Vllaznia, ankthi vjen nga sulmi. Begaj dhe Shtubina janë pranë firmës kuqeblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2012 | 14:01

Vllaznia, ankthi vjen nga sulmi. Begaj dhe Shtubina janë pranë firmës kuqeblu

Te Vllaznia, ndryshe nga repartet e tjera ku lakohen shumë emra si të mundshëm për të veshur fanellën e këtij ekipi, në sulm nuk ka asgjë konkrete. Deri më tani është folur shumë për një rikthim të Bekim Balës, apo edhe për ndonjë shpenzim të tepërt sa i përket Pejo Pejiçit, por asnjë nga këto emra nuk duket se është afër kuqebluve. Reparti më deficitar në pjesën e dytë të sezonit të shkuar, pas largimeve të dyshes sulmuese Sukaj dhe Vajushi, duket se do të përsëri probleme në kompletimin e tij. Bala, një nga shkodranët e shumëpërfolur për t’u veshur kuqeblu që në merkaton e janarit, duket se është ende larg një kalimi në sezonin pranë Vllaznisë. Ai është pjesë e Tiranës deri në muajin janar të vitit të ardhshëm dhe, për rrjedhojë, nuk mund të lëvizë. Një shpresë për kuqeblutë duket se është kroati i ekipit të Flamurtarit, Pero Pejiç. Megjithatë, drejtuesit e klubit shkodran për një afrim të tillë u duhet të bëjnë një sakrificë financiare. Duke parë vështirësitë për afrimin e elementëve cilësorë, të paktën ata që kërkohen nga Vllaznia, duket se shkodranët do të kenë probleme sërish në repartin ofensiv. Ndoshta, drejtuesit e klubit për përforcimin e sulmit do të operojnë edhe jashtë kampionatit shqiptar, vetëm e vetëm që skuadra të jetë e kompletuar dhe të mos i mungojë njeriu gol.
Grima – Drejtori sportiv i Vllaznisë, Armir Grima, në faqen zyrtare të klubit sa i përket merkatos është shprehur se po punohet çdo ditë për plotësimin e boshllëqeve në skuadër. “Është një grup pune që po merret me hulumtimin e futbollistëve që mendojmë se i duhen Vllaznisë për sezonin e ri. Çdo gjë bëhet në konsultim me trajnerin Shpëtim Duro dhe natyrisht me administratorin Kujtim Shaba. Ne kemi ndërtuar një strategji, duke përcaktuar edhe prioritetet tona”. Më tej, Grima është shprehur në lidhje me mbrojtësin Begaj, por edhe Shtubinën, teksa pohon se është shumë pranë firmës. “Deri më tani nuk ka asnjë kontratë të firmosur me asnjë lojtar, me përjashtim të kontratave që janë nënshkruar para përfundimit të sezonit. Ndërsa konfirmoj se është pranë firmosjes me Vllazninë mbrojtësi Begaj. Me lojtarin është arritur marrëveshja dhe shumë shpejt do të hidhet firma mbi kontratë, ku do të bëhet dhe prezantimi i tij zyrtar te Vllaznia. Gjithashtu, kemi biseduar me Shtubinën dhe jemi pranë arritjes së marrëveshjes për rikthimin e tij. Mund të nevojitet edhe një takim tjetër për formalitet e kontratës dhe mund të arrihet te firmosja mes palëve”.
ADMIR URUCI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"