Firmat e para te Tirana; Morina, Karabeci dhe Ervin Bulku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2014 | 12:05

Firmat e para te Tirana; Morina, Karabeci dhe Ervin Bulku

Karabeci dhe Morina ne jahtVijnë firmat e para te Tirana. Bardheblutë kanë blinduar tre futbollistë, të cilët vetëm dje kanë nënshkruar kontrata me klubin. Tashmë është zyrtare, Erando Karabeci dhe Mario Morina rinovojnë kontrata e tyre, dhe për dy vitet e ardhshme do të jenë pjesë e bardhebluve. Por, veç mesfushorit dhe sulmuesit, më në fund ka ardhur edhe firma e Ervin Bulkut. Lojtari i Kombëtares shqiptare do të veshë për dy vite fanellën e 24 herë kampionëve të vendit. Nga këtu nis riformatimi i skuadrës së drejtuar nga Gugash Magani për sezonin e ardhshëm futbollistik. Janë përfolur shumë, teksa edhe ofertat në drejtim të tyre kanë qenë të shumta, por nga dje ata janë zyrtarisht lojtarë të Tiranës.
Karabeci Erando Karabeci ishte një ndër emrat më të përfolur të merkatos. Gjithkush e donte, por Tirana e blindoi. Kërkohej me ngulm nga Partizani. Madje këta të fundit bënë çmos që ta bindnin që të rivishej i kuq. I ofruan një shumë të majme financiare, por edhe shiritin e kapitenit, duke sfiduar kështu hapur rivalët e tyre bardheblu. Jo vetëm kaq, pasi edhe Kukësi e donte këtë futbollist, megjithatë bardheblutë u kanë mbyllur çdo lloj dritare kundërshtarëve. Kapiteni i ka qëndruar besnik fanellës së Tiranës. Në fakt, akordi në parim kishte ditë që kishte ardhur, por tashmë që është hedhur edhe “e zeza mbi të bardhë”, në kampin kryeqytetas gjejnë qetësinë. Në kushte të tilla, mesfushori mbetet i bardhebluve minimalisht për dy sezonet e ardhshme, duke qenë kështu një garanci më tepër për mesfushën.
Morina Një tjetër prioritet i Tiranës ishte edhe Mario Morina. Sulmuesi, i cili zhvilloi një ndër sezonet më të mira në planin personal, do të jetë pjesë e familjes bardheblu për dy vitet e ardhshme. Tashmë nuk ka më dyshime, pasi 21-vjeçari ka nënshkruar kontratën një ditë më parë, duke mbyllur kështu çdo lloj zëri për ndonjë firo të mundshme. Me të në vijën e parë dhe me shpresën që Gilberto të rikthehet, kryeqytetasit do të kenë më shumë siguri në ofensivë. Lojtari e pat deklaruar edhe më herët se Tirana mbetej zgjedhja e tij, gjithnjë nëse do t’i plotësohej kushti për të ndërtuar një ekip për titull. E në fakt ky është plani i drejtuesve, që kryeqytetasit të shpallen kampion në sezonin e ri, ndaj edhe talenti i vitit 2014 dje ka firmosur zyrtarisht.
Bulku Ai është blerja e parë e merkatos. Ervin Bulku, ashtu si dy lojtarët e tjerë, për dy vite do të vishet bardheblu. Ajo që është diskutuar prej javësh, tashmë është bërë zyrtare. Mesfushori do t’i bashkohet nga 1 korriku ekipit në stërvitje, kohë kur starton edhe faza përgatitore e skuadrës së tij të re. Lojtari i përfaqësues kuqezi rikthehet në shtëpi pas një shkëputjeje prej 7 vitesh, ku ka luajtur me skuadra të njohura si Krivbas, Hajduku i Slitit, AZAL-i dhe Sepahani. Përtej kërkesave të shumta që ka pasur si brenda dhe jashtë vendit, 33-vjeçari ka pranuar ofertën e drejtuesve bardheblu, dhe për sezonin e ri ai do të jetë nën urdhrat e trajnerit Magani, duke qenë kështu një armë plus për formacionin e kryeqytetasve.

