Zbardhet lista për miqësoret, Gashi dhe Meha mbeten jashtë
Trajneri i kombëtares, De Biazi, ka publikuar të shtunën listën e lojtarëve kuqezinj që do të ketë në dispozicion për dy miqësoret e këtij muaji, me Francën dhe Italinë. Janë plot 27 futbollistë, mes të cilëve bien në sy edhe prurje të reja. Fjala është për portierin e Tiranës, Stivi Frashëri, që zëvendëson Alban Hoxhën e Partizanit, i cili ka probleme familjare, dhe mesfushorin e bardhebluve Erando Karabeci nga kampionati shqiptar, si dhe mbrojtësin e Bazelit, Arlind Ajeti. Pjesa tjetër është grupi i përhershëm kuqezi, me përjashtim të një mungese të çuditshme, sikurse është ajo e Shkëlzen Gashit, që së fundi gjeti golin edhe në Ligën e Kampioneve. Kjo befasi nuk ka kaluar pa kërkuar sqarime nga gazetarët, të cilët e kanë pyetur De Biazin pse nuk është lojtari në fjalë. Trajneri italian i kuqezinjve është justifikuar me zgjedhje të tija taktike, duke thënë: “Janë zgjedhje taktike të miat. Me skemën aktuale luajmë me një sulmues, por kjo nuk do të thotë se ai nuk do të aktivizohet. Në të ardhmen jam i sigurtë se do të gjejë më shumë hapësira.” Shumë i cuditshëm ky qëndrim i trajnerit, kur bëhet fjalë për një nga lojtarët më në formë kuqezinj, që ka shënuar gola rregullisht me Bazelin, që merr pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, një kompeticion që ëndërrohet nga gjithkush që merret me futboll. Nëse nuk preferohet për të qenë titullar, pse nuk thirret si shumë të tjerë, që nuk luajnë apo përfundojnë në tribuna gjatë ndeshjeve? Pse “flaket” nga kombëtarja një aset i cmuar deri dje? Të jetë vallë zgjedhje taktike, apo ka dicka që nuk shkon në këtë rast. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Alban Mehën, i cili nuk do të jetë përkrah shokëve kuqezinj në këto miqësore, kur ishte në kualifikueset e tetorit. Sipas trajnerit të kombëtares. lojtari i Paderbornit mungon sepse nuk është në formën më të mirë fizike. Dhe këtu natyrshëm lind pyetja: Vallë ishte në formë më të mirë fizike në muajin tetor, kur u thirr për kualifikueset përkatëse, edhe pse nuk luajti. Tashmë Meha ka filluar të aktivizohet me skuadrën e tij, fundjavën e kaluar shënoi edhe një gol të mrekullueshëm. Argumentat e De Biazit nuk bindin, sidomos në rastin “Gashi”, megjithatë kjo mbetet të zbulohet me kalimin e kohës. Për momentin, një gjë është e sigurtë: Shqipëria nuk e ka luksin të refuzojë një lojtar si Gashi, i cili është më produktivi dhe garon në nivelin më të lartë për klube të futbollit europian, ndërkohë që ka të tjerë që ngrohin stolat në klubet e tyre dhe janë pjesë e listës së publikuar nga De Biazi.
Duke parë emrat e 27 lojtarëve të ftuar për dy miqësoret e radhës, bie në sy rikthimi i Odise Roshit, që mungoi ndaj Danimarkës dhe Serbisë për shkak dëmtimi, por luajti të premten dhe shënoi me skuadrën e tij në Bundesliga 2. Rikthim pas disa kohësh bën edhe Ledjan Memushi, që luan në Seria B në Itali me Peskarën.
Kujtojmë se ndeshja miqësore me Francën do të luhet më 14 nëntor, në orën 19:45, në “Stade de la Route de Lorient”, ndërsa më 18 nëntor zhvilohet miqësorja e parë historike me italianët e trajnerit Antonio Konte.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"