Zguro largohet nga Korabi, priten 3 afrime në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2016 | 11:56

Zguro largohet nga Korabi, priten 3 afrime në janar

Largimi i parë te Korabi, në prag të hapjes zyrtare të merkatos së dimrit, është Vangjel Zguro. Futbollisti është takuar dje me drejtuesit e klubit dibran dhe pas bisedimeve ai ka gjetur akordin për të ndërprerë bashkëpunimin me Korabin. Pas marrëveshjes mes palëve, Zguro ka tërhequr dokumentacionin dhe nga dje ka dalë lojtar i lirë.

Vangjel Zguro

Nuk dihen arsyet që e çuan lojtarin për të marrë këtë vendim, dihet që futbollist nuk i ka pasur marrëdhënie të mira me trajnerin Gerd Haxhiu. Fërkimet mes palëve kishin të bënin me thyerjen e disiplinës në skuadër, ku në ndeshjen me Luftëtarin ai u pezullua.

Përpara ndeshjes me gjirokastritët, Zguro shfaqi pakënaqësi ndaj trajnerit Haxhiu, pasi i kishte kufizuar hapësirat e aktivizimit në fushën e lojës. Gjithsesi, drejtuesit janë treguar zemërgjerë për të mos e penguar lojtarin për të kërkuar ekipe të tjera. 23-vjeçari nga Pogradeci mësohet se ka disa oferta nga klube të Kategorisë Superiore dhe, në ditët në vijim, pritet të vendosë për të ardhmen.

Merkato

Sigurisht që largimi i Vangjel Zguros nuk do të jetë i vetëm në këtë merkato, pasi në ditët në vijim parashikohen largime të tjera. Por, boshllëqet e krijuara pas largimeve pritet që të zëvendësohen menjëherë. Në fillim të janarit dibranët do të publikojnë edhe emrat e përforcimeve të para. Mësohet se, për momentin, drejtuesit po bisedojnë me tre futbollistë, ku bëhet fjalë një mbrojtës dhe dy mesfushorë, por emrat e tyre nuk bëhen të dituar, pasi ende nuk është gjetur akordi.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"