tirana” 1934
5.Boks-6 Mundje
Janë fituar të gjithë kampionatet kombëtare nga
Skënderbeu i Korçës.
Rekordet e atletikës së lehtë të kësaj periudhe:
100m S. Çoku Sport Klub Tirana 11″2
1934
200m F. Stasa Skënderbeu i Korçës 24″2
1933
400m F. Stasa Skënderbeu i Korçës 54’2
1933
800m K. Isak Skënderbeu Korçë 2’10’
1934
1500m R. Lohja Bashkimi Shkodran 4’21”4
1933
3000m M.Anastasi Sport Klub Vlora 9’47”2
1933
5000m M.Anastasi Sport Klub Vlora 15’51”
1933
8000m M.Anastasi Sport Klub Vlora 27’49”
1934
110m/pengesa L. Shala Bashkimi Shkodran 17”6
1933
Stafeta 4 x 100m Bashkimi Shkodran 47”8
1933
Stafeta 4 x 400m Bashkimi Shkodran 3’51”
1934
Kërcim së larti- Selman Stërmasi S.K Tiranë 1.71m
1935
Kërcime me shkop I. Disdari Bashk. Shkodran 3.40m
1934
Kërcim 3 hapsh S. Biçaku- Elbasan 13.20m
1935
Hedhje disku Ilia Likoka- Himarë 35.92m
1934
Hedhje shtize N. Fazlliu B. Shkodran 49.94m
1933
Hedhje e gjyles S.Kraja B.Shkodran 11.20m.
1934
Pentathlon Olimpik- S Kraja-B. Shkodran 2496,665
1933
Dekathlon Olimpik- Gaqo Goga-Skënderbeu i Korçës 5289,05
1934
Ndërsa shoqëritë sportive që përmblidhte
federata “Vllaznia Shqiptare” ishin këto:
1. Apollonia e Fierit
2. Bardhyli Lezhës
3. Bashkimi Dibran i Peshkopisë
4. Bashkimi Elbasanas
5. Besa e Kavajës
6. Butrinti i Sarandës
7. Çerdhja e Lirisë së Krujës
8. Devolli i Bilishtit
9. Dragoi i Pogradecit
10. Drita e Gjirokastrës
11. Teuta e Durrësit
12. Ismail Qemali i Vlorës
13. Kongresi i Lushnjës
14. Kosova e Kukësit
15. Leka i Madh i Përmetit
16. Namik Delvina i Delvinës
17. Skënderbeu i Korçës
18. Sport Klub Tirana
19. Shkumbini i Peqinit
20. Tomori i Beratit
21. Vllaznia e Shkodrës
22. Zhepa e Libohovës
Gjatë kësaj periudhe, me gjithë kushtet e vështira dolën sportistë të mëdhenj të niveleve botërore si: Petro Sturgji në mundje, emigrant në Amerikë, i cili për gjashtë muaj mbajti brezin e kampionit të botës; Rafael Dishnica në boks; Kristo Isak dhe Luigj Shala, Sabri Çoku, Fori Stasa, Gaqo Goga, N.Anastasi në atletikë; Riza Lushta, Naim Kryeziu, Loro Boriçi, të cilët luanin në Itali në futboll në Serinë A; Teli Samsuri, Selman Stërmasi, po në futboll dhe Taq Dafa në not.
Periudha e Dytë 1940-1990
Siç dihet, pas vitit 1939 e deri në nëntor 1944 vendi ynë u pushtua nga Italia dhe Gjermania fashiste. Pushtuesit së bashku me qeveritë kuislinge të kësaj kohe shpërndanë Organizatën e Federatës Sportive “Vllaznia Shqiptare” më 14 prill 1939 dhe mbyllën gazetën “Sporti Shqiptar”, organi i kësaj federate, më 30 maj 1939 dhe tërë aktivitetin e lanë në dorë të organizatës së rinisë fashiste GLA (Gioventu’ Litorio Albanese) dhe “Dopo Lavoro”-s (klubet pas pune). Të dyja këto organizata drejtoheshin nga Partia Fashiste dhe programet e veprimtarive sportive kryheshin me orientimin e saj. GLA organizonte veprimtaritë kombëtare të rinisë për sportet e ndryshme, ndërsa “Dopo Lavoro” zhvillonte aktivitetet kulturore dhe ato masive sportive siç ishin ekskursionet dhe marshimet e ndryshme në pika turistike të vendit.
Por, Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili udhëhiqte masat e popullit në luftën kundër pushtuesve, krahas çështjeve shumë të rëndësishme e me përgjegjësi të madhe për të ardhmen e popullit dhe të atdheut që e preokuponin në atë kohë, organizoi masat e gjera të rinisë në aktivitete të ndryshme fizkulturore dhe sportive. Këto veprimtari ngjallën një entuziazëm të madh sidomos në masën e rinisë, të cilat, në punën propagandistike të tyre, arritën të shkatërronin shoqëritë sportive e kulturore të ngritura nga fashistët italianë dhe ngritën organizatat e reja sportive. Skuadrat më të njohura në atë kohë ishin: Agimi, Shpresa, Rrufeja, Shqiponja, Naim Frashëri, Bashkimi Dibran, Rapidi, Skënderbeu etj. Me orientim të Komitetit Qarkor Tiranë, dy skuadrat Shpresa dhe Rrufeja u bashkuan dhe formuan Shprefene. Këto skuadra drejtoheshin nga veprimtari i shquar i asaj kohe Besim Hamdiu (Qorri). Format e reja organizative fillestare të asaj kohe ishin bërthamat sportive, të cilat funksiononin në ilegalitet dhe kishin si detyrë riedukimin e rinisë në veprimtari sportive dhe pjesëmarrjen në frontin Nacionalçlirimtar.
