Zëvendësuesi i Dalipit, rrëfehet trajneri Shabani: Viti i Luftëtarit, erdha për Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2024 | 19:25

Zëvendësuesi i Dalipit, rrëfehet trajneri Shabani: Viti i Luftëtarit, erdha për Kategorinë e Parë

Pak ditë më parë në krye të pankinës së Luftëtarit u zyrtarizua Besmir Shabani, i cili zëvendësoi Edmond Dalipin. Gjirokastritët i besuan teknikut vlonjat çelësin e ekipit dhe gjithçka ka nisur nga puna për krijimin e një ekipi serioz dhe pretendent në sezonin 2024-2025.

besmir shabani dhe flamur golemi

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Shabani rrëfen gjithçka që ka lidhje me aventurën e tij si trajneri i Luftëtarit.

Latë Arabinë dhe firmosët në Gjirokastër, çfarë ju bindi për këtë?

Arabinë e lashë pas një periudhe të gjatë pune, por duhet të qëndroja pranë familjes. Vendosa të largohem prej Arabisë, por nuk është largim përfundimtar. Ajo që më bindi për të firmosur me Luftëtarin është projekti që kanë drejtuesit kanë, si kushtet që më ofruan. Mendoj se këtë vit Luftëtari ngjitet në Kategorinë e Parë.

Ka disa prurje të reja në ekip. Çfarë prisni nga merkatoja dhe ku ka nevojë ekipi për ndërhyrje?

Mendoj se nuk ka nevojë për shumë ndërhyrje. E ndoqa rastësisht ekipin në “play off” dhe grupi është shumë i mirë. Me grupin aktual dhe 2-3 prurje të tjera, mendoj se gjithçka do jetë në rregull.

Cili është objektivi juaj në krye të Luftëtarit?

Objektivi është një dhe i vetëm, kthimi në Kategorinë e Parë. Luftëtari e meriton dhe është momenti i duhur. Drejtuesit besuan në aftësitë e mia se mund të realizoj atë çfarë pret një qytet i tërë. Mundësitë janë, kushtet po ashtu. Atëherë mendoj dhe besoj se të gjithë së bashku do ia dalim.

Keni një ide për skuadrat që do të rivalizojnë me njëra-tjetrën për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë në fund të sezonit 2024-2025?

Fokusi ynë do të jetë vetëm tek ekipi ynë dhe do shikojmë vetëm veten. Mendoj se rival do të kemi vetëm veten. Besoj fort në atë që thashë më sipër dhe do të jemi pretendenti kryesor për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Ҫdo qytet bën më të mirën për ekipin e tij dhe Gjirokastra deri tani ka treguar se di ta bëjë këtë.

FATOS LAMAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"