Vinisius bëhet çështje shtetërore, kryetari i Rios shpërthen ndaj presidentit të La Ligas: Je një bir k**ve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2023 | 11:50

Vinisius bëhet çështje shtetërore, kryetari i Rios shpërthen ndaj presidentit të La Ligas: Je një bir k**ve

Vinisius është kthyer në një çështje shtetërore në Brazil dhe në Spanjë. Jo më larg se të dielën, sulmuesi brazilian i Realit të Madridit ka rënë sërish pre e thirrjeve, gjesteve e ofendimeve me natyrë racore në takimin që Reali humbi në Valencia (1-0).

vinicius tebas

Sulmuesi është abuzuar nga tifozët vendës përgjatë gjithë takimit, teksa në një moment ai i ka kërkuar trajnerit Karlo Ançeloti të lërë fushën e lojës. Ka qenë ndërhyrja e vetë teknikut italian që e ka kthyer sërish në fushë lojtarin, i cili më pas është ndëshkuar me karton të kuq për një sherr tjetër që nuk kishte të bënte me episodin e shëmtuar. Ndërkaq, mediat spanjolle kanë raportuar se falë sistemit të kamerave të sigurisë është bërë e mundur të identifikohet personi që mendohet se është përgjegjës për ngjarjen.

SULMET NGA BRAZILI – Reagimet nga Brazili kanë qenë të shumta për rastin në fjalë. Presidenti Lula, qeveria braziliane dhe kryetari i Bashkisë së Rios i kanë dalë në krah Viniciusit, ndërsa kanë akuzuar spanjollët si racistë. Ministria e Barazisë Racore e Brazilit njoftoi në rrjetet sociale këtë të diel se do të kontaktojë autoritetet spanjolle dhe La Ligën për sulmet e reja raciste të pësuara nga futbollisti. “Çdo sportist brazilian me ngjyrë është i lirë të ushtrojë sportin e tij pa përjetuar asnjë formë abuzimi. Hedhim poshtë me neveri këtë sulm ndaj Vinit”, tha ministria. Shumë më i ashpër ka qenë kryetari i bashkisë së Rio de Zhaneiros, Eduardo Paesh, që ka sulmuar ashpër presidentin e La Ligës, Havier Tebas. “Shko pirdhu, legen, maskara. Tebas është një bir… Si mund ta akuzosh viktimën idiot? Je vetëm një racist i ndyrë”, ka qenë reagimi i numrit një të Rios.

POLITIKA SPANJOLLE – Për ngjarjen ka reaguar dhe politika në Spanjë. Ministri i Jashtëm spanjoll, Hoze Manuel Albares, shprehu mendimin e tij për gjithçka që lidhet me Viniciusin dhe situatën në “Mestalla”. “Shoqëria spanjolle është një shoqëri kryesisht tolerante. Është një shoqëri që refuzon qartë racizmin. Dhe natyrisht nga ana e qeverisë së Spanjës nuk do të ketë asnjë dyshim apo mbulim për ndonjë qëndrim racizmi, intolerance apo refuzimi të pluralizmit”. Edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sançez, ka reaguar për ngjarjen. “Tolerancë zero për racizmin në futboll. Sporti bazohet në vlerat e tolerancës dhe respektit. Urrejtja dhe ksenofobia nuk duhet të kenë vend në futbollin tonë apo në shoqërinë tonë”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"