Volejbollisti i rekordeve, edhe 42 vjeç vazhdon në parket. Rrëfimi i Klodian Kasës: Sekreti është stërvitja dhe trajneri Ylli Tomorri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2022 | 17:49

Volejbollisti i rekordeve, edhe 42 vjeç vazhdon në parket. Rrëfimi i Klodian Kasës: Sekreti është stërvitja dhe trajneri Ylli Tomorri

Shpeshherë sporti na ka dhuruar histori të pabesueshme, me personazhe të cilët janë pjesë rekordesh të jashtëzakonshme. I tillë është edhe Klodian Kasa, rekordmeni i trofeve në volejbollin shqiptar. Ndonëse në dhjetor ka mbushur 42 vjeç, ai vazhdon të jetë aktiv si lojtar me skuadrën e Partizanit. Që prej vitit 1994 Kasa i është bashkuar ekipit të parë, ndërsa ishte vetëm 15 vjeç ku bëri debutimin me të rriturit, asokohe tek Erzeni. Por përtej çdo limiti që po thyen me moshën, Kasa është futur në librin e legjendave falë trofeve që e kanë parë si protagonist në fushë.

Klodian Kasa me trofeun e kampionit në sezonin e vjetshëm

Klodian Kasa me trofeun e kampionit në sezonin e vjetshëm

Sot ai ka shkruar emrin e tij në librin e artë të sportit të rrjetës, falë shifrave të paprecedente, siç janë 19 titujt kampion kombëtar dhe 20 herë fitues i Kupës së Shqipërisë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Kasa rrëfen çelësin e suksesit të karrierës së tij të jashtëzakonshme, duke nisur që nga stërvitja prej 5 orësh në ditë dhe puna me trajnerin Ylli Tomorri. Përveç “skanimit” që i bën karrierës, Kasa gjithashtu flet edhe për aktualitetin e volejbollit shqiptar, me Superligën që tashmë është futur në fazën e nxehtë, ku dhe do të vendoset titulli.

kasa

Kasa, le ta nisim duke u rikthyer shumë pas në kohë! E mbani mend ndeshjen debutuese? Në cilin vit ka qenë dhe çfarë moshe kishit?
Ka qenë sezoni 1995-1996, kur kam bërë ndeshjen time të parë me ekipin e të rriturve. Atëherë isha pjesë e Erzenit të Shijakut, ekipit të vendlindjes sime. Luanim kundër Tiranës, takim i vlefshëm për Kupën. Sigurisht që isha shumë i emocionuar, pasi luaja për herë të parë me të rriturit, në një kohë kur isha vetëm 15 vjeç. Në ato vite kur kam qenë pjesë e Erzenit, nuk kishim ekip të rinjsh dhe bashkë me disa shokë të tjerë ishim direkt pjesë e skuadrës së parë. Ndërsa sezonet në vijim Erzeni mori një tjetër organizim, ku dhe arritëm që të dilnim tri vite radhazi kampionë kombëtarë në vitet 1997, 1998, 1999.

Pas një karriere të jashtëzakonshme, cilin nga sezonet do të veçonit si më të bukurin?
Në fakt, janë shumë dhe të them të drejtën kur u rikthehem, ka kaq shumë sa që nuk arrij që t’i kujtoj të gjithë, por një nga sezonet që më ka mbetur në mendje, ka qenë në fillim të viteve 2000 me Studentin. Një edicion ku si rival kishim Dinamon dhe finalet u vendosën pas 5 ndeshjesh. Arritëm që të shpalleshim kampionë në ndeshjen e pestë. Ishte një seri finalesh shumë e fortë. Ne kishim në ekip dy lojtarë bullgarë, ndërsa Dinamo dy maqedonas. Ishte një kampionat shumë i fortë dhe i lodhshëm, por ka mbetur në memorie, pasi kemi bërë një nga ndeshjet më të bukura.

