Vllaznia e Duros do dhe kroatin Bratiç, portieri Vujadinoviç është i paprekshëm
Drejtuesit e klubit të Vllaznisë janë të vendosur për të ndërtuar një ekip pretendent sezonin e ri futbollistik. Pas vendosjes në krye të pankinës shkodrane të trajnerit Shpëtim Duro, në qarkullim kanë dalë shumë emra lojtarësh si të mundshëm për t’u afruar te kjo skuadër. Dihet që çdo trajner ka preferencat e tij dhe sigurisht do të bënte të pamundurën për të marrë në skuadër lojtarët që dëshiron për të ndërtuar një skuadër kompetitive. Kështu mësohet se Shpëtim Duro ka në planet e tij mesfushorin kroat, i cili ka luajtur me Skënderbeun, Davor Bratiçin. Ky i fundit njihet për vlerat e tij, ndaj edhe është në preferencat e teknikut për të pasur shërbimet e tij në edicionin e ardhshëm. Ajo që nuk bëhet e ditur, është fakti se kur do të nisin bisedimet mes palëve. Mesfushori kroat është një ndër piketimet më madhore që mund të kenë shkodranët për momentin, por që ende nuk dihet në qoftë se do të realizohet apo jo. Kjo pasi do të jetë lojtari ai që do ta thotë fjalën e fundit, pavarësisht dëshirës apo insistimit të klubit shkodran. Pavarësisht rregullores së re që do të bëjë zbritjen e numrit të të huajve që lejohen të luajnë njëkohësisht në një ndeshje, Vllaznia nuk do ta ketë shumë problem, pasi për momentin është vetëm portieri Miroslav Vujadinoviç. E në këtë drejtim çdo gjë është e zgjidhur. Mbetet vetëm për të sqaruar mbështetjen financiare që do të ketë trajneri Duro për të realizuar blerjet e duhura.
Merkato – Nga burime pranë kampit shkodran mësohet se drejtuesit e klubit në bashkëpunim me trajnerin kanë vendosur dhe piketimet e para, me të cilët do të dëshirojnë të hyjnë në bisedime. Pavarësisht se emrat nuk bëhen të ditur, mësohet se lojtarët do të jenë ndër më të mirët e kampionatit shqiptar, por jo vetëm. Kundrejt mbajtjes “sekret” të shumë emrave dhe lojtarëve të piketuar, një gjë është e sigurt, se drejtuesit e klubit shkodran do të kërkojnë që të ndërtojnë një Vllazni pretendente për sezonin e ardhshëm futbollistik. Gjithashtu, mësohet se trajneri Duro dhe Armir Grima kanë gati dhe listën e lojtarëve, me të cilët do të dëshirojnë të nënshkruajnë kontratat. Megjithatë, çdo gjë do të qartësohet vetëm pasi Duro të mbërrijë në Shkodër, për të startuar zyrtarisht punën në krye të shkodranëve. Ndërkaq, peng për zhvillimet e mëtejshme te kuqeblutë është duke mbajtur prezantimi i trajnerit nga ana e presidentit Luka. Kryetari i Bashkisë Shkodër ende nuk ka gjetur kohën e duhur që të presë në zyrën e tij, Shpëtim Duron, për të firmosur kontratën, e të bëjë kështu prezantimin e shumëpritur. Gjithsesi, kjo çështje pritet të marrë fund brenda kësaj jave për t’i hapur më pas rrugë ndërtimit të një skuadre pretendente.
“Këshilli i trajnerëve” nis formatimin e akademisë
“Këshilli i trajnerëve” të Vllaznisë ka zhvilluar mbledhjen e zakonshme të radhës. Anëtarët e këtij këshilli kanë marrë në shqyrtim rregulloren e funksionimit të këtij organizmi, me të cilën kanë qenë të gjithë dakord. Rregullorja e funksionimit te brendshëm do të marrë miratimin përfundimtar nga këshilli mbikëqyrës dhe presidenti i Vllaznisë, Lorenc Luka. Ndërkohë që një pikë tjetër e diskutuar më shumë seriozitet dhe përgjegjësi nga këshilli i trajnerëve ishte edhe formatimi i akademisë “Vllaznia”. Ky proces është shumë i rëndësishëm, pasi më 31 maj 2012 u skadojnë kontratat të gjithë trajnerëve aktualë. Anëtarët e këshillit të trajnerëve kanë marrë në analizë të gjitha aspektet e aktivitetit të akademisë “Vllaznia”, duke evidentuar edhe jo pak probleme. Ndërkohë që në mbledhjen e ardhshme është lënë të diskutohet më në detaje për ecurinë e akademisë dhe vetëm pas kësaj analize do të ketë vendimmarrje në lidhje me emërimin e trajnerëve dhe ndihmëstrajnerëve, që do të udhëheqin ekipet për sezonin 2012-2013.
“Vujadinoviç, i paprekshëm”
“Portieri Miroslav Vujadinovic është pjesë e Vllaznisë dhe sezonin e ri”. Kështu është shprehur drejtori sportiv, Armir Grima. Madje, ai ka kujtuar dhe momentin e rinovimit të kontratës, për të parë më qartë se çfarë synon në të vërtetë Vllaznia me portierin malazez. “Klubi ia rinovoi kontratën Vujadinoviçit pa mbaruar kontrata ekzistuese. Kjo do të thotë se ai ka qenë prej kohësh në planet e Vllaznisë”, – ka sqaruar Grima për portierin.
ADMIR URUÇI