VIDEO/ Mrekulli gjeorgjiane! Kvaratskhelia & Co. mundin Portugalinë dhe kualifikohen në fazën me eliminim direkt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2024 | 22:53

VIDEO/ Mrekulli gjeorgjiane! Kvaratskhelia & Co. mundin Portugalinë dhe kualifikohen në fazën me eliminim direkt

Gjeorgjia ka bërë surprizën më të madhe të këtij Europiani teksa skuadra e cila erdhi nga play-off i Ligës C në Ligën e Kombeve, ka siguruar një fitore historike 2-0 ndaj Portugalisë, duke u kualifikuar në turin tjetër në fazën me eliminim direkt të turneut.

gjeorgjia

Ekipi gjeorgjian, që pakkush e kishte llogaritur si faktor në këtë turne, kaloi shpejt në avantazh me Kvaratskhelian që në minutën e dytë të sfidës dhe pastaj u mbrojt me rregull, duke thumbuar me kundërsulme. Nga një aksion i tillë i shpejtë erdhi penalltia me të cilën Mikautadze dyfishoi shifrat, duke e bërë fakt të kryer fitoren që i siguroi kalimin në turin tjetër që në pjesëmarrjen e parë në një Europian.

GJEORGJI-PORTUGALI 2-0
2′ Kvaratskhelia, 57′ (p) Mikautadze

WhatsApp Image 2024-06-26 at 11.06.37 PM

NGJARJET KRYESORE

90’+5’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-0 të Gjeorgjisë.

90’+4’ Dalot lëshon një predhë nga distanca, Mamardashvili shmang përsëri golin. (VIDEO)

90’+3’ Konseisao nga e majta lëshon një gjuajtje të fortë tokazi, sfera del jashtë. (VIDEO)

90’+1’ Zhoao Feliks pason në zonë për Semedo i cili gjuan para Mamardashvilit, por ky i fundit reagon duke bllokuar topin. (VIDEO)

90′ Jepen 4 minuta shtesë.

85’ Davitashvili ka shansin e artë të rrezikojë portën e Portugalisë, por gjuajtja e tij nga e majta shkon jashtë. (VIDEO)

85’ Mekvabishvili ndëshkohet shpejt me të verdhë për faull ndaj Semedos.

82’ Kvaratskhelia dhe Ccakvetadze lënë fushën e lojës, duke i bërë vend Davitashvili dhe Mekvabishvilit.

76’ Gvelesiani i lë vendin në fushë Kvirkvelias te Gjeorgjia

75’ Zhota dhe Nunjesh marrin vendin e Netos dhe Neves në radhët e Portugalisë.

72’ Kundërsulm i rrufeshëm i gjeorgjianëve me Çakvetadze i cili shfaqet i vetëm në të djathtën, por fluturon sferën mbi traversë me gjuajtjen e tij. (VIDEO)

66’ Ronaldo dhe Antonio Silva lënë fushën e lojës, të zëvendësuar nga Gonçalo Ramos dhe Semedo.

63’ Lokoshvili del nga fusha e lojës i dëmtuar, duke i lënë vendin Tsikiashvilit.

61’ Kvaratskhelia nga e majta hyn në zonë por nuk ia del të shmangë mbrojtësit për të gjuajtur në portë.

60’ Ronaldo proteston pas një tjetër rrëzimi në zonë, por gjyqtari nuk jep penallti.

57’ GOOOL GJEORGJIA! Mikautadze shënon nga pika e bardhë e penalltisë . (VIDEO)

55’ Gjeorgjianët kërkojnë penallti për një faull në zonë të Antonio Silva ndaj Lokoshvili. Gjyqtari lë lojën të vazhdojë, por më pas thirret nga VAR dhe bën shenjë nga pika e bardhë. (VIDEO)

53’ Neves ndëshkohet me karton të verdhë për një faull ndaj Çakvetadze.

50’ Kvaratskhelia ka në këmbët e tij mundësinë të shënojë edhe golin e dytë pas një pasimi nga e djathta, por nuk gjen kontaktin e duhur me topin që shkon lehtë në duart e portierit të Portugalisë. (VIDEO)

47’ Pas një goditje këndi topi shkon te Ronaldo i cili gjuan, por sfera devijohet në këndore përsëri. (VIDEO)

46’ Konseisao hyn me shpejtësi në zonë dhe gjuan nga e djathta, sfera devijohet në këndore.

46’ Pjesa e dytë nis me Ruben Neves në vend të Palinja në fushën e lojës.

45’+2’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e Gjeorgjisë.

45’ Zhoao Feliks tenton nga jashtë zonës, Mamardashvili pret përsëri në pozicion.

44’ Neto ndëshkohet me karton të verdhë nga gjyqtari për simulim.

43’ Aksion i rrëmbyeshëm i portugezëve në të djathtën, topi shkon pastaj te Palinja i cili gjuan nga jashtë zonës por nuk gjen portën. (VIDEO)

36’ Kvaratskhelia ekzekuton goditjen e dënimit, sfera shkon jashtë, jo shumë larg shtyllës. (VIDEO)

35’ Kvaratskhelia driblon tre lojtarë në kundërsulm, Dalot detyrohet të bëjë faull dhe ndëshkohet me të verdhë. (VIDEO)

35’ Ronaldo hyn në zonë në të majtën, gjuajtja e tij devijohet nga mbrojtësit gjeorgjianë në këndore.

30’ Zhoao Feliks i afrohet barazimit teksa lëshon një gjuajtje të fortë me të majtën, me sferën që shkon jashtë. (VIDEO)

29’ Ronaldo ndëshkohet me të verdhë për protesta pasi kërkonte penallti.

28’ Harkim nga e majta e sulmit portugez, Mamardashvili grushton por sfera shkon te Neto i cili lëshon një predhë që ndalet në rrjetën e jashtme.  (VIDEO)

23’ Palinja gjuan nga distanca, Mamardashvili është në pozicion dhe kontrollon. (VIDEO)

21’ Një harkim nga e djathta gjen Antonio Silva në shtyllën e dytë duke çuar sferën jashtë, teksa bllokoi Ronaldon të gjuante drejt portës.

18’ Neto nga e majta harkon në zonë ku Dalot gjuan me kokë, pa gjetur portën.

17’ Ronaldo ekzekuton një goditje dënimi ballore, portieri Mamardashvili grushton sferën. (VIDEO)

11’ Tjetër kundërsulm i shpejtë i gjeorgjianëve, por këtë radhë asnjë prej tyre nuk ia del të gjuajë drejt portës së Kosta.

7’ Portugezët kthehen të kontrollojnë qarkullimin e topit plotësisht por nuk gjejnë hapësira falë ngjeshjes në prapavijë të gjeorgjianëve që tashmë duan të mbrojnë këtë avantazh.

2’ GOOOL GJEORGJIA! Portugezët humbin topin në mesfushë dhe gjeorgjianët nisin kundërsulm me Kvaratskhelian i cili gjuan me një diagonale dhe çon sferën në rrjetë. (VIDEO)

1’ Nis dueli.

FORMACIONET ZYRTARE

GJEORGJIA (5-3-2): Mamardashvili; Dvali, Lokoshvili, Kashia, Gvalesiani, Kakabadze; Kiteishvili, Koçorashvili, Çakvetadze; Kvaratskhelia, Mikautadze | Trajner: Uilli Sagnor

PORTUGALIA (4-3-3): Kosta; Dalot, Perreira, Silva, Inacio; Neto, Palinja, Neves; Koinsesao, Ronaldo, Feliks | Trajner: Roberto Martinez

Capture

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"