Vlora bëhet makth për Skënderbeun, barazon me Bylisin në fushë anjanëse

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2012 | 13:50

Vlora bëhet makth për Skënderbeun, barazon me Bylisin në fushë anjanëse

BYLISI – SKËNDERBEU  1-1
GOLAT K.Arbri 90’/ Pejiç 72′
BYLISI: Frashëri, Idrizi, Adebajo (Da Silva 65′), Ristevski, Bola, Teqja, Ibrahim, Meto (Xhafa 70′), Sefa, Bakiu (Arifaj 79′), K.Arbri. Trajner: A.Canaj
SKËNDERBEU: Shehi, Vrapi, Bicaj, Gvozdenoviç, Arapi, Kërçiku, S.Lilaj, Orelesi, Dimo (Kuli 60′), Plaku (Çaushaj 81′), Pejiç. Trajner: M.Josa
KARTONË TË VERDHË: Vrapi 24′, Arapi 91′
KARTONË TË KUQ: Da Silva 77’/ Arapi 91′
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
VËZHGUES: Astrit Mema (Gjirokastër)
GJYQTARET R.Sadiku, R.Preça, E.Gançi (Elbasan)

Stadiumi “Flamurtari” kthehet në një makth për Skënderbeun, edhe atëherë kur kampionët në fuqi nuk luajnë ndaj ekipit vlonjat. Ka qenë Bylisi, që dje i ka ndalur në një barazim 1-1 korçarët, pikërisht në fushën asnjanëse të Vlorës (për shkak se stadiumi “Adush Muça” është në rikonstruktim). Ishte një ndeshje e luftuar, ku ndoshta skuadra e Agim Canajt mund të dilte edhe me tri pikë. Nuk munguan kartonët e kuq, rastet e humbura para portave, por edhe gafat e mbrojtësve të të dyja skuadrave. Ekipet e mbyllën me nga 10 lojtarë, pasi Da Silva i Bylisit dhe Arapi i Skënderbeut u ndëshkuan me të kuq nga gjyqtari Sadiku. Skuadra e Mirel Josës bëri pak për të merituar fitoren. Edhe pse sulmuesi Pero Pejiç arriti të ndëshkonte Bylisin në rastin e parë që iu krijua para porte, përsëri ballshiotët e qarkulluan më mirë topin dhe barazuan. Goli i Bylisit erdhi vetëm në fundin e ndeshjes, kur Klodian Arbri përfitoi nga një mefshtësi e Arapit dhe Vrapit.
Pjesa e parë – Bylisi e nisi ndeshjen me dyshen Arbri- Bakiu në sulm. Këta të fundit kanë formuar sezonin e kaluar sulmin e Tomorit. Nga ana tjetër, kampionët në fuqi kishin bërë lëvizje të detyruara në mbrojtje, teksa Vrapi ishte zhvendosur në krahun e djathtë. Nga ana tjetër, çuditërisht në stol ishte braziliani Soza, edhe pse ky i fundit luan si mbrojtës i djathtë. Pjesa tjetër e skuadrës korçare ka qenë e pandryshuar, në krahasim me ndeshjet e kaluara. Bylisi është më kërkues gjatë pjesës së parë, teksa krijon shumë, por kur i afrohet portës së Shehit ngec. Meto dhe Sefa veprojnë mirë në mesfushë, edhe pse kanë gjithnjë ngacmimin e Orelesit dhe Lilajt, të cilët mundohen të lënë pak hapësira. Repartet e skuadrës korçare duken të shkëputura, aq sa gjatë pjesës së parë sulmuesit Plaku dhe Pejiç kapin shumë pak topa. Gjithçka mbyllet pa gola, por me një Bylis më të organizuar.
Pjesa e dytë – Skuadrat e rinisin lojën me të njëjtat formacione. Në fushë gjithçka duket e ekuilibruar, derisa Meto trondit portën korçare. Gjuajtja e mesfushorit përplaset në shtyllë dhe Skënderbeu shpëton nga një gol i sigurt. Bylisi bën një zëvendësim të detyruar, për shkak të dëmtimit të Adebajo Adigun, ndërsa Josa fut në lojë Kulin, duke nxjerrë Dimon, që ka qenë kapiten te ballshiotët sezonin e kaluar. Kampionët zgjohen dhe, pas disa inkursioneve të Kërçikut nga e djathta, arrijnë të bëhen të rrezikshëm me Pejiçin. Ky i fundit, edhe kur nuk është në ditën e tij më të mirë, përsëri shënon. Një gafë e pafalshme e mbrojtësve Bola dhe Ristevski, i dhuron një top të artë sulmuesit, që me shumë qetësi përpara porte kalon në avantazh Skënderbeun. Ballshiotët nuk dorëzohen, teksa Canaj orienton ekipin drejt sulmit. Në lojë futet “veterani” Xhafa, i cili i jep një impuls më shumë repartit ofensiv. Mirëpo, gjërat përkeqësohen për ballshiotët kur ndëshkohet me të kuq i sapofuturi Da Silva. Edhe pse me 10 lojtarë, Bylisi gjen forcat dhe arrin të barazojë në fundin e takimit me beratasin Arbri. Skënderbeu nuk u beson syve, ndërkohë që zhgënjimin e vulos dalja me të kuqe e Arapit. As minutat shtesë nuk sjellin ndonjë ndryshim në rezultat, teksa gjithçka mbyllet 1-1. Të dyja skuadrat kanë dalë të pakënaqura nga fusha, pasi mund të kishin marrë më tepër nga ky takim.

