Vlerësimi/ Asllani shkëlqen ndaj Napolit, statistika të frikshme nga mesfushori i Kombëtares
Interi u mund nga Napoli me rezultatin 3-1 në “Maradona”, teksa në sy ra paraqitja shumë e mirë e Kristjan Asllanit. Mesfushori shqiptar e nisi titullar ndeshjen ndaj Napolit duke qenë edhe një nga më të dalluarit në fushë.
Mediat italiane e kanë vlerësuar maksimalisht mesfushorin. “Asllani nuk zhgënjen”, shkruajnë në vlerësimin për 21-vjeçarin që hapësirat në skuadër i ka pasur me pikatore këtë sezon. Vlerësimet për Asllanin janë bërë në bazë të statistikave dhe saktësia e tij, është e frikshme.
Në 45 pasime që Asllani ka provuar, 42 prej tyre kanë qenë pasime të sakta. Ai ishte futbollisti i dytë me më shumë prekje të topit pas D’Ambrosios. Plot 56 herë e ka prekur topin futbollisti shqiptar që nga këmbët e tij kanë ardhur edhe shumë organizime të lojës së Interit. Nga 42 pasimet e sakta që Asllani ka dhënë, plot 14 prej tyre ishin në drejtim të sulmit.
Ndërkohë, mesfushori shqiptar ishte edhe futbollisti që ka rikuperuar më shumë topa se të gjithë. 6 topa të rikuperuar në 90 minuta, e bëjnë Asllanin që të jetë një nga më të dalluarit në fushë në një ndeshje ku skuadra e tij humbet dhe loja e skuadrës lë shumë për të dëshiruar.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"