Zgjedhjet në Federatën e Skive, aty ku e moralshmja ishte e pamoralshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2017 | 18:08

Zgjedhjet në Federatën e Skive, aty ku e moralshmja ishte e pamoralshme

Erjon-TolaFERDINAND TOLA

Më datë 11 janar mora pjesë në asamblenë zgjedhore të Federatës së Skive si anëtar i saj, ku do të bëheshin zgjedhjet për presidentin dhe këshillin drejtues të saj. Shkuam në një asamble që nuk mblidhej prej 4 vitesh (statuti imponon të paktën një herë në vit) të detyruar të dëgjonim rendin e ditës dhe të votonim. Detyrim ky që u kundërshtua nga unë dhe pjesëmarrës të tjerë.

Vigjilja e asaj asambleje ishte e nderë. Disa net më parë, në emisionin STOP u transmetua një aferë jonormale. Persona, anëtarë të federatës, flisnin për një përfshirje direkte të presidentit aktual lidhur me formularët që duhet të plotësojë çdo shoqatë sportive, anëtare e federatës. Të nënshkruara këto me emrin e kandidatit që propozon ajo vetë për kryesi, apo për president federate. Aty shihet qartë që këtyre personave u ishte kërkuar të dërgonin formularët e paplotësuar. Vetëm të firmosur dhe vulosur nga shoqata, pasi për emrat do të “kujdesej” presidenti aktual. Natyrisht do të vendoste emrin e tij dhe të personave pranë tij.

Theksojmë se presidenti aktual ka 24 vjet që drejton federatën dhe është një burokrat i shkëlqyer për t’u zgjedhur dhe rizgjedhur president, qoftë kjo transparente apo jo, si në rastin e fundit. Me këtë i bëhen 28 vite president dhe me moshë tepër të kaluar, mbi 70 vjet (nuk e di se do të ketë vend për të rinjtë në këtë federatë dhe sa breza të rinj ka djegur kjo kandidaturë edhe më parë).

Komplimente Shkëlqim Mema! Turp atyre që e propozuan dhe e votuan duke ditur që të gjithë ata, pas shpinës së tij, nuk kanë lënë gjë pa më thënë për të! Kjo është hipokrizia që unë pashë në atë asamble! Nuk ishte vetëm kjo që më la pa fjalë, por ishte indiferenca e të ftuarve dhe anëtarëve. Prezentë ishin zv.ministri i Sporteve, kryetari i KOKSH-it dhe një drejtor drejtorie në Ministrinë e Sporteve, të cilët pas pyetjes sime “a e kishin parë një natë më parë dhe lexuar në gazetë atë aferë që u dha në TV?”, si reagim mora një indiferencë totale, sa më erdhi mua turp që e denoncova. Të ftuarit dhe pjesëmarrësit u treguan indiferentë përballë këtij fakti, sa m’u duk sikur ajo që po thosha ishte jashtë kontekstit të asaj mbledhjeje!

Pavarësisht gjithë këtyre, ata vazhduan me qetësi rendin e ditës. Në këto zgjedhje, Erjon Tola, “arkitekti i skive” në Shqipëri, kishte hedhur kandidaturën për anëtar kryesie. Kandidaturë kjo që u hodh poshtë me një interpretim të statutit si konflikt interesi. Megjithatë, kjo pikë e statutit nuk u mor parasysh kur një tjetër skiatore arriti të futej në kryesi. Si ka mundësi që statuti vlen për një individ dhe për një tjetër jo? Nuk është konflikt interesi edhe rizgjedhja e vazhdueshme prej 24 vitesh e të njëjtit president?

Të paktën moralisht, ajo asamble nuk duhej zhvilluar në ato kushte, por duhej shtyrë dhe të delegohej për federatë nga Ministria e Sporteve një president provizor deri në zgjedhjet e ardhshme. Kjo të paktën është zgjidhja më e drejtë dhe e moralshme për rastin në fjalë, por pata përshtypjen se denoncimi im ishte ai i pamoralshmi në atë ambient…! Po flasim për një sport si skia, që është ndërtuar vetëm mbi sakrifica në shtetin shqiptar. Në radhë të parë, mua më lind pyetja: “Pse ky personazh kërkon akoma të jetë president edhe pas 24 viteve? Kur tashmë është në një moshë të thyer? Çfarë do t’i japë ai akoma federatës dhe të rinjve, ndryshe nga ato që ka dhënë deri më sot?”.

Janë pyetje këto që ua drejtoj edhe institucioneve përkatëse për sportet, siç janë Ministria e Sporteve dhe KOKSH-i. Pse duhet të aprovoni një kandidaturë të tillë që ka 24 vjet që e mban atë federatë me hir ose me pahir, me transparencë ose pa transparencë?! Nuk di më se me çfarë morali udhëhiqen këto institucione… Ju drejtohem ju, të gjitha institucioneve përkatëse dhe anëtarëve të federatës! Mbas 24 viteve që Shkëlqim Mema drejton federatën, së bashku me 4 vitet që siguroi në këto zgjedhje të padrejta, është e pamohueshme që e ka kthyer federatën në një pronë private. Ky nuk është faji i tij, por i joni dhe i juaji. Autori ishte për refuzimin e kandidaturës së Shkëlqim Memës.

* Ferdinand Tola është anëtar i Federatës së Skive dhe babai i skiatorit Erjon Tola.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"