Vëzhgimi për bilancet financiare/ Superiorja, 7 klube kanë 12 miliardë lekë humbje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2024 | 15:25

Vëzhgimi për bilancet financiare/ Superiorja, 7 klube kanë 12 miliardë lekë humbje

Egnatia është skuadra kampione e Shqipërisë dhe si fituesja e Kupës. Një edicion i Kategorisë Superiore që pa skuadrat e kryeqytetit të dështonin në çdo drejtim. Si Partizani, Tirana, Dinamo, por edhe ekipet e tjera që hodhën para, por në fund të kampionatit duhet të gëzohen me eurot e UEFA-s apo paratë e FSHF-së.

tirana partizani

Dhe të thuash se skuadrat e kryeqytetit, Vllaznia dhe ndonjë tjetër kanë hedhur 1 milion euro në sezon për të bërë një skuadër kompetitive. Tej fjalëve, pak ditë më parë u trumbetua që skema e re e Superiores ishte e suksesshme. Klubet në shumicë e kanë pranuar, por askush nuk flet për shëndetin financiar të ekipeve. “Panorama Sport” ka bërë një hulumtim mbi bilancet e 10 ekipeve të Superiores deri në vitin 2022, pasi bilancet e 2023-it publikohen në gusht. Shtatë prej skuadrave kanë bilance të publikuara, ndërsa Teuta, Erzeni janë shoqata dhe nuk publikojnë të dhënat. Skënderbeu ka vite që nuk publikon bilancet. Dhe nga ky hetim, financat dalin me të kuqe. Nga shtatë klube, gjashtë janë me humbje. Vlera e humbjeve është 12.3 miliardë lekë të vjetër.

BORXHET, KRYESOJNË TË MËDHATË- Tirana, Partizani, Vllaznia dhe Dinamo janë ekipet, të cilat kanë pjesën më të madhe të humbjeve. Ekipet deri në 2021-in kanë mbi 10 miliardë lekë të vjetër humbje të deklaruara. Shto këto edhe 1.5 miliardë lekë të vjetër humbje për 2022-in, situata bëhet serioze. Tirana, Partizani dhe Vllaznia kanë bashkë 10 miliardë lekë humbje. Edhe Egnatia e sapo ndërtuar është me humbje, për të mos folur për Dinamon, Kukësin, që gjithsesi janë me pak munus.

LAÇI, “DELJA E ZEZË”- Ekipi kurbinas ishte skuadra e fundit që fitoi këtë sezon qëndrimin në Superiore. Luajti në “play out”. Gjithsesi, Laçi është skuadra e vetme që në bilancin e tij jetësor është me fitim. Deri në vitin 2022 është 15 milionë lekë të rinj fitim. Kurbinasit janë skuadra më e shëndetshme nga ana financiare. Sezonin e fundit, me fitim kanë dalë edhe Tirana e Egnatia. Gjithsesi, ato vazhdojnë të jenë me humbje. Nga ana tjetër, llogaritjet janë për shtatë ekipe, pasi mungojnë Skënderbeu, Teuta dhe Erzeni. Jo se do të ndryshojë shumë, pasi skuadrat nuk kanë buxhet stratosferik, por shëndeti financiar i Superiores është në pikë të hallit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"