Vetëm tri afrime, Bylisi do miqësore me Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 23:15

Vetëm tri afrime, Bylisi do miqësore me Elbasanin

Bylisi është në ndërtim e sipër dhe në Ballsh janë duke ideuar ekipin e Superiores për sezonin e ri, teksa deri tani jane largimet e disa titullarëve të vjetshëm, ku bien në sy sidomos: Trumçi, Goxha, Lajthia e Xheferson, dhe me emra te rinj si: Hasanbelli, Sulovari apo Kasmollari.

BYLIS APOLONIA

Në Ballsh, testi me Apoloninë dha shenja pozitive për skuadrën, ashtu sikurse njëkohësisht tregoi se kontingjenti ka nevojë edhe për disa përforcime të tjera. Ndaj edhe në Ballsh janë duke parë për së paku edhe 3-4 afrime, në mënyrë që të përforcojnë formacionin e parë, e natyrisht vetvetiu edhe stoli krijon konkurrencë, për më tepër që janë në kontingjent edhe një “bosht” nga sezoni i shkuar.

Ballshiotët rikthehen në Superiore me synimin që të mos kthehen më shpejt andej nga erdhën, siç edhe ka ndodhur në vitet e fundit. Bylisi ka si synim që të ndërtojë një ekip simpatik dhe skuadra është në rrugë të mbarë deri më tani. Ndërkohë, në Ballsh po përgatiten që të luajnë miqësoren e dytë. Pas Apolonisë së Kategorisë së Parë, stafi mallakastriot ka menduar që të zhvillojë test me ekip elitar.

Ka gjasa që kundërshtari i radhës i Bylisit të jetë rivali i sezonit të shkuar Elbasani. Me shumë gjasa miqësorja do të luhet në fundjavë, ndërsa ende nuk është përcaktuar fusha se ku do të luhet ky test dhe ora. Ndërkohë, para se të përballen me Pas Janinën në 3 gusht, ballshiotët synojnë që të kenë kompletuar ekipin, pasi përgatitjet do të vijojnë në funksion të sfidës së parë të kampionatit me Teutën e cila do të zhvillohet në “Niko Dovana”, më 18 gusht, ora 17:00.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"