Bërthama sportive u bënë pikënisja e ndërtimit të sistemit tonë të ardhshëm të edukimit fizik. Pas çlirimit të vendit dhe fitores së revolucionit popullor, zhvillimi i kulturës fizike dhe sporteve mori një hov të ri me përmbajtje tjetër ideologjike-edukative, shkencore dhe organizative. Për realizimin e gjithë detyrave që viheshin në fush- ën e kulturës fizike e sporteve, Këshilli i Ministrave aprovoi menjëherë që në fillim të vitit 1945 krijimin e Seksionit të fizkulturës dhe sportit, pranë Ministrisë së Kulturës e Propagandës. Ky organizëm shtetëror kishte për detyrë të organizonte dhe të zhvillonte në mënyrë të planifikuar kulturën fizike dhe sportin në masë të gjerë, të studionte format e zhvillimit të aktiviteteve sportive kombëtare e ndërkombëtare në kushte të reja të vendit si dhe të përgatiste kuadrot dhe bazën materiale sportive të domosdoshme për sportin. Për shtrirjen më të gjerë të fizkulturës në vendin tonë, u pa e nevojshme që të ngrihej një organizatë në linjë vullnetare e shoqërore masive në ndihmë të realizimit të objektivave shtetërorë nga qendra deri në bazë. Për këtë qëllim, në qershor të vitit 1945 u vendos nga qeveria krijimi i Federatës Sportive Shqiptare, si e vetmja organizatë sportive me bazë të vërtetë demokratike që shprehte aspiratat edhe vullnetin e masave sportdashëse, për t’u marrë me fizkulturë dhe sport dhe ndjekur atë si mjet edukimi.
Federata sportive u krijua nga përfaqësuesit e shoqatave sportive që ekzistonin edhe gjatë luftës si dhe veprimtarë të dalluar nga të gjitha krahinat e vendit. Delegatët e ardhur në konferencën e parë miratuan statutin si dhe zgjodhën organet drejtuese, këshillin e përgjithshëm dhe kryesinë e tij. Kryetar i federatës u zgjodh Anton Mazreku, një nga figurat më të shquara të futbollit dhe sportit tonë kombëtar, i cili derisa vdiq me kulturën e tij erudite dha kontribute të vyera në shërbim të sportit, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Luigj Shala dhe Ibraim Dizdari, dy figura të njohura të kohës. Federata Sportive Shqiptare nxori menjëherë kalendarin e parë sportiv për sportet: futboll, atletikë, not, basketboll, volejboll, e më vonë gjimnastikë, mundje, shah, çiklizëm, qitje e tenis, të cilat u realizuan nëpërmjet kampionateve kombëtare. Por, në vitin 1945, lindi si domosdoshmëri që për zhvillimin e aktiviteteve kombëtare, Federata Sportive të kishte hallkat e saj në rrethe për zhvillimin e cilësisë sportive. Për këtë u formuan në qarqe sport klube me emra: Sport Klub Tirana, Sport Klub Skënderbeu i Korçës, Sport Klub Dinamo e Durrësit, Sport Klub Bashkimi Elbasanit, Sport Klub Tomori i Beratit, Apollonia e Fierit, Shqiponja e Gjirokastrës, Besa e Kavajës, Ylli i Kuq i Pogradecit, Erzeni i Shijakut etj.
Më vonë, në vitin 1946, u krijua Klubi Sportiv Partizani, që përfaqësonte punonjësin dhe efektivin e ushtrisë popullore të drejtuar dhe financuar nga Ministria e Mbrojtjes. Ky klub, krahas të tjerave, gjatë gjithë periudhës dha ndihmesë të madhe për zhvillimin e sportit në vendin tonë, duke dhënë kontribute të larta si brenda, edhe jashtë vendit. Ndërsa për zhvillimin masiv të kulturës fizike u ngritën në lagje dhe më vonë në qendra pune e shkolla, shoqëritë sportive si organizata bazë duke pasur në krye një këshill sportiv. Por, një muaj nga krijimi i Federatës më 2 korrik 1945 mblidhen me urgjencë në një konferencë kombëtare 58 delegatë të klubeve sportive të Shqipërisë, ku ministri i Kulturës Popullore, në të njëjtën kohë dhe kryetar nderi i Federatës Sportive, Sejfulla Malishova, u përcjell delegatëve njoftimin e qeverisë demokratike për organizimin në Tiranë të Lojërave Ballkanike. Kështu, nga data 7-13 tetor 1946 u zhvillua në Tiranë Ballkaniada e parë sportive me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Jugosllavisë, Rumanisë dhe Bullgarisë. Ballkaniada u zhvillua në dy sporte, futboll dhe atletikë, sporte të cilat kishin pasur aktivitet të dendur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit që para Luftës së Dytë Botërore. Organizimi i Ballkaniadës ishte i shkëlqyer, për të shkroi jo vetëm shtypi ballkanik, por edhe ai europian, të cilët e njohën aktivitetin si zyrtar. Shqipëria shpallet kampione e Ballkanit në futboll, duke fituar ndaj Rumanisë dhe Bullgarisë dhe humbur me Jugosllavinë. Emrat e Boriçit, Tahirit, Xhiakomo Poselit, Dibrës, Llambit, Spahiut, Fagut, Demnerit, Kavajës, Parapanit, Telitit, Mirashit, Begejës, Biçakut me trajner Lubica Broçiç do të mbeten të paharruara në historinë e futbollit shqiptar. Ndërsa në atletikë rezultatin më të mirë e arriti legjenda e këtij sporti, Belul Hatibi, duke marrë medaljen e argjendtë në 110 metra me pengesa. Më vonë, për forcimin organizativ të kulturës fizike në vitin 1946 u përsëritën zgjedhjet e Federatës Sportive Shqiptare dhe si rezultat i zgjerimit të lëvizjes fizkulturore sportive në mars të vitit 1947, me vendim të Këshillit të Ministrave u krijua Komiteti Shtetëror i Kulturës Fizike dhe Sportive, pranë Këshillit të Ministrave, i ndarë në sektorët përkatës sipas grupsporteve: futboll, lojëra me dorë, sporteve bazë (atletikë, gjimnastikë, not), sportet e rënda etj.
