Vjen Dajsinani, ja batutat e Mazrekajt në stërvitje me shokët
Marjo Dajsinani është përforcimi i radhës i Partizanit në merkaton e janarit. Portieri 17-vjeçar i është bashkuar dje ekipit, ku ka kryer edhe seancën e parë përgatitore si portier i të kuqve të kryeqytetit.Talenti kavajas shikohet si një përforcim i perspektivës, megjithëse portieri e ka afirmuar veten në dy sezonet e fundit me Besën, si dhe kombëtaret e moshave. Me daljen e djeshme në stërvitje të portierit është konfirmuar fitimi i derbit të radhës nga Partizani në merkato, pasi për afrimin e Dajsinanit edhe Tirana ishte e interesuar.
Kavajasi dje është vënë nën urdhrat e trajnerit të portierëve Mario Kapeçe. 17-vjeçari e ka shfaqur talentin e tij që në seancën e parë, ku nuk kanë munguar edhe fjalët motivuese për Dajsinanin nga trajnerët Agostineli dhe Kapeçe. Falë moshës së re, Partizani mund ta përdorë Dajsinanin në të gjitha ekipet, duke filluar nga U-19, Partizani B dhe ekipi i parë.
Batuta në stërvitje- Pas miqësores me Apoloninë, dje të kuqtë kanë vijuar programin stërvitor për ndeshjen e nesërme me Laçin, takim i vlefshëm për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Momentalisht, ekipi gëzon formë të mirë, pasi me grupin dje është bashkuar plotësisht edhe sulmuesi Stevan Raçiç.
Ashtu si në seancat e mëparshme, edhe dje theksi i stërvitjes ka qenë i karakterit tekniko-taktik, pasi në këtë aspekt i ka mëshuar trajneri italian që nga marrja në dorë e frenave të Partizanit. Lojtarët shikohen të motivuar dhe në harmoni të plotë, dhe të gjithë mundohen që t’i zbatojnë sa më mirë udhëzimet e Agostinelit.
Duke ditur se trajneri i jep direktivat në italisht, përcjellja e ushtrimeve merret pak me vonesë nga lojtarët, pasi shpjegimi duhet të kalojë në disa duar. Kjo vonesë transmetimi u pa edhe gjatë seancës së djeshme, ku Mentor Mazrekaj preferoi të lëshojë batuta karshi shokëve të ekipit.
“Bëjeni më mirë ushtrimin, që të mos krijojë idenë (trajneri) se qenkan amatorë”, iu drejtua dje Mazrekaj shokëve të ekipit. Kosovari dje dukej në humor të mirë, pasi me batuta ka vijuar edhe në momente të tjera. Në një moment, Mazrekaj u mundua të finalizonte një aksion me finte, por nuk ia arriti. Shokëve që i tërhoqën vëmendjen, ai iu përgjigj: “Thashë ta bëj edhe unë një herë si brazilianët”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"