“Zgjohet” Kukësi, javën tjetër zbret në fushë. Ja trajneri që do të drejtojë verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2024 | 21:52

“Zgjohet” Kukësi, javën tjetër zbret në fushë. Ja trajneri që do të drejtojë verilindorët

Lajme të mira vijnë nga skuadra verilindore, që duket se po e merr veten pas zbritjes nga Superiorja në Kategorinë e Parë. Kukësi pritet të dalë në stërvitje javën e ardhshme. Burime të besueshme në klub pohojnë për gazetën, se kuksianët janë gati për të nisur përgatitjet për sezonin e ri.

kukesi, kernaja nica

Synim i tyre i vetëm do të jetë rikthim i direkt në Superiore. Mësohet se lojtarët që janë nën kontratë dhe që nuk janë larguar deri tani nga klubi, do të vijojnë të jenë pjesë e ekipit edhe në të Parën. Rashiti, Salami, Momoh, Hasaj, Fejzaj e disa të tjerë do të përbëjnë bazën e skuadrës së edicionit të ri. Sakaq, do të bëhen edhe 4-5 afrime të tjera cilësore, për të kompensuar largimet dhe për të pasur në dispozicion një skuadër që synon arritjen e objektivave.

“Panorama Sport” mëson se drejtimin e skuadrës do ta marrë Oltion Kërnaja, i cili sezonin e kaluar ka qenë numri dy i pankinës dhe ka marrë momentalisht besimin e klubit për t’i udhëhequr ai në të Parën. Edhe pse ende nuk ka asnjë vendim zyrtar, do të jetë ai që do të drejtojë skuadrën gjatë nisjes së përgatitjeve, duke marrë kështu në dorë edhe “timonin” e ekipit. Siç dihet, Kukësi ka pasur shumë largime këtë edicion pas rënies nga elita, por fakti që një pjesë e mirë e lojtarëve janë nën kontratë “ngroh” disi. Prandaj, me pak afrime mund të jenë kompetitivë dhe të tentojnë menjëherë ngjitjen në Superiore.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"