Menjëherë në disa qarqe kryesore të vendit u krijuan komitetet e kulturës fizike dhe sporteve. Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulturës Fizike dhe Sporteve ishte dhe kryetar i Federatës Sportive Shqiptare. Ky organizim u bë me qëllim që të harmonizohej më mirë linja shtetërore me atë shoqërore dhe lëvizja sportive të vihej në pozita më të shëndosha. Pra siç del, dy linja, ajo shtetërore dhe shoqërore, kanë ekzistuar që në fillim të krijimit të organizmit të fizkulturës dhe sportit pas lufte. Me krijimin e komiteteve të fizkulturës në qarqet dhe shoqëritë sportive në shkolla dhe qendra pune, struktura organizative e fizkulturës dhe sportit mori një fizionomi të plotë nga qendra në bazë. Në shtator të vitit 1948 hapet në Tiranë Teknikumi i Fizkulturës pranë stadiumit “Qemal Stafa”, i cili u bë qendra kryesore e kualifikimit dhe përgatitjes së kuadrit dhe nxjerrjes së sportistëve. Në gusht të vitit 1948, meqenëse komiteti shtetëror i kulturës fizike dhe sportit mori atribute të plota për zhvillimin e lëvizjes masive dhe cilësore të sportit, u pa e nevojshme shkrirja e Federatës Sportive Shqiptare. Me shkrirjen e Federatës Sportive Shqiptare, paralelisht në vitin 1949 filluan të ngriheshin shoqëritë sportive në qendër dhe në bazë. Shoqëria e parë dhe më e madhe që u ngrit ishte shoqëria “Puna”, e formuar më 5 shkurt 1950 dhe përfshinte punonjësit e të gjitha qendrave industriale të vendit. Ajo varej dhe subvencionohej nga këshilli qendror i bashkimeve profesionale. Më vonë u formua “Shoqëria Spartak”, që përfaqësonte punonjësit e kooperativave të artizanatit, “Shoqëria Dinamo” nga punonjësit e Ministrisë së Brendshme, Policisë dhe Kufirit, një klub me kontribute shumë të mëdha në arenën brenda dhe jashtë vendit, “Shoqëria Studenti”, nga sportistët e shkollave të larta, e cila mbulohej nga Ministria e Arsimit, si dhe “Shoqëria Fshatari”, e cila përfaqësonte sportistët e fshatit dhe u mor nën kujdesin e Komitetit Qendror të Rinisë.
Shoqëritë sportive në ato vite luajtën një rol shumë të madh për sa i përket zhvillimit cilësor të sportit, sepse ngjallën interesin e organizatave të masave. Çdo shoqëri sportive pati organizimin e hallkave të saj nga qendra deri në bazë. Ato zhvilluan veprimtari lokale e kombëtare mbi bazën e një kalendari sportiv, si dhe ndërtuan një sërë mjedisesh sportive në qytetet kryesore. Shoqëritë sportive i takonin linjës shoqërore, sepse në linjën shtetërore vepronin komitetet e kulturës fizike e sportive pranë komitetit ekzekutiv të rretheve. Shoqëritë sportive e justifikuan deri diku ekzistencën e tyre, pasi megjithëse kishte infrastrukturë modeste, përfaqësimi i sportit ishte dinjitoz. Për t’u përmendur janë rezultatet e Partizanit në futboll në turneun e ushtrive të vendeve socialiste, shtator 1958, në Lajpcig dhe në Hanoi dhjetor 1963, duke marrë të dy herët medaljet e argjendta, si dhe pjesëmarrja në festivalet e rinisë. Duhet theksuar se skuadrat ushtarake të Lindjes ishin më të mirat e vendeve të tyre dhe pjesëmarrëse me peshë të madhe në takimet ndërkombëtare Europiane. Komiteti Shtetëror i Kulturës Fizike dhe Sporteve pranë Këshillit të Ministrave e pati jetën e tij deri në shtator të vitit 1953, sepse pas kësaj periudhe si rezultat i reformës kundër burokratizimit ky organizëm me atribute e kompetenca të mëdha u shkri dhe u kthye në rang drejtorie në Ministrin e Shëndetë- sisë dhe u emërtua Drejtoria e Fizkulturës. Një masë e tillë shënoi hapa mbrapa për të gjitha lëvizjet fizkulturore sportive.
Kjo drejtori kishte dy degët e saj, dega e sporteve bazë dhe dega e lojërave me dorë e sporteve të rënda. Brenda kësaj drejtorie përfshihej edhe “Gazeta Sporti”. U reduktuan edhe aparatet në bazë. Në 10 rrethe të mëdha të vendit kishte nga një kryetar të komiteteve të fizkulturës funksionare, ndërsa në rrethet e tjera u caktuan si drejtues të fizkulturës mësues të edukimit fizik me orare të reduktuara. Ndërkohë, linja shoqërore ruante organizimin e saj. Pranë kësaj drejtorie u ngrit këshilli i gjerë i fizkulturës, i cili përbëhej nga kuadro të fizkulturës të shoqërive sportive dhe përfaqësues të organizatave të masave. Një organizim i tillë u bë edhe në rrethe. Në janar të vitit 1958, kjo drejtori kaloi si drejtori e të njëjtit rang në Ministrinë e Arsimit. Gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare, fizkultura dhe sporti pati një rënie të theksuar nga pikë- pamja organizative dhe zbatimi i kompetencave. Midis hallkave shtetërore e shoqërore, pati mungesë harmonizimi e shmangie të detyrave. Një organizim i tillë nuk i rezistoi kohës. Kërkesa për një zhvillim të vrullshëm të fizkulturës në masa të gjera, si dhe ngritja në një nivel të lartë të sportit dhe përfaqësimin në arenën ndërkombëtare që kërkohej për perspektivën, diktonte që nga pikëpamja organizative të bëhej një centralizim i gjithë organizmave sportivë që ekzistonin. Kështu, shoqëritë sportive me gjithë rolin e madh që luajtën në atë kohë, nuk e justifikuan veten, pasi qenia e shumë hallkave drejtuese pengonte ecjen përpara të sportit. Kështu, në dhjetor të vitit 1957, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shkrirjen e shoqërive sportive dhe riorganizimin e fizkulturës në një organizatë të vetme. Organizata u quajt “Bashkimi i Fizkulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë” (BFSSH). Ajo do të kishte statutin e saj. Në fillim të vitit 1958 u organizua fushata e zgjedhjeve për organizatën e BFSSH-së. Mbledhjet filluan nga kolektivat e qendrave të punës, kooperativave bujqësore, shkollave dhe institucioneve ku u zgjodhën këshillat sportivë.
