Vllaznia-Laçi, duel në merkato për të siguruar Nijaz Lenën
Largimi i Nijaz Lenës nga skuadra e Teutës, ku mbylli sezonin e kaluar, ka bërë që disa prej klubeve të Superiores të hidhen në sulm për të siguruar shërbimet e tij. Burime të “Panorama Sport” bëjnë me dije se, menjëherë sapo është zyrtarizuar divorci i lojtarit me durrsakët, Vllaznia dhe Laçi e kanë kontaktuar fantazistin për ta bërë pjesë të tyre.
Shkodranët
Kuqeblutë nuk kanë lëvizur shumë në merkato, pasi trajneri Cungu ka kërkuar lojtarë që janë të sprovuar në Superiore dhe këta të fundit ka qenë e vështirë për t’u gjetur. Ylli Hoxha dhe Ditmar Bicaj ishin goditje cilë- sore në merkato, ndërkohë që mungesa e një fantazisti vazhdon të jetë një problem.
Lena është zgjedhja e duhur në këtë drejtim, pasi që nga viti 2010 është pjesë e Kategorisë Superiore dhe me ulje-ngritjet e tij ka qenë gjithmonë një futbollist cilësor dhe i kërkuar nga shumë ekipe të Superiore. Vllaznia e ka telefonuar futbollistin, por nuk ka marrë një përgjigje të prerë nga ana e tij, pasi Lena pritet të shqyrtojë edhe ofertat e tjera që i kanë ardhur.
Por, duhet thënë se shkodranët janë disi më të favorizuar për të marrë shërbimet e fantazistit, duke qenë se kanë anën financiare të sigurt dhe janë një emër i madh i futbollit shqiptar. Gjithashtu, nëse Lena do të qëndrojë në Superiore me paraqitjen e bërë sezonin e shkuar, do ta ketë të vështirë që të sigurojë një vend në ekipe si Skënderbeu, Partizani apo Kukësi, të cilat janë pothuajse të kompletuara dhe gati për sezonin e ri.
Kurbinasit
Pa shumë bujë dhe larg vëmendjes mediatike, skuadra e Laçit është duke u përgatitur nën drejtimin e trajnerit Moreira, i cili ka afruar lojtarë cilësorë në merkato. Duke parë lëvizjen e Lenës, drejtuesit kurbinas nuk kanë ngurruar që ta ftojnë atë në skuadrën e tyre, duke i siguruar edhe një vend formacioni.
Lena do të ishte një zgjedhje ideale për Laçin, ekip që bën lojë të fortë në grup dhe varet pikërisht nga cilësitë e individëve, të paktën kështu e kemi parë sezonet e fundit. Megjithatë, do të mbetet për t’u parë se cilën prej ofertave do të zgjedhë mesfushori, i cili aktualisht është i lirë.
ARMAND HALILI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"