Vora zbret në fushë, drejtuesit ua bëjnë të qartë lojtarë: Ngjitja në Superiore është detyrim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2024 | 14:01

Vora zbret në fushë, drejtuesit ua bëjnë të qartë lojtarë: Ngjitja në Superiore është detyrim

Vora u ka dhënë fund pushimeve dhe nga dje ka marrë jetë skuadra që do të përfaqësojë klubin dhe objektivat në Kategorinë e parë për sezonin 2024-2025. Vorakët kanë zbritur gjatë pasdites së djeshme në fushën e stadiumit të Vorës, ku edhe kanë startuar seancat stërvitore.

vora stervitja e pare

Ditën e parë, kanë qenë të pranishëm të gjithë lojtarët nën kontratë. Trajneri Arian Bellai në krah kishte Endri Zjarrin. Përpara futbollistëve, fillimisht fjalën e ka marrë presidenti, Albert Xhabafti, që i njohu ata me objektivin e skuadrës dhe pohoi se ishte i bindur që ky grup është i aftë të realizojë objektivin madhor që ka Vora për sezonin e ri. “Besoj se jeni të vetëdijshëm për misionin që keni. Ndoshta do të jetë e vështirë, pasi kjo kategori ka shumë konkurrentë, por unë kam besim të plotë se me këtë grup lojtarësh ne do të realizojmë ngjitjen në Superiore.

E tentuam edhe sezonin e kaluar, por diçka nuk shkoi sipas planit. Shpresoj që të mos kemi ngërçin e sezonit të kaluar. Nga ana e presidencës dhe gjithë stafit vorak do të keni mbështetjen maksimale për të kryer më së miri këtë mision”, u shpreh mes të tjerash presidenti i skuadrës. Më pas, edhe trajneri Bellai shprehu besimin e plotë që ka te grupi. Pas fjalëve të drejtuesve skuadra ka kryer seancën e parë stërvitore në funksion të kampionatit të ri. Seancat do të vijojnë në këtë stadium për rreth tri javë, deri më 19 korrik. Më pas ekipi do të zhvendoset drejt juglindjes, në qytetin e Korçës, për fazën grumbulluese.

Aty do të vazhdojnë punën për rreth dy javë e gjatë kësaj periudhe parashikohen të luhen edhe ndeshje 4 miqësore me skuadra greke e shqiptare. Në ditën e parë të grumbullimit, ra në sy prezenca e mesfushorit nigerian Evans Aneni, i cili do të veshë fanellën me numër 15. Sulmuesi nga Lituania, Manfredas Ruzgis, do të paraqitet në stërvitje më 4 korrik. Të dy këta futbollistë do të luajnë për herë të parë në futbollin shqiptar.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"