Në këto mbledhje, u zgjodhën delegatët për konferencat e rretheve, të cilët zgjodhën këshillat e rretheve, si dhe komitetet e BFSSH-së. Për t’i bërë një analizë fizkulturës dhe sportit në vend si dhe masave që duheshin marrë për përmirësimin në përmbajtje dhe në strukturë të tij, u vendos që në maj të 1958 të mbahej konferenca e parë kombëtare e BFSSH-së. Në konferencë u bë bilanci i punës së fizkulturës dhe sportit që nga çlirimi i vendit e deri në fund të vitit 1957, si dhe u përcaktuan linjat organizative të BFSSH-së dhe u zhvilluan zgjedhjet. U krijua komiteti i këshillit të përgjithshëm të BFSSH-s dhe organet e tij vartëse. Ndërsa në linjën shtetërore u ngrit Komiteti i Kulturës Fizike dhe Sporteve pranë Ministrisë së Arsimit dhe në rrethe komitetet e kulturës fizike dhe sporteve pranë seksioneve të arsimit. Për herë të parë, linja shtetërore pati një unifikim të plotë me linjën shoqërore, formë e cila ndikoi pozitivisht në zgjidhjen e detyrave që ndikonte koha. Në shtator të vitit 1958 u pa e domosdoshme hapja e Institutit të Kulturës Fizike dhe Porteve “Vojo Kushi”, që u bë qendra më e lartë e përgatitjes së kuadrit mësues dhe trajner. Pas krijimit të komitetit KP të BFSSH-së në maj 1959 u zhvillua konferenca kombëtare për krijimin e Komitetit Olimpik Kombëtar si organizëm vullnetar, i cili do të interesohej për përgatitjen e ekipeve tona dhe pjesëmarrjen e tyre në lojëra olimpike. Po në këtë vit, Shqipëria pranohet si anëtare e Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Mirëpo, Komiteti Olimpik Shqiptar nuk funksionoi si duhet për arsye se ishte një organ vullnetar dhe i mungonin organizmat e hallkat e specializuara për të zbatuar vendimet e komitetit olimpik, si dhe veprimtarinë administrative e kryente aparati i komitetit të KP të BFSSHsë dhe në marrëdhënie me organizmat sportivë ndërkombëtarë, mori atributet e Komitetit Olimpik Kombëtar shqiptar. Megjithatë, pjesëmarrja në lojërat olimpike nuk mungoi. Marrin pjesë në Lojërat Olimpike të Mynihut të vitit 1972. Në Mynih, më 29 gusht 1972, nisin garat e kampionatit botëror të peshëngritjes në kuadrin e lojërave të 20-ta olimpike. Peshëngritësi ynë, Ymer Pampuri, shpallet kampion bote në stilin e forcës në peshën 60 kg si dhe thyen dy herë brenda 5 minutave rekordin olimpik në shifrat 127.5 kg. Më vonë, përfaqësimi ynë mungoi për arsye politike.
Pas një mungese të gjatë në olimpiada është për t’u theksuar fakti se pas vitit 1985 lindi iniciativa për marrjen pjesë në lojërat mesdhetare si vendi i pellgut të Mesdheut. Në shtator 1987 marrim pjesë në Lojërat Mesdhetare të Latakias, Siri dhe rezultatet nuk munguan. Në volejboll dhe basketboll, femra marrim medalje ari. Në peshëngritje nga Hysen Cenaj sërish medalje ari. Në atletikë Ajet Toska në çekiç dhe Adriana Vejkollari në 800 metra medalje argjendi. Këto ishin rezultate që jepnin shpresë për përfaqësim në lojëra olimpike dhe mesdhetare. Është për t’u përmendur dhe rezultati i lartë i Pavlina Evros në mitingun e Nisës, duke zënë vendin e parë dhe medaljen e arit në garën e 1500 metrave. Duke u kthyer në retrospektivën e vitit 1962, Komiteti i Këshillit të Përgjithshëm, si organi drejtues më i lartë i fizkulturës dhe sportit, nxori udhëzime që për drejtimin me kompetenca e nivel të sportit, në përputhje edhe me përvojën organizative europiane dhe botërore, nevojitej ngritja e federatave sportive si organe të specializuara pasi përpara krijimit të BFSSH-së, sporti drejtohej nga komisionet e specializuara qendrore të shoqërive sportive.
Në shkurt 1962 filloi organizimi i fed eratave sportive pranë komitetit të KP të BFSSH-së. Në fillim u zgjodh federata e futbollit dhe më vonë e atletikës, gjimnastikës, volejbollit, basketbollit dhe sporteve të rënda (mundje, peshëngritje e qitje), si dhe shoqata e turizmit–alpinizëm dhe çiklizëm. Këtë organizim, fizkultura dhe sporti e ruajti pothuajse në të pestë konferencat kombëtare të BFSSH-së deri në 1992. Ndryshimet që kanë ndodhur nga viti 1962 deri në vitin 1992 janë bërë vetëm në linjë shtetërore.
Kështu, për shembull: në fillim të vitit 1965 Komiteti i Këshillit të Përgjithshëm u shkëput nga Ministria e Arsimit dhe u bashkua në një organizëm me “SHNUMIN” dhe shoqata e gjuetarëve dhe peshkatarëve. Ky organizëm varej direkt nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa shoqata e gjuetarëve dhe peshkatarëve doli më vete e funksionoi jashtë veprimtarisë së fizkulturës e sportit me statutin e tyre të veçantë. Në fillim të vitit 1974, Komiteti i Kulturës Fizike e Sporteve shkëputet nga Ministria e Arsimit dhe pati varësi direkte nga Këshilli i Ministrave nën mbikëqyrjen e ministrit të Arsimit si anëtar i qeverisë dhe mori emërtimin Komiteti Shtetëror i Kulturës Fizike e Sporteve. Vartësia nga Këshilli i Ministrave qëndroi deri në vitin 1976 dhe përsëri fizkultura e sporti u futën në varësi të Ministrisë së Arsimit.