Klodian Kasa, gjatë viteve 2000 kur ishte pjesë e Studentit

Klodian Kasa, gjatë viteve 2000 kur ishte pjesë e Studentit

Ndërkohë, me Studentin keni qenë pjesë e epokës ku keni shënuar edhe një prej dominimeve më të gjata në historinë e volejbollit shqiptar…
Mbaj mend që te Studenti kam ardhur në moshën 18-19 vjeçare. Kam qenë shumë i ri dhe kam luajtur për 17 vite me këtë skuadër, duke u shpallur 14 herë kampion i Shqipërisë. Meritën kryesore për këtë cikël të jashtëzakonshëm fitues e ka profesor Ylli Tomorri, pasi ishte pikërisht trajneri ai që e ngriti Studentin në nivelet më të larta, jo vetëm në kampionatin kombëtar ku ishim të padiskutueshëm, por edhe në nivelet europiane.

Cilët janë kundërshtarët më të fortë që keni sfiduar?
Unë do të veçoja disa në fakt, pasi gjithmonë kemi pasur rivalë të fortë. Përmend këtu Dinamon e atyre viteve, që ka qenë rival shumë i vështirë. Më pas ishte Teuta, Erzeni, Tirana dhe Vllaznia që gjithashtu kanë pasur ekipe shumë të mira.

Cilin do të zgjidhnit si edicionin më të mirë?
Kur kam qenë pjesë e Studentit kemi pasur një ekip absolut dhe kemi fituar kampionatin pa pësuar asnjë humbje, mos gaboj rreth viteve 2004- 2005. Fituam të gjitha ndeshjet e kampionatit, gjithashtu edhe ato të “play off”-it. Mund të kemi humbur gjithsej vetëm dy sete gjatë të gjithë edicionit në 30 ndeshje të zhvilluara.

kasa2

Çfarë mendoni kur ktheni kokën pas dhe shikoni një karrierë të tillë, me kaq shumë trofe?
Të them të drejtën kur i kujtoj, shikoj që trofetë janë të ndryshëm dhe kjo jo vetëm për meritën time, por të të gjithë shokëve që kanë luajtur me mua, pasi volejbolli është një lojë kolektive. Por dua ta theksoj edhe një herë që meritën kryesore në karrierën time dhe në trofetë që unë kam fituar, e ka profesor Ylli Tomorri, sepse është ai inspiruesi, me të cilin kam 22 vite që punoj. Trajneri ka një vend të veçantë në karrierën time.

Cili është sekreti i një karriere kaq të gjatë?
Nuk ka pasur ditë, që unë të mos realizoja 4 apo 5 orë stërvitje. Përveç kësaj, gjatë pushimeve të verës merrja pjesë gjithmonë në turnetë “beach volley” dhe gjatë gjithë vitit kam qenë në aktivitet. Kam që prej vitit 1994 e deri më sot që vazhdoj pa ndërprerje aktivitetet e volejbollit. Që të rrisësh nivelin dhe cilësinë duhet stërvitje. Një apo dy orë stërvitje në ditë nuk mjaftojnë. Minimalja e përgatitjeve për mua në vitet kur kam qenë më i ri, ka qenë 5 orë stërvitje në ditë.

Përveçse mbeteni ende në aktivitet, ju sot punoni edhe me moshat…
Aktualisht, bashkë me shokun tim, Elton Tukseferin, jemi trajnerë të të rinjve dhe të paratërinjve të Partizanit. Më parë Partizani ishte një ekip i shkrirë, por brenda dy viteve kemi arritur që të jemi konkurrentë, ku me ekipin U-21 dolëm në vend të pestë, ndërsa me moshat U-19 jemi aktualisht në finalet e “play off”-it. Te 17- vjeçarët jemi kampionët e sezonit të kaluar. Për këtë ecuri dua të përmend ndihmesën kryesore dhe kontributin e shefit të klubit Shkëlqim Muça, i cili është një nga dashamirësit e volejbollit, duke iu gjendur shumë pranë skuadrës.

