Vora prezanton sulmuesin lituanez, një afrikan në “lupën” e trajnerit Arian Bellai

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2024 | 15:10

Vora prezanton sulmuesin lituanez, një afrikan në “lupën” e trajnerit Arian Bellai

Vora është një ndër skuadrat më aktive të Kategorisë së Parë në merkaton e verës, ku drejtuesit kërkojnë të ndërtojnë një grup konkurrues dhe me objektiv madhor, ngjitjen në Superiore.

MANFRED RUZGIS VORA

Nga 1 korriku, nën drejtimin e trajnerit Arian Bellai skuadra ka nisur rregullisht stërvitjet në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. Në stadiumin e Vorës janë krijuar kushtet optimale për seancat stërvitore. Ndërkohë, nuk mungojnë edhe fuçitë me ujë e akull për çlodhjen e muskujve të futbollistëve. Vora ka përzgjedhur një staf të kualifikuar sa i përket aspektit tekniko-taktik. Përveç seancave stërvitore, drejtuesit e Vorës po projektojnë edhe disa miqësore me ekipe të Superiores. Ende nuk është zbuluar axhenda e këtyre ndeshjeve testuese, sfida të cila i vlejnë Vorës në kuadrin e përgatitjeve për sezonin e ri.

Nën urdhrat e trajnerit Arian Bellai dhe stafit të tij, në seancat stërvitore kanë qenë të pranishëm 20 lojtarë. Bëhet fjalë për 2 portierët Ruçi e Jata; tetë mbrojtësit: Imami, Ismaili, Dalipi, Vrapi, Hoxha, Ntepe, Shani e Mata; tetë mesfushorët: Avdiu, Aneni, Tabaku, Sefa, Lika, Hasrama, Jakupi, Spahiu, si dhe sulmuesi Thana, Geci. Ndërsa dje grupit iu bashkuan dhe dy lojtarë të tjerë të huaj, sulmuesi lituanez, Manfredas Ruzgis, që ka nënshkruar dhe vjen për herë të parë në Shqipëri. Sulmuesi lituanez është prezantuar dje nga klubi dhe menjëherë i është bashkuar ekipit në stërvitje.

Me Vorën po stërvitet edhe një futbollist afrikan, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, pasi fillimisht është për provë. Përveç ekipit, Vora ka në plan edhe projektin për stadiumin, pasi me kompletimin e tribunës qendrore i jepet fund ndërtimit të plotë të impiantit. Pra, planet janë që Vora të përballet me ekipet elitare në sezonin 2025-2026 në shtëpinë e saj, në kushtet optimale e bashkëkohore.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"