Po kështu, në mars të vitit 1987, me vendim qeverie nr.50, Komiteti i KP të BFSSH-së hiqet nga Ministria e Arsimit dhe vihet si institucion më vete në varësi të Këshillit të Ministrave, deri në mars 1992. Gjatë kësaj periudhe, shteti tregoi një vëmendje të veçantë jo vetëm për përsosjen e anës organizative, por edhe për forcimin e përmbajtjes edukative të fizkulturës e sportit veçanërisht në shkolla, ushtri, qendra pune, kooperativa bujqësore, si dhe mbi këtë bazë forcimin e cilësisë sportive, bazës materiale dhe përgatitjes së kuadrit. Kështu, në kushtetutën e RPSH u sanksionua me ligj kujdesi dhe interesi i qeverisë për kulturën fizike e sportin. Krahas vendimeve të përmendura më lart, me interes të veçantë dhe që përbëjnë një mbështetje të fuqishme për ecurinë e sportit janë vendimet e Këshillit të Ministrave për zbatimin e kompleksit GPM si program minimal të përgatitjes fizike të qytetarëve, vendimi mbi zbatimin e klasifikimit unik sportiv, mbi trajtimin ushqimor të sportistëve, krijimin dhe forcimin të bazës materialo-sportive, për përgatitjen dhe kualifikim e kuadrit, për krijimin e Teknikumit të Fizkulturës në 1948 dhe Institutit të Kulturës Fizike dhe Sportit në 1958. Vendime të tjera të rëndësishme të Këshillit të Ministrave janë ato për krijimin e kushteve të favorshme për stërvitjen e sportistëve (si orari i reduktuar për sportistët në shkollë dhe në punë, grumbullimi i sportistëve dhe shkëputja nga puna para aktiviteteve ndërkombëtare), krijimi shkollave sportive dhe klasave sportive në 1968, si dhe rihapja e Shkollës së Mesme të Fizkulturës në Durrës dhe më vonë shkollën e mjeshtërisë së sporteve, si fidanishte të cilë- sisë sportive.
Me rëndësi shumë të veçantë janë dhe vendimet e qeverisë për zhvillimin e organizimin e aksioneve të mëdha si spartakiada e parë, e dytë, tretë, e katërt dhe e pestë kombëtare, spartakiadën kombëtare të të rejave, të punonjësve dhe fshatarësisë kooperativiste. Zhvillimi spartakiadave të ndryshme gjatë gjithë kësaj periudhe ishte përfundim logjik i masave që mori shteti për zhvillimin e vrullshëm e në mënyrë masive të fizkulturës, veçanërisht me rininë. Zhvillimi kaq masiv i këtyre veprimtarive ngriti në një nivel të ri jo vetëm aspiratat e rinisë për t’u marrë me sport, por ndikoi pozitivisht në emancipimin shoqëror sidomos të femrës, e cila nga e kaluara trashëgonte një prapambetje shumë të madhe.
Spartakiadat shoqëroheshin me manifestime të mëdha, përmbajtja e së cilës përfaqësonte arritjet e politikës shqiptare në fizkulturë dhe sport. Për t’i dhënë një nxitje të mëtejshme përfaqësimit të sportit në arenën ndërkombëtare ishin vendimet e qeverisë nr. 87, datë 07.05.1974, për caktimin e trajnerëve profesionistë për disa degë sporti, si dhe krijimin e disa kushteve më të mira për stërvitjen e sportistëve, si dhe vendimi i mëvonshëm në vitet 1985-1990 për zhvillimin në kushte profesionizmi të disa sporteve si: futbolli, volejbolli, basketbolli dhe individë të përparësisë dhe nivele të larta në atletikë, gjimnastikë, peshëngritje, qitje, shah, not etj. Për çdo vit qeveria akordoi fonde të konsiderueshme për zhvillimin e veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe sjelljen e bazës materiale nga jashtë. Përparësi patën sidomos investimet në sport, kështu në periudhën 1945- 1990 u ndërtuan me kontributin vullnetar të rinisë mijëra komplekse e terrene sportive në qytet e fshat, në shkolla, qendra pune e kooperativa bujqësore, të cilat ndihmuan për zhvillimin masiv të fizkulturës dhe sportit, si dhe gjallërimin e jetës së rinisë. Ndërsa për zhvillimin e cilësisë sportive u ndërtuan objekte të mëdha, të cilat ndikuan në ngritjen dhe zhvillimin e sportit në kushte më cilë- sore. Kështu, u subvencionua nga shteti ngritja e
28 stadiumeve
11 pallateve sportive
17 pishinave
Është për t’u theksuar fakti se gjatë kësaj periudhe, BFSSH-në dhe sportin e ndoqi politizimi si në gjithë fushat e jetës. Fillimisht ishte ndikimi i vendeve të lindjes dhe pas shkëputjes, ndikimi kinez, ku një prej masave ishte heqja e sportit të boksit. U ndërpre që nga viti 1962 përgatitja e kuadrove jashtë shtetit, vetëm disa kuadro të paktë studiuan në Kinë. Baza materiale sportive prodhohej në vend, duke mos plotësuar standardet e duhura sportive. Veprimtaritë miqësore mbetën të reduktuara vetëm me Kinën, pak me Kosovën, Rumaninë, Algjerinë dhe Sirinë. Ndërsa ato zyrtare vazhduan deri në vitit 1974 dhe pas kësaj deri në ’78, sidomos në futboll u ndërprenë. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën më 1978, pasi vendi mund të shkonte drejt izolimit, u pa mundë- sia e rimarrjes pjesë në të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare, duke përjashtuar takimet direkte me BS-në, SHBA-në, Izraelin dhe Afrikën e Jugut.
