Vllaznia në Reikjavik me ndalesa, Brdariç e ka gati formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2024 | 11:05

Vllaznia në Reikjavik me ndalesa, Brdariç e ka gati formacionin

Vllaznia ka mbyllur dje përgatitjet në Shkodër për ndeshjen e parë të turit të parë të Ligës së Konferencës, takim të cilin do ta luajnë nesër në Islandë kundër Valurit.

rtuu

Delegacioni shkodran, futbollistë, staf, drejtues dhe shoqërues të tjerë që i janë bashkangjitur kuqebluve në këtë udhëtim të largët, pasditen e djeshme kanë marrë rrugën drejt Islandës. Me një ndalesë në Vjenë dhe më pas drejt Rejkjavikut, aty ku mbrëmjen e së enjtes kuqeblutë do të ndeshen me skuadrën vendëse Valur. Paraditen e djeshme kuqeblutë janë stërvitur në stadiumin “Loro Boriçi”, seanca e fundit stërvitore në vend dhe sot do të kryejnë një tjetër seancë në Reikjavik. Seanca e djeshme ka qenë me doza më të ulëta kjo, pasi ekipi do të ndërmerrte edhe udhëtimin disi sfilitës drejt vendit ishullor. Ekipi dhe delegacioni i gjerë, rreth orës 14:00 ka lënë qytetin e Shkodrës për t’iu drejtuar aeroportit të Rinasit. Më pas kuqeblutë do të kenë një ndalesë në Vjenë, nga ku do të marrin një avion tjetër për në Reikjavik.

FORMACIONI- Në aspektin sportiv, stafi teknik me në krye trajnerin Tomas Brdariç e ka gjithçka gati për këtë takim. Me përjashtime të vogla, ku në ndonjë repart mund të ketë ndonjë mëdyshje deri në momentet e fundit. Pjesa kryesore e formacionit tashmë duket se është fiksuar për ndeshjen e parë që do të luhet të enjten në Reikjavik. I vetmi shqetësim për teknikun gjerman është mungesa e sulmuesit Ildi Gruda, i cili për arsye dëmtimi nuk do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje. Pjesa tjetër është e tëra në gjendje optimale. Pavarësisht se mund të ketë ndonjë lëvizje të minutave të fundit, mësohet se trajneri ka bërë përzgjedhjen më të mirë të mundshme për titullarët e kësaj sfide.

Qarri do të jetë në mbrojtje të katërkëndorit. Ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Gurishta, Stojanoviç, Juriç e Bajrami. Në mesin e fushës do të jetë treshja Krymi, Qato e Deliu. Kahrimanoviç pritet që të jetë pas dyshes Mala e Balaj që të tre do të bëjnë treshen e sulmit. Mesa duket me një rreshtim 4- 3-1-2 trajneri Brdariç do të kërkoj që të bëj më të mirën në takimin e parë të Ligës së Konferencës në Islandë. Edhe pse pritet të jetë një ndeshje e vështirë, kjo edhe për faktin se skuadra islandeze është në mes të kampionatit duke pasur një formë optimale, në kampin kuqeblu ka optimizëm për marrjen e një rezultati pozitiv në ndeshjen e parë, për t’i paraprirë një kualifikimi të mundshëm në ndeshjen e kthimit që luhet me datë 18 korrik në stadiumin “Loro Boriçi”. Tani mbetet që të shikohet ajo që djemtë e teknikut Brdariç do të tregojnë në fushën e lojës.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"