Vetëm një sezon tek blutë, sulmuesi 21-vjeçar e mbyll zyrtarisht me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2024 | 10:21

Vetëm një sezon tek blutë, sulmuesi 21-vjeçar e mbyll zyrtarisht me Dinamon

Sulmuesi kosovar, Ardit Tahiri, nga dje nuk është më pjesë e Dinamos. Futbollisti 21-vjeçar ka mbyllur zyrtarisht aventurën blu, duke dalë lojtar i lirë pas tërheqjes së dokumentacionit përkatës nga klubi kryeqytetas.

ardit tahiri

Tahiri, i ardhur te 18 herë kampionët e Shqipërisë në merkaton e dimrit, ishte nën kontratë me Dinamon, por palët kanë arritur një marrëveshje për mbylljen e bashkëpunimit. Te blutë sulmuesi u preferua pak gjatë atyre muajve që ishte pjesë e skuadrës dhe mungesa e hapësirës duket se është arsyeja e largimit të tij. Lojtari i ardhur nga Drita shënoi një gol në barazimin 1-1 me Kukësin, ndërsa javët e fundit të kampionatit pësoi një dëmtim. Vetëm në dy ndeshje ai zbriti në fushë nga minuta e parë dhe u aktivizua në total në 7 ndeshje. Me shumë mundësi, e ardhmja e sulmuesit të Kosovës U-21 do të jetë në futbollin kosovar.

SULMI – Nga Dinamo janë larguar më parë edhe sulmuesit e krahut Bamba, Bardhi dhe Tusha, ndërkohë që janë afruar Mandela dhe Qardaku dhe kanë qëndruar Kaçorri, Zabërgja dhe Vila. Sipas asaj që kanë deklaruar drejtuesit e klubit blu, për sulmin do të ketë edhe një përforcim me peshë, që mund të jetë surpriza e madhe e merkatos së kësaj vere. Gjasat janë që ky lojtar të vijë nga jashtë Shqipërisë. Po ashtu, po shihet edhe për një sulmues tjetër krahu, që reparti i avancuar të jetë i kompletuar për sezonin e ri. Deri tani kryeqytetasit kanë bërë katër përforcime, që janë mesfushori Bruno Dita, sulmuesi Mandela, portieri Aldo Teqja dhe sulmuesi Eridon Qardaku.

PËRGATITJET – Më 1 korrik skuadra e trajnerit Dritan Mehmeti do të nisë përgatitjet për sezonin e ardhshëm dhe grupi do të plotësohet gradualisht. Më 20 korrik blutë kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Italisë, ku për tri javë do të zhvillojnë përgatitje intensive dhe do të luajnë disa ndeshje miqësore. Gjatë këtyre tri javëve me kryeqytetasit do të bashkohet edhe ndonjë lojtar i ri, si përforcim i fundit në merkato.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"