Por me gjithë problemet e politikës shqiptare, veçanërisht në periudhën 1980-1990 në saj të një pune të madhe drejtuese, organizative dhe shkencore, pati arritje të niveleve europiane e botërore, duke dalë kampionë në peshëngritje, qitje meshkuj-femra, futboll, volejboll, basketboll, atletikë, çiklizëm, shah dhe alpinizëm. Në pamundësi për të shënuar vlerësimin e kontributeve të sportistëve dhe gjyqtarëve, të cilët janë me qindra dhe që puna e tyre duhet evidentuar në historikun e çdo federate sportive, po përmend në mënyrë simbolike emrat e disa veprimtarëve, drejtuesve dhe trajnerëve të shquar që me punën e tyre përgatitën plejadën e madhe të sportistëve dhe shkrinë jetën e tyre në shërbim të sportit kombëtar. Drejtues dhe veprimtarë të shquar: Kiço Karaguni, Dervish Lisi, Luigj Shala, Ibrahim Dizdari, Kristo Papajani, Vasil Konomi, Vasil Naqi, Mehdi Bushati, Azis Tahiri, Lame Konomi, Leonidha Toska, Mustafa Celkupa, Nexhmi Kadiu, Telat Verzivolli, Mihail Qipo, Thoma Kuke, Sokol Morina, Bahri Axhemi, Kiço Gjata, Leandro Kruta. Në propagandën sportive: Anton Mazreku, Ismet Bellova, Besnik Dizdari, Skifter Këllëçi, Vladimir Grillo, Ahmet Shqarri, Dëfrim Methasani. Në futboll: Rexhep Spahiu, Loro Boriçi, Sabri Peqini, Myslym Alla, Zyber Konçi, Shyqyri Rreli, Enver Shehu, Xhevdet Shaqiri, Zihni Gjinali, Muhamet Vila, Xhavit Demneri, Ramazan Rragami, Bejkush Birçe, Skënder Dedja, Agron Sula, Neptun Bajko, Astrit Hafizi. Në basketboll: Fehti Borova, Naim Pilku, Bashkim Taga, Dhimitër Goga, Qemal Shalsi, Astrit Greva, Bujar Shehu, Petrit Osmani, Pandi Balli, Petrit Stefa. Në volejboll: Enver Maçi, Vangjel Koja, Petrit Murzaku, Napolon Llalla, Andon Kona, Fatmir Meka, Kreshnik Tartari, Pandi Gëllçi, Ali Miraku, Bashkim Lala, Llazar Llupo, Ylli Tomorri. Në atletikë: Belul Hatibi, Taqo Duka, Zef Hila, Petrit Qëndro, Pirro Kasati, Azis Ruli, Thoma Rade, Bardhyl Salillari, Fatmir Dibra, Vildan Tufi, Rifat Kazazi. Në gjimnastikë: Saim Bejtja, Hysni Vaqarri, Vangjel Gjoni, Bujar Bujari, Shkëlqim Kuqo, Flora Toto, Arqile Marko, Tomorr Fishta, Adriatik Meta, Alqi Klemo, Dilaver Hasimi, Engjëll dhe Polikseni Gorishti, Vladimir, Edvin Dashi, Lule Meçe. Në not: Sulejman Tufa, Agron Ismailati, Enver Muriqi, Spiro Koca, Jani Hondro. Në Peshëngritje: Ferid Berberi, Zef Kovaçi, Niko Boneci, Zyhdi Mazreku, Fehmi Telegrafi, Hektor Shaqiri, Njazi Bushati, Leonard Toshka. Në qitje: Ali Mata, Rexhë Ndreu, Nazire Galanxhi, Ermira Dingu, Faik Basha. Në mundje: Abedin Lame, Viron Bezhani, Bashkim Lika, Fiqeri Rama, Fuat Braho. Në çiklizëm: Eqerem Shaba, Bilal Agalliu, Ruzhdi Muriqi, Gani Muriqi, Muhamet Musta. Në boks: Ali Kastrati, Mehmet Kryeziu, Ilmi Reka. Në shah: Bujar Hoxha, Zef Ashta, Ylvi Pustina, Fatmir Turkeshi, Fatos Muço Në alpinizëm: Kozma Grillo, Aleksandër Bojaxhi, Taxhedin Shehu, Petraq Kule.
PERIUDHA E TRETË
1990-2012 Viti 1990 konsiderohet tashmë viti i transformimit politik dhe shoqëror i vendit. Në Shqipëri si në gjithë Europën Lindore ndodhën proceset demokratike që e çliruan sportin nga ngërçi i politikës. Kalimi nga sistemi komunist në sistemin demokratik u shoqërua me ndryshime të thella ideologjike mbi bazën e ekonomisë së tregut. Këto ndryshime përfshinë gjithë jetën e vendit dhe nuk kishin si të mos reflektoheshin dhe në zhvillimin e kulturës fizike dhe sportit. Kështu, më 5 qershor 1992, me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 255 u shpërbë organizata e BFSSH-së, e cila e kreu misionin e saj. Vendin do ta zinte një tjetër organizatë sportive KOMITETI OLIMPIK KOMBËTAR SHQIPTAR. Krijimi i KOKSH gjeti zbatim më konkret nga pikë- pamja organizative dhe përmbajtja. Ai shënon një kthesë në lëvizjen olimpike në përputhje të plotë me organizimin botëror të sportit dhe KARTËN OLIMPIKE. U zgjodhën organet drejtuese të tij, Komisioni Ekzekutiv, Komiteti Olimpik dhe komisionet e tij të specializuara si ai Teknik, Juridik, i Jashtëm i Propagandës, federatat sportive në qendër, si dhe në rrethe këshillat e komiteteve olimpike rajonale. Ndërsa në bazë shoqatat olimpike në qytete dhe seksione olimpike në shkolla e komuna.
Në hapat e parë të këtij organizimi u shënuan arritje shumë pozitive. U organizuan “DITËT OLIMPIKE”, si dhe “MARATONA” masive me pjesëmarrjen e mijëra ushtruesve të moshave të ndryshme që nga fëmijët deri tek të moshuarit nga të gjithë rrethet. U organizua Maratona e parë e Tiranës me pjesëmarrjen e 20.000 vrapueseve nga mosha të ndryshme të ardhura nga të gjitha rrethet. U ngritën në të gjithë vendin rreth 120 shoqata “SPORTI PËR TË GJITHË”, të cilët përbëheshin nga të rinj dhe të moshuar, si dhe “Shoqata e Veteraneve të Sportit”. Shoqatat u ngritën për sporte të ndryshme dhe funksiononin mbi bazën e një statuti, duke i dhënë një konceptim tjetër në praktikë jetës sportive. U ndërtuan rreth 140 salla aerobie për zhvillimin e rikuperimin fizik të rinisë në shkolla e qytete. Po ky organizim nuk e pati jetën e gjatë. Ndryshimi i pushteteve në vend solli ndryshimin edhe në organizimin e sportit. Kështu, me propozimin të autoriteteve sportive, u miratua nga Këshilli i Ministrave shkëputja e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar nga federatat sportive dhe sektori i lëvizjes masive, çka do të thotë shkëputje nga pjesa më jetike e tij, duke dalë si organizatë joqeveritare më vete. Përveç kësaj, u suprimuan dhe komitetet olimpike rajonale në rrethe. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar mbeti një organizëm amorf, kompetencat e të cilit zgjidhen duke bashkëpunuar me institucionet e tjera sportive. Pra, një përfaqësim i tillë i këtij institucioni, nuk zgjidh misionin për të cilin ai u ngrit. Më vonë, me vendim nr.20 të Këshillit të Ministrave datë 24.01.1994, pranë Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve krijohen struktura shtetërore të edukimit fizik e sportiv si zv/ ministër i Sportit, dy drejtori, ajo e organizimit dhe promocionit, si dhe drejtoria teknike.
