Vllaznia prezantohet nesër, bashkia do Nikajn zv.trajner
Nesër pritet të marrë fund edhe çështja e kalimit të klubit të Vllaznisë në duart e kompanisë “Gea Sport”. Dita e shtunë do të jetë në Shkodër, përkrah presidentit të kompanisë Roberto Nava, edhe trajneri i ri i skuadrës shkodrane, Aldo Ranieri, e deklaruar kjo të paktën nga administratori Ardian Grabova. Mirëpo bisedimet mes drejtuesve te kompanisë dhe bashkisë tani janë për emrin e zv.trajnerit të parë të ekipit. Nga sa mësohet, Samuel Nikaj, i cili kishte postin e ndihmëstrajnerit sezonin që lamë pas, mësohet se do të jetë emri që bashkia do t’u propozojë drejtuesve të klubit për numrin dy të pankinës. Nikaj ka punuar me ekipin edhe pas përfundimit të sezonit, duke arritur të mbajë në tonus skuadrën, në mënyrë që të mos krijohet një shkëputje e gjatë për lojtarët. Nikaj e njeh mirë gjendjen aktuale të çdo lojtari dhe, për më tepër, një pjesë të tyre e ka trajnuar prej vitesh. Ai është shikuar si personi i duhur për të qenë zv/trajner i Vllaznisë, megjithatë gjithçka për këtë emër do të saktësohet më mirë, pasi bashkia dhe drejtuesit e kompanisë do të diskutojnë në detaj për emrat që do të pasojnë teknikun e ri. Përkrah Nikës, nga sa mësohet, si trajner i portierëve mund të vazhdojë tekniku shkodran, Avenir Dani. Këto detaje do të saktësohen, pasi palët të ulen dhe të diskutojnë për hollësirat e kontratës.
Kandidaturat – Pavarësisht se Nikaj është emri favorit për të qenë si zv/trajner, në tryezën e kryetarit të bashkisë janë vënë edhe emrat e trajnerëve të tjerë të akademisë “Vllaznia”. Emrat të tillë, si Luan Zmijani, Alban Hasani, Alban Noga, Nikolin Leka, Alban Volumi shikohen si kandidatura të mundshme për postin e trajnerit të dytë. Të gjithë këta emra kanë treguar vlerat e tyre me ekipet e moshave, duke qenë pse jo kandidaturat kryesore që mund të propozohen prej bashkisë. Por vlen të saktësohet se në “pole” deri më tani është Samuel Nikaj. Stërvitja pritet të startojë të hënën. Stërvitja e parë për sezonin e ri për ekipin e Vllaznisë pritet të startojë javën e ardhshme. Nga sa mësohet, drejtuesit aktualë të klubit kanë përcaktuar pikërisht të hënën për të filluar zyrtarisht nga puna.
Admir Uruçi