Kasa, me bashkëshorten dhe vajzën

Kasa, me bashkëshorten dhe vajzën

Si e shikoni sot volejbollin shqiptar?
Volejbolli është në rritje. Aktualisht ekipi ynë, Partizani, ka një përbërje me djem të rinj. Janë djem që kërcejnë me një moshë mesatare shumë të re. Lojtari ynë më i vjetër është Osman Qepa, 27 vjeç. Ka gjithashtu rritje në cilësi dhe në shtatlartësi, pasi lojtarët janë edhe më të gjatë se më përpara.

Shumë nga lojtarët me të cilët jeni në një skuadër, kur ju ngrinit lart trofetë, ende nuk kishin lindur…
Kjo është e vërtetë. Shumë shokë nga brezi im kanë mbi 10 vite që janë tërhequr, ndërsa unë vazhdoj. Por sporti është edhe me fat dhe një rol të madh e kanë edhe dëmtimet. Por nëse stërvitesh rregullisht, je i prirur që t’i shmangësh dëmtimet dhe nuk ke asnjë lloj problemi. Tani është një tjetër brez dhe bashkëlojtarët e skuadrës janë thuajse fëmijët e mi me moshë, por na bashkon volejbolli dhe stërvitja.

Pas shumë vitesh i shkrirë, Partizani prej disa sezonesh po qëndron në majën e volejbollit shqiptar…
Partizani është një ekip që ka 7 vite që është ndërtuar, që nga shkrirja, ku për shumë kohë kishte mbetur në harresë. Kemi filluar dhe u ringritëm, e për këtë merita kryesore i takon profesor Yllit, por duhet përmendur edhe mbështetja e bashkisë së Tiranës, sponsorëve dhe dashamirësve të ndryshëm që na përkrahin.

Partizani, kampion i Shqipërisë në edicionin 2020-2021

Partizani, kampion i Shqipërisë në edicionin 2020-2021

Duke u ndalur tek edicioni aktual, si do ta komentonit atë?
Këtë sezon kemi pasur disa luhatje dhe e mbyllëm fazën në vend të dytë. Në përbërje kemi 4 lojtarë të huaj dhe kemi si rivalë Erzenin që ka 3 lojtarë të huaj, si dhe Tiranën me 2 të huaj. Pra, ky kampionat është shumë i fortë. Ne jemi përgatitur shumë seriozisht dhe i vlerësojmë të gjithë kundërshtarët, pasi vetëm kështu mund të dalësh kampion.

Si vjen Partizani në këtë pjesë finale të sezonit?
Siç e thashë jemi përgatitur maksimalisht, duke vlerësuar çdo rival. Jemi një ekip i ri, por i fortë. Tani kemi ndeshjet gjysmëfinale me Erzenin dhe besoj se në finale do të gjejmë Tiranën. Pra, pritet një “play off” me shumë rivalitet.

Në skuadër janë katër lojtarë të huaj, të cilët pas një fillimi disi të vështirë, e kanë rritur ndjeshëm nivelin në takimet e fundit…
Kjo ndodhi sepse ndeshjet e Kupës erdhën shumë shpejt dhe koha ishte e pakët për ta. Çdo lojtar sigurisht që kërkon kohën e nevojshme. Por tani ata janë integruar në skuadër. Nuk duhet të harrojmë që bëhet fjalë për lojtarë shumë të rinj me moshë nga 17 deri në 22 vjeç. Janë volejbollistë me të ardhme. Por nuk duhet të harrojmë edhe pjesën tjetër të lojtarëve, duke filluar nga Osman Qepa, Çela, Pepaj, Libero Muça, pasuesin e ri, Deliun. Pra, është një ansambël me lojtarë të rinj.

Në fund le të ndalemi pak te marrëdhënia me Ylli Tomorrin. Si është të punosh me të?
Për mua është trajneri më i mirë në Shqipëri. Një trajner këmbëngulës, serioz. Jam shumë me fat që kam punuar me të. E përsëris se meritën kryesore në trofetë dhe arritjet e mia e ka profesor Ylli. Serioziteti dhe stërvitja e përditshme e bëjnë të veçantë punën me të.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"