Por, në korrik të 1996, ndryshon emërtimi i drejtuesit të sportit nga zv/ministër në sekretarë shteti pranë Ministrisë së Arsimit. Ky përfaqësim nga pikëpamja e nivelit ishte më i lartë, për arsye se sporti përfaqësohej me një anëtar qeverie në Këshillin e Ministrave. Por, dhe ky përfaqësim nuk e pati jetën e gjatë. Me rrëzimin e qeverisë në mars 1997 përsëri drejtimi i sportit kaloi në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Gjatë periudhës 10-vjeçare 1990-2000, fizkultura dhe sporti kaloi një periudhë të vështirë tranzicioni. Jo vetëm struktura organizative, po veçanërisht baza materiale dhe objektet sportive, pësuan një shkatërrim të madh. Financimet dhe investimet për sportin ranë në mënyrë të ndjeshme. Për t’iu përgjigjur disa kërkesave që sollën situatat e reja për sportin, janë për t’u vlerësuar disa vendime të Këshillit të Ministrave, si ai i nr.354, datë 29.08.1994, “për shpërblimin e cilësisë së veprimtarisë sportive për sportistët, trajnerët, gjyqtarët dhe shpërblime të tjera për veprimtari sportive”; vendimi nr.569, datë 29.11.1994, “për pagesën dhe shpërblimin e futbollistëve të ekipit kombëtar, kur grumbullohen për ndeshjen ndërkombëtare”; vendimi nr.309, datë 05.06.1995, “për shpërndarjen e fondeve të përfunduara nga shitja e së drejtës televizive për aktivitete kombëtare”; vendimi nr.41, datë 27.01.1997, “për trajtimin e veçantë të sportistëve të niveleve të larta; vendimi nr.35, datë 11.12.1998, “për krijimin e Komitetit Kombëtar të Luftës kundër dhunës dhe sjelljeve të pahijshme në veprimtaritë sportive”; si dhe vendimi nr.587, datë 08.12.1999, “për shkëputjen nga puna të sportistëve e specialistëve të sportit për pjesëmarrjen në veprimtaritë sportive dhe gjatë përgatitjes për to”. Por, në dhjetëvjeçarin e fundit, 2000-2010, janë bërë përmirësime të dukshme.
Janë rritur fondet rreth katër herë. Janë rikonstruktuar palestra, pallate sporti, stadiume, si dhe janë rritur shpenzimet për aktivitetet kombëtare. Në mënyrë të veçantë shquhet Federata e Futbollit, e cila ka vënë në dispozicion investime të konsiderueshme për rikonstruksionin e stadiumeve dhe fushave të futbollit e ndriçimit në disa prej tyre në klubet sportive, duke plotë- suar standardet e reja për zhvillimin e futbollit, duke u ndihmuar edhe nga UEFA. Për plotësimin e boshllëqeve që u ndien nga ndryshimi i sistemeve lidhur me ushtrimin e funksioneve të të drejtave dhe detyrave, kompetencat, si dhe raportin e organeve sportive me shtetin, rëndësi të veçantë pati ligji për sportin, i cili u miratua nga Kuvendi Popullor në mbështetje të dispozitave kushtetuese me propozim të Këshillit të Ministrave. Si dhe në vitin 2008, u bënë reforma për statutet e federatave, si dhe hartimin dhe miratimin e amendamenteve dhe neneve të kodit penal për trukimin e ndeshjeve sportive, të cilat u bënë një fenomen negativ. Një ndikim tjetër pozitiv është fakti se sporti ynë pas viteve ‘90 hyri në një proces zhvillimi të ri, ai që quhet integrim europian dhe botëror. Shumë prej sportistëve tanë shkuan për t’u përfaqësuar me skuadra më të dëgjuara të Europës e deri në SHBA për një përfaqësim më cilësor. I pari që startoi ishte futbollisti Bledar Kola në Greqi dhe pas tij Demollari, Minga, Kola, Canaj, Agalliu, Strakosha, Zmijani, Vata e deri te lojtarët e sotëm të Kombëtares shqiptare në futboll.
Është për t’u veçuar debutimi i Donald Suxhos nga Korça, i cili me talentin e tij u bë një nga volejbollistët më të mirë të Kombëtares amerikane dhe që u shqua në Lojërat Olimpike të Londrës, Ermal Kuqo, i cili ka debutuar me sukses në Kombëtaren e basketbollit të Turqisë, Franko Bushati në basketboll debuton në një nga ekipet më të dëgjuara të Serisë A në Itali, të peshëngritësve tanë Pirro Dhima, Luan Shabani dhe Agron Haxhihyseni, të cilët përfaqësuan Greqinë në veprimtari Olimpike dhe botërore, duke u shpallur Kampione Olimpike dhe Botërorë dhe duke marrë disa herë medalje në veprimtari europiane e botërore etj. Rezultate të larta të nivelit botëror arritën edhe alpinistët tanë, ku për herë të parë në historinë e këtij sporti ata u ngjitën këtë vit në majën Everest të Himalajeve, një eveniment shumë i rëndësishëm dhe historik ky për sportin tonë. Këto ishin disa nga aspektet episodike të historisë së krijimit të Federatës Sportive Shqiptare dhe evoluimi i saj gjatë 85 viteve. Sigurisht, kalimet e varësisë nga një dikaster në tjetrin, nuk kanë influencuar pozitivisht për zhvillimin e sportit me ritmet e vendeve të tjera. Këto ndryshime kanë qenë të lidhura ngushtë me interesin për fizkulturën dhe sportin, me interesin jo të mjaftueshëm në kohën e duhur për zhvillimin e bazës materiale dhe mjediset moderne për stërvitje, ashtu dhe mungesa e stimujve materialë, pa të cilët nuk ka përparim dhe zhvillim. Por, në kushtet aktuale të zhvillimit të sportit, duke pasur parasysh dobësitë organizative që janë vënë re në ushtrimin e kompetencave, mbi të gjitha kërkohet unifikimi i organizmave shtetërore të sportit, si dhe një drejtim me efektiv të tij.
