Zbulohen shifrat e kontratës së Polizoi Arbrit te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2016 | 11:26

Zbulohen shifrat e kontratës së Polizoi Arbrit te Kukësi

Gjatë paradites së djeshme Kukësi ka bërë goditjen e dytë në merkaton e verës duke zyrtarizuar mbrojtësin Polizoi Arbri. Procesi i përforcimit të grupit ndodhet në hapat e parë te Kukësi, i cili deri tani ka bërë dy zyrtarizime, ku i pari ishte sulmuesi Sidrit Guri. Verilindorët firmosën dje me Polizoi Arbrin, një dëshirë e vjetër e kuksianëve, pasi palët kanë qenë në bisedime që në merkaton e janarit, por ky transferim nuk u bë i mundur, pasi 27-vjeçari ndodhej nën kontratë me ekipin e Vllaznisë.

polizoi arbri

Gjërat ndryshuan me përfundimin e sezonit, pasi mbrojtësit të djathtë i përfundoi kontrata me shkodranët, ndërsa ishte i lirë të zgjidhte për të ardhmen e tij. Duke pasur parasysh këtë fakt, drejtuesit e Kukësit me në krye drejtorin Dervishi, që e udhëhoqi personalisht këtë operacion, kanë biseduar me menaxherin dhe me vetë lojtarin. Palët janë takuar ditën e shtunë, ku drejtori Dritan Dervishi i ka paraqitur ofertën financiare që klubi i Kukësit i ofron.

Pas akordit në parim, dje palët janë takuar me presidentin Safet Gjici. Takimi zgjati për rreth një orë në zyrën e presidentit, ku ishin të pranishëm katër drejtues të klubit, si dhe Polizoi Arbri. Lojtari pranoi ofertën e verilindorëve dhe firmosi një kontratë 1-vjeçare me të drejtë rinovimi dhe për 1 vit tjetër, pra 1+1.

Pa humbur kohë, ish-mbrojtësi i Flamurtarit dhe i Vllaznisë u prezantua në ambientet e klubit. Nuk bëhet e ditur zyrtarisht ana financiare, por nga burime të sigurta brenda klubit, gazeta mëson se mbrojtësi do të përfitojë plot 4 mijë euro në muaj.

Largimi nga Shkodra

Arbri e nisi mjaft mirë sezonin e fundit me Vllazninë, duke zhvilluar 19 ndeshjet e para si titullar i padiskutueshëm. Por në fillim të këtij viti, mbrojtësi beratas pësoi një dëmtim të rëndë, ku këputi ligamentin krocial. Për shkak të këtij lëndimi rendimenti i Arbrit nuk u duk në pjesën e dytë të sezonit dhe ndërhyrja kirurgjikale ishte e nevojshme. Pas ndërhyrjes që doli me sukses, u tha se Arbri pas riaftësimit do të vazhdonte me Vllazninë edhe në sezonin pasardhës, ndonëse kontrata i përfundonte në fund të qershorit.

Madje, emri i Arbrit është lakuar në listën e rinovimeve në Shkodër, gjë e cila nuk u realizua. Para dy ditësh, Arbri i pranoi kontaktet që kishte, por tha se fillimisht priste fjalën e Vllaznisë. Nga ajo që ndodhi dje, të lë të kuptosh se shkodranët nuk i kanë kënaqur shijet e mbrojtësit beratas, i cili në fund preferoi që të firmosë me Kukësin.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"