Vllaznia prezanton sulmuesin Hysa: Do t’ju bind me gola, shpresoj të fitoj trofe
Vilfor Hysa dje pasdite ka firmosur për ngjyrat e Vllaznisë, çka do të thotë se është zyrtarisht futbollist i kësaj skuadre për sezonin e ri. Ai do të jetë ndër të vetmit lojtarë momentalisht për sulmin kuqeblu. Megjithatë ky fakt nuk përbën problem për të, duke qenë se tashmë ka si objektiv të shënojë sa më shumë gola me skuadrën e tij të re. Hysa ka firmosur një kontratë njëvjeçare me klubin shkodran, e cila, nga sa mësohet, kap një vlerë prej 45 milionë lekësh të vjetër. Ai është shprehur tepër i kënaqur që ka arritur të jetë pjesë e një klubi të madh dhe me traditë në kampionatin shqiptar, siç është Vllaznia.
Si ndiheni në këtë afrim tuajin pranë Vllaznisë?
Jam tepër i kënaqur që kam arritur të firmos një kontratë me ekipin shkodran. Kur drejtuesit e klubit ma ofruan një gjë të tillë, unë nuk është se kisha shumë pikëpyetje për vendimin që do të merrja. Synimi im është pjesëmarrja në klubet elitare të futbollit shqiptar, dhe Vllaznia është një prej tyre.
Jeni sulmuesi i vetëm në skuadër. Dëshironi që të keni edhe një tjetër emër në krah?
Unë jam lojtari i vetëm momentalisht në sulmin kuqeblu dhe normalisht dëshira ime është që të kem një partner në këtë repart. Megjithatë, kjo nuk ma vështirëson aspak punën për të shënuar sa më shumë për këtë skuadër. Unë do të jap kontributin tim maksimal.
Është ende herët dhe janë gjëra që nuk varen prej jush, por sa gola premton Hysa me kuqeblutë sezonin tjetër?
E rëndësishme është që unë të furnizohem me topa, pastaj do të di ta bëj në më të mirën e mundshme punën time, pra të shënoj sa më shumë. Nuk mund të them sa mund të jetë ky numër, por mund të pohoj se do të punoj intensivisht që të bëj më të mirën me Vllazninë në arritjen e atij objektivi që kjo skuadër ka në çdo start sezoni.
Çfarë ju shtyu të ishit pjesë e këtij ekipi?
E thashë edhe më sipër. Në radhë të parë më pëlqeu emri i madh i kësaj skuadre, më pas edhe ajo që m’u ofrua. Çdo lojtar do ta dëshironte të ishte pjesë e Vllaznisë. Drejtuesit për më tepër më kanë premtuar se po ndërtohet një ekip pretendent, gjë që e shikoj edhe vetë nga emrat që ka në përbërje.
Objektivat tuaj në kampionatin e ardhshëm?
Nuk e fsheh dëshirën time që me Vllazninë të arrij të marr një trofe, e për më tepër në sezonin tim të parë me këtë klub aq të mirënjohur.
Grima: Merkato e hapur, presim një tjetër goditje
Drejtori sportiv i klubit kuqeblu, Armir Grima, gjatë prezantimit të sulmuesit shtatshkurtër Vilfor Hysa është shprehur se merkatoja e afrimeve do të vazhdojë të jetë e hapur. Nuk mund të them se Hysa është afrimi i fundit, pasi akoma nuk mund ta quaj të mbyllur merkaton tonë. Megjithatë mund të them se kemi arritur të bëjmë më të mirën e mundshme deri tani. Kështu që, nëse mbyllet këtu, mund të them se Vllaznia është e kompletuar. Ndonëse ne po vazhdojmë të punojmë për të marrë ndonjë futbollist tjetër me vlera. Për këtë merkato të deritanishme më lejoni të falënderoj kryebashkiakun Lorenc Luka, kryetarin e bordit, z.Ritvan Troshani, për mbështetjen e pakursyer që na kanë dhënë”, – ka thënë Grima.
Katër lojtarë drejt huazimit
Katër futbollistë mund të largohen nga Vllaznia sezonin e ardhshëm në formë huazimi. Pas shumë afrimeve në këtë sezon, drejtuesit e klubit duket se po hartojnë edhe një listë të futbollistëve që do të huazojnë drejt skuadrave të tjera. Kjo listë zyrtarisht nuk bëhet e ditur, megjithatë burime brenda klubit bëjnë me dije se lojtarë të tillë si Gocaj, Sykaj, Karakaçi e Tafa janë ndër të parët emra që mund të lëvizin nga shkodranët në formë huazimi në drejtim të klubeve të tjera të kampionatit shqiptar. Lojtarët e sipërpërmendur mund të mos jenë të vetëm, sepse nëse do të ketë blerje të tjera, atëherë do të ketë sërish largime.
ADMIR URUÇI