VIDEO / Sërish thatësirë në Shkodër, Vllaznia – Tirana ndahen në paqe
Mbyllet pa fitues klasikla numër 175 e futbollit shqiptar mes Vllaznisë dhe Tiranës. Në “Loro Boriçi”, vendasit dhe bardheblutë u ndanë në një barazim pa gola në javën e 18-të, që i jep fund gjysmës së parë të Kategorisë Superiore.
Pjesa e parë ishte me raste nga të dyja skuadrat, por Krymi për Vllazninë dhe Halili i Tiranës nuk mundën të konkretizonin mundësitë e krijuara.
Pas pushimit loja ishte më e zbehtë dhe të dy ekipet ndajnë nga një pikë.
Tirana e mbyll pjesën e parë të kampionatit në vendin e katërt me 27 pikë, kurse Vllaznia dy shkallë më poshtë, në kuotën 22.
Minutë pas minute
90+4′ Mbyllet me rrjeta të paprekura, Vllaznia dhe Tirana ndajnë nga një pikë.
90+3′ Erando Karabeci ndërhyn me takat lart ndaj Bardullës dhe ndëshkohet me karton të verdhë.
88′ Ede ka një shans të mirë për të ndëshkuar Vllazninë. Pasi sheh portën e lënë bosh nga Agoviç në dalje, sulmuesi i Tiranës gjuan menjëherë nga hyrja e zonës, por e djathta e tij është krejtësisht e pasaktë.
84′ Vllaznia shpërdoron mundësinë më të mirë në pjesën e dytë. Ditmar Bicaj fiton duelin me portierin Lika pas një krosim nga këndi, por gjuajtja me kokë e mbrojtësit të Vllaznisë shkon pak sipër traut të kuadratit bardheblu.
82′ Edhe Cungu e mbyll me ndërrimet. Erald Çinari merr vendin e Arsid Krujës.
77′ Muzaka nuk mund të vazhdojë dot më pas dëmtimit të pësuar nga “përqafimi” i Pjeshkës. Mesfushori i Tiranës i lë vendin Ansi Nikës dhe futet menjëherë në dhomën e zhveshjes.
72′ Ky është momenti më i bukur në pjesën e dytë. Pjeshka dhe Muzaka gjenden përballë njëri-tjetrit në mesfushë dhe mbrojtëi i Vllaznisë e mbërthen kundërshtarin duke e rrëzuar përtokë. Muzaka mbetet i dëmtuar, por rikthehet në lojë pasi merr ndihmën e mjekëve.
68′ Edhe Mirel Josa bën lëvizjen e tij, duke hedhur në fushë Ede në vend të Halilit. Të dy trajnerët kërkojnë fitoren.
68′ Zëvendësimi i dytë te Vllaznia. Rubin Hebaj merr vendin e Brunild Pepës.
56′ Grent Halili pëson një ndërhyrje nga Bicaj pranë vijës fundore dhe pas rrëzimit dëmtohet në fytyrë. Megjithatë, pas ndihmës së mjekëve, sulmuesi i Tiranës rikthehet në lojë.
53′ Kombinim i bukur mes Halilit dhe Muzakës, por aty ndërhyn menjëherë Cicmil i cili devijon topin në goditje këndi.
47′ Tifozët e Tiranës hedhin tymuese në fushë dhe detyrojnë arbitrin të ndërpresë lojën. Gjyqtari Beqiri thërret dy kapitenët, Shtubina dhe Karabeci, të cilët u kërkojnë mbështetësve të tyre të sillen në mënyrë korrekte.
46′ Gjysma e dytë e lojës nis me një zëvendësim te Tirana. Gjergji Muzaka futet në vend të Erion Vucajt. Muzaka zë vendin e Takut në të djathtë të sulmit, kurse ky i fundit tërhiqet në mesfushë.
Pjesa e parë
45+1′ Mbyllet me rrjeta të paprekura gjysma e parë e lojës.
37′ Moise provon nga distanca, asnjë problem për portierin Agoviç.
35′ Afrim Taku përpiqet të futet në zonë mes disa mbrojtësve kuqeblu, por pengohet nga Denis Pjeshka. Mesfushori i Tiranës kërkon penallti, mirëo nuk është i këtij mendimi gjyqtari Beqiri, i cili bën shenjë që loja duhet të vazhdojë.
25′ Vllaznia ka rastin më të mirë për të realizuar, mirëpo shkodranët nuk dinë të shfrytëzojnë mundësinë e krijuar.
22′ Tirana ka një mundësi tjetër. Një top i hedhur në zonë përshkon gjithë pasqyrën e portës shkodrane, por bardheblutë nuk përfitojnë dot.
15’ Alsidi Tafili pëson një tërheqje muskulore dhe nuk mund të vazhdojë dot lojën. Vendin e tij e merr Stefan Cicmil, i cili vendoset në qendër të mbrojtjes duke zënë vendin e Vrapit. Ky i fundit zhvendoset në mesfushë si shkatërrues, në vend të Tafilit.
10’ Moment i vështirë në portën e Vllaznisë, por Jasmin Agoviç del dhe zgjidh situatën para se bardheblutë të përfitonin.
2′-9′ Skuadrat studiojnë njëra-tjetrën, pa raste serioze në portat përkatëse.
1′ Vërshëllima e gjyqtarit i jep udhë takimit. Vendasit e luajnë topin e parë nga mesi i fushës.
Vllaznia 0 – 0 Tirana
Vllaznia (4-2-3-1): Agoviç; Gocaj, Bicaj, Vrapi, Pjeshka; Krymi, Tafili (Cicmil 15′); Kruja (Çinari 82′), Bardulla, Shtubina; Pepa (Hebaj 68′).
Trajner: Armando Cungu
Tirana (4-3-3): Lika; Daja, Teqja, Domgjoni, Hoxhallari; Vucaj (Muzaka 46′) (Nika 77′), Karabeci, Mervej; Taku, Halili (Ede 68′), Moise.
Trajner: Mirel Josa
Gjyqtar: Ardjan Beqiri
KV: Karabeci
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"