Vllaznia e bën “sefte”, firmos Endri Vrapi
Vllaznia bën goditjet e para në merkaton e dimrit. Endri Vrapi është zyrtarisht futbollist i skuadrës shkodrane. Me këtë afrim ekipi i Cungut përforcon repartin difensiv, duke ditur edhe përvojën e madhe që ka 34-vjeçari.
Pas disa ditësh në tratativa intensive me ish-lojtarin e Partizanit dhe të përfaqësueses kombëtare, vetëm dje klubi ka arritur akordin final me mbrojtësin tiranas dhe, deri në mbyllje të këtij sezoni, ai do të jetë pjesë e kuqebluve. Lojtari pritet që sot të marrë rrugën drejt Ulqinit dhe përfundimisht do të vihet nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu.
Arritjen e marrëveshjes e konfirmon edhe vetë Vrapi për “Panorama Sport”. “Po, është e vërtetë që kemi arritur marrëveshjen finale dhe për pjesën e mbetur të këtij sezoni do të jem lojtar i Vllaznisë. U binda, pasi kjo ishte edhe oferta më konkrete. Kam bërë zgjedhjen e duhur, shpresoj që bashkë me pjesën tjetër të grupit të bëjmë më të mirën për ta ringritur Vllazninë.
Por dua t’i falënderoj për gjithçka tifozët, lojtarët e presidentin e Partizanit! U largova nga një klub me një histori të madhe dhe nesër (sot) shkruaj emrin në një tjetër klub të madh”, këto ishin fjalët e para të mbrojtësit si lojtar i kuqebluve, fill pas zyrtarizimit të akordit.
Pasi shpalli “divorcin” me Partizanin, në drejtim të mbrojtësit shfaqën interes disa skuadra të elitës, ndër të cilat Flamurtari, Bylisi dhe Vllaznia. Në fund, mbrojtësi zgjodhi që karrierën e tij ta vijojë në Shkodër. Tafili – Klubi, pasi ka “blinduar” Endri Vrapin, po insiston për një tjetër futbollist të Partizanit. Vllaznia tenton që të rikthejë në ekip Alsid Tafilin.
Por, nëse me qendërmbrojtësin situata ishte disi më e thjeshtë (pasi ishte zyrtarisht i lirë), e njëjta gjë nuk mund të thuhet për shkodranin.
Mesfushori është në listën e preferencave të trajnerit të sapoemëruar, Armando Cungu. Por, fakti që ai është nën kontratë me klubin e kuq e komplikon ndjeshëm mbylljen me sukses të këtij “operacioni”.
E, megjithatë, fjala e fundit u takon pikërisht drejtuesve të Partizanit. Do të jenë ata që do të marrin vendimin zyrtar nëse Tafili mund t’i bashkohet Vllaznisë.
ADMIR URUÇI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"