Zgjohet Tirana, Kukësit i bëhen makth transfertat, Daja debuton me fitore
TIRANA-KUKËSI 2-1
GOLAT: Muça 7′, Veliu (aut) 38’/ Mici 90+1′
TIRANA: Ed.Bakaj, Smajli, Karan, Muça, Hoxhallari, Kërçiku, Teqja (Kavdanski 73′), Malaj, Fukui, Lika (Gilberto 68′), El.Bakaj (Domgjoni 90′); (në dispozicion: Frashëri, Peçi, Halili, Kadriu). Trajner: Ilir Daja
KUKËSI: Koçi, Hallaçi (Dhima 83′), Malota, Veliu (Nika 41′), Mici, Musolli, Shameti, Flores, Karioka (Jonuzi 58′), Kruz, Lima; (në dispozi- cion: Koliqi, Çema, Xheferson). Trajner: Hasan Lika
VËZHGUES: Ilirian Kriso (Tiranë);
DELEGAT: Lysien Nurishmi (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Flores 53′, Shameti 83′, Dhima 88’/ Hoxhallari 57′, Ed.Bakaj 90+3′
GJYQTARET E.Jorgji, E.Gançi, A.Mahmuti (Elbasan)
Zgjohet Tirana. Debutimi i Ilir Dajës shoqërohet me një trepikësh qetësie në kampin bardheblu, që mposhti dje me shifrat 2-1 Kukësin në “Qemal Stafa”. Nëse kryeqytetasit sigluan fitoren e 3-të sezonale, ekipi i Troisit vazhdon të ngecë në transferta. Goli i shpejtë i kapitenit Muça pasohet me një tjetër nga Veliu, i cili, në tentativë për ta larguar topin, shkakton autogol. Mici i ngushton shifrat në minutën e 91-të, por ishte shumë vonë për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.
Pjesa e parë
Tirana u shfaq mjaft këmbëngulëse që në start. Është Elis Bakaj që rrezikon radhazi, në të 5-ën dhe të 6-ën minutë, por në të dy rastet ndërhyrja e portierit Koçi rezultoi vendimtare. Por pa kaluar shumë, konkretisht në të 7-ën, zhbllokohen shifrat. Gilman Lika ekzekuton në perfeksion një goditje këndi, Muça ndërhyn me kokë dhe e dërgon topin drejt e në rrjetë. 1-0 për kryeqytetasit, që sigurisht nuk kënaqen me kaq dhe vihen menjëherë në kërkim të golit të qetësisë. Mirëpo, nga ana tjetër, as Kukësi nuk pajtohet me këtë rezultat dhe tenton barazimin. Por, Tirana mbrohet fort, duke mos krijuar shumë hapësira dhe bllokuar çdo rast të miqve. Në të 17-ën, bardheblutë ishin pranë golit të dytë, por Elis Bakaj është i pafat. Fukui kroson nga e majta, sulmuesi në pozicion godet fluturimthi në stil “gërshërë”, por portieri Koçi bën shpëtimtarin. Dhe topi prek shtyllën, përfundon vetëm jashtë. Kundërpërgjigjen verilindorët në të 22-ën. Kruz ekzekuton një goditje dënimi nga e djathta, grushton portieri Ed.Bakaj. Presingu i vendësve shtohet dhe në të 38-ën vjen goli i shumëpritur, por nga këmbët e Veliut. Mbrojtësi i pafat, në tentativë për të larguar topin e krosuar nga japonezi Fukui, pa dashje shkakton autogol. Stafi teknik merr direkt “masë” ndaj vlonjatit, duke e zëvendësuar me Nikën. Lëvizje kjo që e detyron Troisin që të tërheqë Shametin në qendër të mbrojtjes, në krah të Malotës. Ky 45-minutësh është mbyllur 2-0 për Tiranën, edhe pse miqtë kanë tentuar të ngushtojnë diferencat, por pa pasur forcën e duhur.
Pjesa e dytë
45 minutat e dyta rinisin me të njëjtin temp, me Tiranën më kërkuese që i imponon lojën e vet kundërshtarit. Por, edhe Kukësi nuk mbetet pas, teksa mundohet të ngacmojë, po pa gjetur portën. Bardheblutë menaxhojnë avantazhin dhe provojnë që të godasin me anë të kundërsulmit. Në të 54-ën, Flores kombinohet me Limën, që tenton të shënjestrojë kuadratin, por topi devijohet në korne. Tenton El.Bakaj pas 4 minutash nga 25 metra distancë, por topi përfundon vetëm në rrjetën e sipërme. Sulmuesi vazhdon të jetë protagonist dhe, në të 67-ën, nga e djathta kroson një top para portës së Kukësit, por aty nuk është askush që të devijojë në rrjetë. E njëjta situatë përsëritet në të 76- ën, kur Kërçiku shërben në zonë, por topi, edhe pse kalon pasqyrën e portës, nuk preket nga asnjë lojtar bardheblu. Në minutën e parë shtesë befason Gledi Mici, që shënon një gol realisht të bukur në distancë. Pas një topi të grushtuar nga Ed.Bakaj, topi shkon te Mici, që me një goditje potente e dërgon topin drejt e në kuadrat dhe ngushtuar shifrat në 2-1. Kur kishin mbetur edhe 3 minuta nga fundi, tensioni shtohet në fushë. Gjë që ndodhi në të 92- ën, kur Hoxhallari ishte në fushë i dëmtuar. Por, kjo situatë u menaxhua nga gjyqtari Jorgji, i cili vendosi menjëherë qetësinë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"