Josa: Gabuam në mbrojtje e sulm
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ndonëse nuk e thotë haptazi, e pranon se skuadra e tij nuk zhvilloi një ndeshje të denjë jo vetëm për të marrë tri pikët, por edhe për barazimin. “Kishim përballë një skuadër të fortë. Ishte një skuadër që punoi shumë, që luftoi shumë dhe e meritoi absolutisht barazimin. Ne duhet të ishim më të vendosur në sulm dhe mesfushë, në mënyrë që t’i jepnim kohë mbrojtjes sonë të dilte dhe të mbështeste sulmin. Mendoj se duhet të rregullojmë akoma disa gjëra si në lojën mbrojtëse, por edhe në mënyrën e organizimit të sulmeve”.

Shehi: Luajtëm dobët, nuk e meritonim
Portieri dhe njëkohësisht kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, nuk ka nguruar aspak të kritikojë lojën e skuadrës së tij. “Nuk lamë dy pikë në këtë fushë, por fituam vetëm një. Madje e them me sinqeritet se nuk e meritonim as këtë barazim për mënyrën sesi luajtëm. Duhet të bënim shumë më shumë se kaq, pasi i kemi mundësitë, por në këtë ndeshje e them pa ndrojtje se Bylisi ishte më lart sesa ne. Për mënyrën sesi shkuan gjërat e rithem se ishim me fat që morëm edhe një pikë. Skuadra nuk funksionoi si duhet edhe pse krijuam volum të madh loje”,- ka thënë portieri durrsak.

Pejiç: Doja një gol tri pikësh
Pero Pejiç ka shënuar dje golin e katërt në tre takime të zhvilluara deri më tani me Skënderbeun. E veçanta ishte se sulmuesi realizoi në stadiumin ku sezonin e shkuar ka luajtur për ngjyrat e Flamurtarit. Për “Panorama Sport” kroati deklaroi: “Jam i lumtur që shënova në Vlorë. Patjetër që kisha emocione, pasi u riktheva në qytetin ku dhashë kontributin tim për 6 muaj. Megjithëse, unë tani jam me Skënderbeun. Mendoj se sot (dje) kundërshtari bëri një lojë të mirë dhe barazimi ishte rezultati më i drejtë. Më duhet t’i falënderoj tifozët për mbështetjen”.

