Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Kukësi “bio”, tani nuk ka më të… huaj
Një Kukës pa të huaj në skuadër duket sikur… stonon. Thuhet kështu, pasi në të gjithë historinë e saj në Superiore, ka qenë kryesisht një klub që identifikohej shpesh me lojtarë të huaj në ekip dhe që madje bënë karrierë në Kukës dhe futbollin shqiptar, duke mos i munguar cilësitë.
Sot, duket se këtij trendi të dekadës që sapo lamë pas po i vjen fundi dhe drejtuesit nuk po preferojnë më që të marrin lojtarë nga Brazili i largët apo edhe te Kroacia e Ballkanit. Aktualisht të vetmit të huaj që shihen si pjesë e skuadrës dhe që ende nuk janë përfolur për t’u larguar nga klubi, janë mauritanezi Abdou Mbarak dhe nigeriani Daniel Momoh, me këtë të fundit që spikati sezonin e kaluar në disa ndeshje, ku u katapultua nga moshat në skuadrën e parë. Më së shumti, ky ndërrim “kursi” vjen si shkak i bllokadës nga klubi për të bërë shpenzime të mëdha dhe të hedhë sytë më shumë nga tregu rajonal dhe ai vendës. Të paktën këtë po tregon merkatoja e deritanishme dhe emrat që janë në provë aktualisht në Kukës, pasi deri në mbylljen e merkatos në klub mund t’i rikthehen sërish “dashurisë” së vjetër për sa më shumë lojtarë të huaj.
30 PASAPORTA TË NDRYSHME Për t’i dhënë një pasqyrë të qartë panoramës së situatës me lojtarët e huaj që Kukësi ka afruar ndër vite, “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim të hollësishëm rreth kësaj teme. Bie në sy se verilindorët kanë pasur lojtarë me 30 pasaporta të ndryshme, ku sigurisht bëjnë pjesë edhe shqiptarët e Kosovës apo të Maqedonisë së Veriut me pasaporta europiane. Numrin më të madh të lojtarëve të huaj e dominonBrazili, teksa në përbërje të ekipit blu kanë qenë plot 23 futbollistë, me Zhan Kariokën që numëron 85 paraqitje me këtë skuadër. Sa u përket golave, brazilianët kanë shënuar plot 64 herë për këtë klub. Pas tyre vjen Kosova me Maqedoninë e Veriut, me 17 dhe 12 lojtarë, por që në njëfarë mënyre bëhet fjalë për futbollistë të kombësisë shqiptare. Lista vijon më pas me Nigerinë dhe Kroacinë, që mbyllin pesë “pasaportat” joshqiptare te Kukësi ndër vite, respektivisht me 11 dhe 9 lojtarë. Sa i përket lojtarëve më efikasë në golat e shënuar, kanë qenë kroatët me plot 98 rrjeta, ku sigurisht spikat golashënuesi më i mirë i historisë së klubit, me 68 gola.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"