Vetëm 15 lojtarë në fushë, klubi i Kategorisë së Parë stërvitet nga… drejtori sportiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2024 | 21:35

Vetëm 15 lojtarë në fushë, klubi i Kategorisë së Parë stërvitet nga… drejtori sportiv

Që pas dorëheqjes së spanjollit Jerai Rodriges nga pankina e Apolonisë, skuadrën fierake prej dy ditësh po e stërvit në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, drejtori sportiv i klubit, Mariglen Kule.

411458883_18323144608111633_6991680644330883637_n

Ky i fundit është munduar të aplikojë seanca stërvitore me ritëm relativisht mesatar, me qëllim që lojtarët fierakë të marrin në mënyrë konstante ritmin pas pushimeve të fundvitit. Nëse në seancën e parë u punua më shumë për aspektin fizik, në të dytë fokusi ishte në aspektin tekniko-taktik. Numri i lojtarëve prezentë ishte i pandryshuar, vetëm 18 të tillë, përfshi edhe tre portierët, Romeo Harizaj, Aldo Bushi dhe Henri Bega.

Për të realizuar perfekt ushtrimet e planifikuara, erdhi në ndihmë portieri Romeo Harizaj, i cili u pa të luante vetëm me këmbë, edhe si pasojë e cilësive të tij. Skuadra u nda menjëherë në dy grupe, me nga tetë lojtarë dhe filloi loja kolektive për qarkullimin e shpejtë të topit, herë me një takim dhe herë me dy takime në një kuadrat të gjerë. Për ta bërë edhe më të bukur lojën në grup, çdo lojtar që humbte topin, do të bënte 5 pompa.

Në mes u futën edhe dy lojtarë dhe fokusi mbetej te loja e shpejtë me vetëm një takim. Një tjetër lojë kolektive, u realizua në mesin e fushës, ku grupet me tetë lojtarë u ndanë në dy skuadra me katër lojtarë.

Në fund, por jo për nga rëndësia, u punua edhe me finalizimin brenda në zonë, ku protagonistë ishin sulmuesit Antoni dhe Maksuti, që furnizoheshin nga krahët nga mesfushorët Davarel dhe Shanaj. Ndërkohë, pas largimeve të dy ish-portierëve, Eduart Miço dhe Argent Halili, trajneri i ri i portierëve tek Apolonia është emëruar Josel Shtrepi.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"