Vllaznia rikthen Likën, vishet kuqeblu pas 6 vitesh, ja prapaskena me kontratën
Gilman Lika te Vllaznia. Nuk është më një dëshirë e klubit shkodran, por nga dje konfirmohet zyrtarisht se lojtari ka arritur marrëveshjen me drejtuesit për të luajtur me kuqeblutë në pjesën e mbetur të sezonit. Administratori i Vllaznisë, Neritan Kalamishi, njoftoi në mbrëmjen e së premtes se është arritur marrëveshja me Likën dhe se sot lojtari do të firmosë zyrtarisht një kontratë 6-mujore. “Panorama Sport” kontaktoi menjëherë me futbollistin, i cili gjithashtu konfirmoi lajmin dhe sqaroi detaje të akordit. “Po, kemi rënë parimisht dakord me klubin për të gjitha pikat e kontratës. Nesër (sot) do të firmos zyrtarisht për 6 muaj. Kemi vendosur një klauzolë në kontratë, që kjo marrëveshje mund të prishet në çdo moment brenda muajit janar, nëse unë gjej një ekip jashtë Shqipërisë. jë ekip jashtë Shqipërisë. Kam biseduar së fundmi me klubin ukrainas, Vorskla Poltava, por deri më tani nuk ka pasur diçka konkrete. Negociatat janë shtyrë, por gjithsesi e vërteta është se unë kam arritur akordin me Vllazninë dhe nëse nuk gjej një skuadër jashtë Shqipërisë, në Superiore do të luaj me 100% për ekipin e vendlindjes”, deklaroi Lika. Nga burime jozyrtare mësohet se paga e Likës pritet të jetë katër milionë lekë të vjetër në muaj. Mesfushori rivesh fanellën kuqeblu pas më shumë se gjashtë vitesh. Për herë të fundit ai ka luajtur me Vllazninë më 14 gusht të vitit 2008, pikërisht në ndeshjen e Ligës së Europës të luajtur në “Loro Boriçi” kundër Napolit. Në ndeshjen e sotme ndaj Kukësit lojtari nuk do të jetë i gatshëm.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"