VOLEJBOLL FEMRA/ Tirana leksion Barletit, Lushnja likuidon Korabin
Superliga e volejbollit të femrave ka zhvilluar të shtunën dy ndeshjet e mbetura të javës së 13-të.
Tirana mundi Barletin në sallën “Farie Hoti” me rezultatin e pastër 3-0 (25-15, 25-17, 25-16). Një ndeshje e dominuar tërësisht nga vajzat bardheblu, ndërsa universitaret ishin të pafuqishme. Lojtarja e ndeshjes ishte kanadezja Hutchinson, protagoniste e 19 pikëve për Tiranën. Shkëlqeu gjithashtu edhe Xhenifer Pira, autore e 10 pikëve.
Lushnja doli me 3 pikë nga transferta kundër Korabit, takim i luajtur në sallën e Farkës. Myzeqaret triumfuan pastër 0-3, ndërsa dy setet e para u shoqëruan me rivalitet të lartë në parket, duke u vendosur pas pikëve shtesë me rezultatin e njëjtë 24-26. Në setin e tretë nuk kishte histori, teksa Lushnja dominoi tërësisht për të fituar thellë 12-25, duke mbyllur edhe llogaritë e ndeshjes. Emirjeta Xhyliu me 21 pikë ishte lojtarja më e mirë e takimit. Kujtojmë se të premten Skënderbeu mundi 3-0 Partizanin, ndërsa me të njëjtin rezultat Vllaznia mposhti Teutën.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"