Zhdrella kërkon largimin. 26-vjeçari nuk po e përjeton mirë largësinë me familjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2014 | 13:55

Zhdrella kërkon largimin. 26-vjeçari nuk po e përjeton mirë largësinë me familjen

ZHDRELLAPartizani i sezonit të ri prej 10 ditësh ka ni sur përgatitjet për sezonin ri, por menjëherë në kampin e kuq kanë nisur problemet. Sikur të mos mjaftonte humbja në miqësoren e së mërkurës me Vëllazërimin e Kërçovës, dje “demat” janë tronditur nga kërkesa e Mentor Zhdrellës. Fantazisti kosovar i ka kërkuar presidentit Gaz Demi që ta lërë të lirë, në mënyrë që ai të largohet drejt Kosovës. Lojtari i ka kërkuar presidentit se nuk është mësuar të rrijë larg familjes, kështu që nuk po e suporton dot këtë periudhë gati dyjavore. Lajmi në fjalë konfirmohet edhe nga klubi, ku përmes zyrës për shtyp bëhet me dije për “Panorama Sport” se presidenti Demi i ka kërkuar Zhdrellës që të mos nxitohet, prandaj ai duhet të reflektojë dhe ta marrë me qetësi situatën. Pra, presidenti kërkon nga kosovari që të lërë mënjanë emocionet, ndaj i ka lënë kohë atij të mendohet mirë para se të marrë vendimin final. Ndërsa lojtari tha se ende nuk ka vendosur çfarë do të bëjë, por pohoi se para se të marrë vendimin përfundimtar, kërkon të qartësojë disa punë të tija. Me shumë gjasa, Zhdrella konsiderohet i larguar, pasi për “Panorama Sport” ai pohoi se e ka shumë problem që të rrijë larg familjes, gjë të cilën më parë ia ka komunikuar edhe presidentit Demi. Për këtë çështje që ka dalë tek të kuqtë ka folur edhe trajneri Duro, i cili për gazetën pohoi: “Për 10 ditë që e stërvita, Zhdrella ishte djalë shumë i mirë dhe korrekt. Arsyeja që kërkon të largohet është se nuk rri larg familjes. Presidenti i ka dhënë kohë që të reflektojë”. Për Mentor Zhdrellën është folur shumë në të shkuarën, pasi në sezonet e fundit ai ka qenë i lakmuar në Shqipëri nga disa ekipe, por asnjë herë nuk mori guximin që të lërë Kosovën. Lidhjen me familjen 26-vjeçari e ka shfaqur edhe në të shkuarën, ku ka refuzuar disa oferta të majme nga disa klube europiane. Edhe në këtë merkato vere ka pasur lajme kontradiktore për kosovarin, pasi një herë u tha se ka rënë dakord me Skënderbeun, por në fund Mentor Zhdrella vendosi që për herë të parë të lërë Kosovën duke nënshkruar me Partizanin.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"