Si përfundim, gjashtë janë fazat kryesore nëpër të cilat ka kaluar fizkultura dhe sporti gjatë 85 viteve. Nga Federata Sportive te shoqëritë sportive, pastaj në BFSSH, Komiteti Olimpik dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve
DREJTUESIT E SPORTIT SHQIPTAR NË
PERIUDHËN 1930–2015
1.IZEDIN BESHIRI (6 qershor 1930-prill
1931) kryetar i Federatës Sportive Shqiptare,
ish-sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë.
2.MUSA JUKA – (prill 1931-dhjetor 1934)
kryetar i Federatës Sportive Shqiptare, ishministër
i Brendshëm.
3.MIRASH IVANAJ – (13 gusht 1935-
1916 tetor 1935) kryetar i Federatës Sportive
Shqiptare “Vllaznia Shqiptare” ish-ministër
i Arsimit.
4.NUSH BUSHATI – (21 tetor 1935–7 nëntor
1936) kryetar i Federatës Sportive “Vllaznija
Shqiptare”, ish-ministër i Arsimit.
5.FAIK SHATKU – (janar 1937–dhjetor
1938) kryetar i Federatës Sportive “Vllaznija
Shqiptare”, ish-ministër i Arsimit.
6.GALIP HATIBI – (janar 1945–qershor
1946) përgjegjës i Seksionit të Fizkulturës
pranë Ministrisë së Kulturës dhe Propagandës.
7.ANTON MAZREKU (qershor 1945–qershor
1946) kryetar i Federatës Sportive Shqiptare.
8.KRISTO PAPAJANI – (zgjidhet kryetar i
Federatës Sportive Shqiptare dhe emërohet
përgjegjës i Seksionit të Fizkulturës (mars
1947-shkurt 1948) kryetar i Komitetit Shtetëror
të Kulturës Fizike dhe Sporteve pranë Këshillit
të Ministrave.
9.KIÇO JANKU – (shkurt 1948-korrik 1948)
Kryetar i Komitetit Shtetëror të kulturës Fizike
dhe Sporteve pranë Këshillit të Ministrave dhe
kryetar i Federatës Sportive deri në gusht 1948.
10.LLAZAR LIPIVANI – (korrik 1948–shtator
1953) Kryetar i Komitetit Shtetëror të
Sporteve pranë Këshillit të Ministrave.
11.KIÇO KARAGUNI – (shtator 1953-maj
1958) drejtor Drejtorie në Ministrinë e Shëndetësisë
dhe të Arsimit, si dhe (maj 1958-janar
1959) zgjidhet kryetar i Komitetit të KP të BFSSH.
12.VASIL KONOMI – (janar 1959–gusht
1965) kryetar i Komitetit të KP të BFSSH dhe
në (maj 1959 zgjidhet kryetar i Komitetit
Olimpik Shqiptar).
13.ASTRIT NISHANI – (gusht 1965–shkurt
1966) ish-nënkryetar, kreu funksionet e
kryetarit të KP të BFSSH.
14.REXHEP DODA – (shkurt 1966-nëntor
1971) kryetar i Komitetit të KP të BFSSH pranë
Ministrisë së Arsimit.
15.DERVISH LISI – (nëntor 1971–mars
1972) ish-nënkryetar, kreu funksionet e kryetarit
të KP të BFSSH.
16.VEIZ LELO – (mars 1972-gusht 1979)
kryetar i Komitetit të KP të BFSSH.
17. MEHDI BUSHATI – (gusht 1979–5
shtator 1988) kryetar i Komitetit të KP të BFSSH.
18. ALI VUKATANA –(5 shtator 1988–17
korrik 1991) kryetar i Komitetit të KP të BFSSH.
19. AGIM ZEKA – (17 korrik 1991–25 maj
1992) zëvendësministër i Kulturës Rinisë dhe
Sporteve dhe Kryetar i Komitetit Olimpik Kombëtar
Shqiptar.
20. ARBEN JORGONI -(25 maj 1992-2000)
zëvendësministër i Kulturës Rinisë dhe
Sporteve dhe Kryetar KOKSH.
21.HYSEN DOMI – (2000-korrik 2009)
president i KOKSH
22.AGIM FAGU -(14 korrik 2009-shtator
2011) president i KOKSH
23.ELA TASE -(shtator 2011–vazhdon)
Zv.presidente e KOKSH në detyrë
24. VESEL RIZVANOLLI -(26 shkurt
1994-26 maj 1996) zëvendësministër i Kulturës
Rinisë dhe Sporteve
25. MARJETA ZAÇE – (11 korrik 1996–
mars 1997) sekretare e Shtetit për Sportin pranë
Ministrisë së Arsimit
26. KRESHNIK TARTARI -(shtator 1997-
2001) zëvendësministër i Kulturës Rinisë dhe
Sporteve
27. RAMADAN HASANI – (2001-mars
2002) zëvendësministër i Kulturës Rinisë dhe
Sporteve
28. ARTAN SHYTI – (mars 2002-tetor 2002)
zëvendësministër i Kulturës Rinisë dhe
Sporteve dhe (tetor 2002-shtator 2005) drejtor
i Përgjithshëm i Sporteve
29. NERITAN ALIBALI – (shtator 2005-
shtator 2007) zëvendësministër i Kulturës Rinisë
e Sporteve
30. EKREM SPAHIA – (shtator 2007-22
shtator 2009) zëvendësministër i Turizmit
Kulturës Rinisë e Sporteve
31. DASHNOR BAJAZITI – (22 shtator
2009–maj 2013) zëvendësministër i Turizmit
Kulturës Rinisë dhe Sporteve
32. Salih Tagani – (maj 2013–shtator 2013)
33. Vladimir Gjonaj – (tetor 2013-prill
2014) drejtor i Sportit në Ministrinë e Arsimit
dhe Sportit
34. Rauf Dimraj – (maj 2014-vazhdon) Zëvendësministër
i Arsimit dhe Sportit
PËRGATITI: Kristaq Miço Ish-zëvendëskryetar i Komitetit të KP të BFSSH
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"