Dramë në Vlorë, mbrojtësi nigerian rrezikoi jetën
Adebajo Adigun është duke luftu ar me vdekjen. Mbrojtësi nigerian i Bylisit pësoi një goditje të rëndë në ndeshjen kundër Skënderbeut, e cila u luajt në Vlorë dhe ka rrezikuar jetën. Ngjarja Në minutën e 62-të të ndeshjes Bylisi-Skënderbeu, një përplasje mes sulmuesit Plaku dhe mbrojtësit Adigun ka sjellë ankth dhe kaos në fushën e lojës. Lojtari nigerian i Bylisit është shtrirë në tokë, pasi gjatë dyluftimit u godit me bërryl nga sulmuesi i Skënderbeut. Për momentin u duk se nuk ishte diçka shqetësuese, por me kalimin e sekondave dhe pas ndihmës së parë të mjekëve, situata u bë aq alarmante, saqë edhe autoambulanca u kap e papërgatitur. Ndërhyrja e mjekëve të dy skuadrave ishte e menjëhershme, në një kohë që në fushë zbriti edhe presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj. “I kishte ikur gjuha brenda. Ia nxora menjëherë dhe shkova të merrja pak ujë, por i iku sërish gjuha brenda dhe m’u desh ta ndihmoja sërish”, – ka shpjeguar presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj. Ky i fundit është parë edhe nëpërmjet kamerave, kur është detyruar t’i bëjë masazh kardiak futbollistit.
Mjekimi në Vlorë Lojtari ka përfunduar në spitalin e Vlorës, ku i është dhënë ndihma e parë. Drejtuesit e Bylisit pretendojnë se shërbimi nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Pas disa ekzaminimeve, është dalë në konkluzionin se lojtari ka pësuar një goditje në fyt dhe ka rënë pa ndjenja. Pas ndihmës së shpejtë, ai është lënë i lirë, me bindjen se nuk bëhej fjalë për ndonjë shqetësim serioz.
Tmerri në Ballsh
Adigun i është bashkuar skuadrës pas ndeshjes dhe, sapo ka mbërritur në Ballsh, ka humbur sërish ndjenjat. Zyrtarët e klubit e kanë çuar menjëherë në spital, por mjekët i kanë rekomanduar që ta dërgonin me urgjencë në Fier. 21- vjeçari është dërguar për në spitalin e Fierit pa ndjenja dhe, kur ka mbërritur aty, mjekët u kanë sugjeruar drejtuesve të klubit që ta nisnin menjëherë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës, pasi gjendja ishte kritike. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes ai është nisur drejt Tiranës, duke u mbajtur me oksigjen.
Humb memorien Gjatë udhëtimit për në Tiranë futbollisti nigerian është përmendur disi. Ishportieri Egbo, që sot është pjesë e stafit të Bylisit, ka pohuar se lojtari nuk mbante mend asgjë. “Mban mend deri në momentin e dëmtimit. Nuk i kujtohen as vizitat në Vlorë dhe as udhëtimi në Ballsh. Ishte me të vërtetë në gjendje shumë të rëndë, ndaj jemi të alarmuar”, – ka thënë Egbo për mediat.

Ambulanca u vonua se mungonte shoferi
Ambulanca dje në stadiumin e Vlorës është vonuar se shoferi nuk kishte qenë aty, në momentin që pati ndodhur përplasja mes Adigos dhe Plakut. Kështu njoftojnë zyrtarë të klubit ballshiot, sipas të cilëve, e gjithë kjo ka ndodhur për një papërgjegjshmëri të shoferit të automjetit. Gafa nis që me faktin se ambulanca nuk ndodhej brenda stadiumit, por jashtë saj. Atëherë kur është dashur që ajo të vinte sa më parë të mundej, është vënë re se mungonte shoferi. Pas kësaj është dashur të thyhet dera e automjetit dhe më pas makina të vihej në lëvizje. Kjo ka qenë edhe arsyeja se përse është vonuar makina e ndihmës së shpejtë.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"