“Blindohet” porta, Tirana merr Frashërin
Tirana “blindon” portën. Stivi Frashëri do të jetë pjesë e bardhebluve për sezonin e ri. Marrëveshja është arritur tashmë dhe e vetmja gjë që ka mbetur është vetëm firma. Sapo të vijë në kryeqytet, portieri do të ulet sërish me donatorët, por këtë herë për të nënshkruar një kontratë për dy vite. Në fakt portieri ka ditë që përflitet në merkaton e 24 herë kampionëve, teksa jo vetëm nga stafi teknik, por edhe nga drejtuesit konsiderohet si zëvendësuesi ideal i Ilion Likës (i larguar tashmë drejt Flamurtarit të Vlorës). Një gjë të tillë e pranon për “Panorama Sport” vetë gardiani, i cili thotë: “Po, është e vërtetë, kam mbyllur gjithçka me Tiranën. Tashmë ka mbetur vetëm firma, por është çështje formaliteti. Sapo të jem në kryeqytet, do të mbyllet edhe kjo procedurë”. Në planet e Tiranës ishte edhe Isli Hidi, por fakti që ai ka një kontratë me Apolon Limasolin, ka krijuar pengesë në transferimin e tij.

Ndikumana dhe Kahata konfirmojnë rikthimin
Lista me 25 lojtarët që do të përbëjnë skuadrën për sezonin 2014- 2015 është gati. Përtej rinovimeve dhe afrimeve, Tirana është më e qetë sa u përket dy afrikanëve. Francis Kahata dhe Selemani Ndikumana kanë konfirmuar rikthimin, duke dhënë kështu garancinë që me rifillimin e përgatitjeve do të jenë në Shqipëri. Mesfushori kenian për të rinovuar marrëveshjen (duke qenë se ka arritur në parim një akord për 2 sezonet e ardhshme), ndërsa sulmuesi nga Burundi për të zbatuar kontratën e firmosur në janar. Më 1 korrik ata do të vihen sërish nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani. Në fakt, për Kahatën ka pasur edhe oferta tunduese, por fillimisht ai do të vijë në kryeqytet që të flasë me donatorët dhe më pas do të vendosë. Kujtojmë që për mesfushorin, i cili mbylli sezonin me Tiranën, ka pasur interesim nga FC Leopard. 

Morina LulFirmat në jaht, donatori konfirmon lojtarët nga Budva
Julian Morina konfirmon nga Mali i Zi blerjet e para të Tiranës. Atje ku dje ka kaluar një ditë pushimi në plazhet e Budvas me Mario Morinën e Erando Karabecin. Ka qenë jahti një mënyrë krejt e veçantë dhe luksoze për të festuar edhe firmat e para të bardhebluve. Donatori, gjatë një bisede telefonike me “Panorama Sport”, zbuloi se po dje janë nënshkruar kontratat me tre futbollistë dhe shumë shpejt pritet që ata të prezantohen zyrtarisht para mediave. “Ka zhvillime më shumë se pozitive. Sot (dje) mbyllëm kontratat me Morinën dhe Karabecin. Ata do të jenë të Tiranës për dy vitet e ardhshme. Por jo vetëm kaq, pasi ka firmosur po për kaq vite edhe Bulku. Emrat priteshin, pasi janë përfolur prej shumë kohësh dhe kanë qenë prioriteti ynë. Por tashmë janë zyrtarë. Ka nisur pikërisht nga këta futbollistë ndërtimi i skuadrës për sezonin 2014- 2015. Të tjera zhvillime prisni në vazhdim”, tha Morina.
Pushimet – Më tej ai tregoi se dje ishte me dy lojtarët Morina e Karabeci në Mal të Zi, për të festuar në mes të detit edhe firmat e nënshkruara. “Sot (dje) jam në Budva, bashkë me Marion dhe Erandon. Pasi rinovuan, erdhëm të festojmë”, sqaroi njëri prej sponsorëve bardheblu, i cili bashkë me homologun e tij, Refik Halili, po bëjnë të pamundurën për të ndërtuar një skuadër dinjitoze për sezonin e ri, pse jo për të fituar titull.
Plani – Në fakt ky është objektivi kryesor, të jenë kampionët e sezonit të ri. “Ky është vetëm fillimi, pasi të tjerë lojtarë do konfirmohen dhe të tjerë do afrohen. Pritet edhe një futbollist afrikan, megjithatë me menaxherin po merret vetë Halili. Ajo që vlen të përmendet lidhet me planin tonë, që është ndërtimi i një skuadre dinjitoze për kampionatin tjetër. Do jemi shumë herë më mirë se sezoni i fundit”, përfundoi Julian Morina.

