Vetëm Bintsuka jashtë, sot Partizani luan miqësore e radhës kundër Llapit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2024 | 13:57

Vetëm Bintsuka jashtë, sot Partizani luan miqësore e radhës kundër Llapit

Trajneri i Partizanit, Orges Shehi, nuk ka në dispozicion që prej nisjes së fazës përgatitore sulmuesin Arçejnxh Bintsuka. Ngërçi i dokumentacionit vijon të jetë i pazgjidhur dhe nuk dihet se kur mund të mbyllet si çështje.

Bintsuka

Mungesa e Bintsukës është padyshim një “armë” më pak për trajnerin Shehi, për më tepër që kongolezi e ka treguar se mund të bëjë dëme në Europë, siç ishte ai gol kundër Astanës vjet në “play off” të Ligës së Konferencës. Nëse në qendër Shehi ka alternativa të tjera si Mba, Keko apo Piloto, e kundërta ndodh në krahun e djathtë, një pozicion, të cilin e ka mbuluar herë pas here edhe Bintsuka. Sa i përket pjesës tjetër të ekipit, gjithçka vijon normalisht në fazën përgatitore në Pogradec. Fatmirësisht asnjë prej lojtarëve nuk ka shfaqur probleme dëmtimesh. Maget, Zguro dhe Sembene janë pak më mbrapa se pjesa tjetër sa i përket formës, por gradualisht edhe kjo treshe po e kap ritmin.

Sot skuadra do të zhvillojë miqësoren e dytë të këtyre përgatitjeve. Në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” në orën 17:00 përballë “demave” do të jetë skuadra kosovare e Llapit, e cila gjithashtu merr pjesë në kompeticionet europiane, saktësisht në Europa League. Testi i parë u mbyll me humbje minimale përballë Strugës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"