Zbardhen prapaskenat/ Dy “rryma” te Kukësi, ja pse ka dilema për konfirmimin e Hallaçit
Mbyllja e sezonit solli edhe përfundimin e marrëveshjes me trajnerin Rraman Hallaçi, duke bërë që aktualisht Kukësi të jetë pa kreun e pankinës. Sezoni që lamë pas ishte me shumë dritëhije për Kukësin, që vetëm në javën e fundit arriti të siguronte mbijetesën në elitë.
Burime të gazetës pranë klubit, pohojnë se aktualisht janë duke peshuar nëse do t’i japin Hallaçit drejtimin e skuadrës nga fillimi i sezonit apo do të shohin për një tjetër trajner dhe ky i fundit të vijojë të jetë pjesë e klubit në një tjetër pozicion.
Për këtë arsye, në klub ka dy rryma: ata pro konfirmimit të Hallaçit dhe të tjerë për të gjetur një timonier të ri. Një grup i fortë dhe me ndikim te presidenca mendojnë se Hallaçi arriti maksimumin me ekipin që kishte në dispozicion dhe i duhet dhënë shansi, ndërsa të tjerët ia faturojnë teknikut një pjesë të fajit për mosarritjen e Europës. Gjithsesi, kjo është një situatë që pritet të zgjidhet brenda pak ditësh. Deri më tani në Kukës nuk ka dalë asnjë emër i ri në skenë sa i përket pankinës.
AVANTAZHET – Lidhja e Rraman Hallaçit me klubin është shumë e fortë dhe konsiderohet si pjesë e familjes, duke e parë si njeriun që është gjendur gjithnjë pranë skuadrës sa herë ka pasur nevojë. Për këtë arsye, duhet “shpërblyer” duke mos e parë vetëm si alternativë, por t’i jepet drejtimi i ekipit nga fillimi i sezonit. Zhgënjimi në sezonet e fundit me trajnerët që kanë drejtuar skuadrën është një armë e fortë pro atyre që duan të qëndrojë Hallaçi në stol. Disa ndeshje të mira ndaj kundërshtarëve që luanin për titull, treguan se trajneri ka aftësinë të ndërtojë një skuadër me pretendime nëse i jepet besimi që në fillim. Mbi të gjitha ai e njeh më mirë se kushdo ambientin dhe bashkë me Ylli Shametin e dinë shumë mirë mentalitetin e klubit.
DISAVANTAZHET – Megjithatë, ka nga ata në klub që nuk e harrojnë mospjesëmarrjen në Europë. Kur Hallaçi mori frenat e skuadrës në dorë, drejtuesit kërkuan që ekipi të luftonte për një vend në Europë, duke ditur se në lojë ishte edhe Kupa e Shqipërisë. Mirëpo, ky objektiv nuk u arrit dhe për të tretin sezon radhazi verilindorët do të jenë jashtë Kupave të Europës. Sipas tyre, nuk ka asnjë justifikim që Kukësi nuk arriti Europën dhe ai që e pëson në të tilla raste është gjithnjë trajneri. Nëse ky objektiv do të realizohej, atëherë do të kishte një rinovim automatik për teknikun, por në një situatë të tillë, mosrealizimi i objektivit bën që të mos mungojnë skeptikët në klub. Ky është minusi i vetëm i Hallaçit që drejtuesit nuk po e “gradojnë” ende edhe për këtë sezon. Gjithsesi, fjala e fundit i takon presidentit Safet Gjici, i cili do të vendosë pikat mbi “i” sa i përket trajnerit të ri.
LARGIMET – 9 LOJTARË shihen si të larguar nga Kukësi pas përfundimit të sezonit. Bëhet fjalë për Xhonson Ovusun, Shqiprim Taipin, Edi Bashën, Betim Halimin, Ergys Peposhin, Redon Dragoshin, Altin Bytyçin, Gabriel Barbosën dhe Ebert Kardozon.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"