Ja si ndryshojnë bardheblutë
Pas zyrtarizimeve të para në merkato, pritet që Tirana të pësojë ndryshime në formacion. Megjithatë ka ende emra që priten të konfirmohen, duke filluar nga porta e për të kaluar në sulm. Nëse planet e bardhebluve shkojnë sipas parashikimeve, atëherë formacioni i kryeqytetasve pritet që të pësojë ndryshime të mëdha. Me largimin e Likës, ka dilema për portën. Janë dy variante deri më tani për katërkëndorin, konkretisht Stivi Frashësi dhe Isli Hidi. I pari preferohet nga bardheblutë, madje me të ka edhe akord në parim. Lojtari është gati të nënshkruajë, megjithatë pret fillimisht se çfarë do të ndodhë me privatizimin. Në krahët e mbrojtjes priten dy kosovarët Fejzullahu e Kuka, të cilët faktikisht nuk janë të konfirmuar, por gjithsesi mbeten alternativa të rëndësishme. Sakaq, qendra me gjasa nuk do të ndryshojë, duke iu besuar Muçës dhe Vrapit (i pari ka kontratë, ndërsa i dyti pritet të rinovojë). Para defensivës, Malaj (i cili është pranë firmës) e Bulku, dhe disi më i avancuar Karabeci. Në krahët e mesfushës llogariten Ndikumana e Morina, të dy tashmë janë nën kontratë me kryeqytetasit, ndërsa në sulm mbetet Gilberto. Megjithatë, edhe braziliani fillimisht duhet të konfirmohet, pasi marrëveshja që nënshkroi më 3 janar i ka skaduar në fund të muajit maj.

Në pritje të Gilbertos, por alternativat nuk mungojnë
Tirana po pret Gilberto Fortunaton. Sulmuesi ka lëshuar sinjale të forta “dashurie” karshi bardhebluve dhe duket se rinovimi nuk do të vonojë. Brenda kësaj jave mund të konfirmojë rikthimin, megjithatë në kampin bardheblu po punojnë për alternativa të tjera, pasi duan që t’i paraprijnë të keqes. Tregu afrikan ka sjellë disa alternativa për vijën e parë dhe stafi teknik po studion çdo pistë. Megjithatë, braziliani mbetet dëshira e madhe e kryeqytetasve, pasi më në sulm ndiejnë më shumë siguri. Ai me gjasa do të qëndrojë te kuota që iu ofrua prej donatorëve, nga e cila do të përfitojë 7500 euro në muaj. Një gjë të tillë e pranon edhe menaxheri i lojtarit, i cili shton kështu kreditet e Tiranës për të pasur edhe për një vit minimalisht shërbimet e sulmuesit 27-vjeçar. Megjithatë, për të parë se çfarë do të ndodhë konkretisht, priten ditët në vazhdim. Nga sa ka premtuar vetë braziliani, para të dielës ai do të vendosë një herë e mirë për të ardhmen e tij.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"