Vllaznia gjen pasuesin e Liridon Latifit, shkodranët presin një sulmues nga Maqedonia e Veriut
Klubi i Vllaznisë ka nisur menjëherë punën për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri. Duke parashikuar largime të rëndësishme thuajse në çdo repart, drejtuesit kuqeblu po kërkojnë të përforcohen me emra cilësorë. Dhe një prej tyre është 25-vjeçari Darko Dodev.
Sulmuesi i krahut nga Maqedonia e Veriut mësohet se ka gjetur akordin me klubin kuqeblu dhe pritet të zyrtarizohet shumë shpejt. Dodev ka qenë pjesë e Bregalnicës së Shtipit në tri sezonet e fundit në elitën e futbollit maqedonas, teksa ka dhuruar paraqitje shumë të mira me fanellën e këtij ekipi. Me përfundimin e kontratës, sulmuesi ishte i lirë të zgjidhte një klub tjetër dhe sipas mediave në shtetin fqinj, ka qenë në bisedime edhe me Shkëndijën e Tetovës dhe Shkupin. Te Vllaznia ai pritet të luajë nga minuta e parë në pozicionin e Liridon Latifit, i cili do të largohet, pasi nuk ka arritur marrëveshje me klubin për rinovim.
Dodev pritet të mbërrijë në Shkodër në orët e ardhshme, për të firmosur dhe prezantuar zyrtarisht nga klubi. Ky është afrimi i dytë i Vllaznisë, pasi më parë ka arritur marrëveshjen edhe me Ildi Grudën, i cili vjen pas katër sezoneve me fanellën e Teutës. Ndërkohë, drejtuesit po punojnë për të forcuar edhe repartin e mbrojtjes, atje ku së fundmi ka dalë në skenë edhe emri i mbrojtësit serb, Millosh Stojanoviç, i cili ka qenë pjesë e Kastriotit në sezonin e fundit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"