Zyrtarizohet largimi i portierit Romeo Harizaj, trajneri Mërgjyshi afër rinovimit me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2024 | 11:11

Zyrtarizohet largimi i portierit Romeo Harizaj, trajneri Mërgjyshi afër rinovimit me Apoloninë

Apolonia po përjeton një periudhë largimesh. Shumë lojtarë nuk kanë rinovuar kontratën. I pari që zyrtarizoi largimin, pas përfundimit të kontratës 5-vjeçare, ishte Stefano Omeri. Ndërsa i larguari i dytë është portieri Romeo Harizaj.

Artan Mërgjyshi, gjatë seancës së parë si trajner i Apolonisë 9

Kjo ishte përfolur pak ditë më parë, por vetëm fundjavën që lamë pas është zyrtarizuar gjithçka, kur ai ka tërhequr letrat nga klubi. Me dakordësinë e të dy palëve, si dhe me përfundimin e kontratës, Romeo Harizaj i jep fund kështu aventurës me Apoloninë pas dy sezonesh radhazi në Kategorinë e Parë. Ai ishte pika kryesore dhe për më tepër kapiten i skuadrës. Edhe pse ishte portier, Harizaj shënoi 2 gola në sezonin e fundit, një kundër Flamurtarit në kampionat dhe një kundër Partizanit në Kupë.

Ai ka luajtur 31 nga 35 ndeshjet e kampionatit, me 2799 minuta në fushë, padyshim ishte një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Apolonisë. Nëse statistikat e nxjerrin Apoloninë si një nga ekipet që pësoi më pak gola, meritë të veçantë kishte portieri Romeo Harizaj. U mendua se drejtuesit do të bënin të pamundurën për të mbajtur boshtin e titullarë të sezonit të kaluar, por me sa duket kjo pistë ka rënë shumë shpejt. Apolonia duhet ta nisë merkaton pikërisht nga porta. Për të ardhmen, Harizaj po shqyrton një pistë në Superiore dhe një në Kategorinë e Parë. Klubi në këtë rast nuk përfitoi asgjë, pasi Harizaj u largua si lojtar i lirë, meqë kontrata i përfundoi me mbylljen e kampionatit. Me shumë mundësi Romeo Harizajn pritet që ta shikojmë në Superiore në sezonin 2024-2025.

Trajneri Mërgjyshi

Me mbylljen e edicionit të kaluar, ku fierakët u pozicionuan në vendin e 5-të, si edhe humbën finalen e “play off”-it përballë Flamurtarit, përfundoi edhe kontrata e Artan Mërgjyshit. Megjithatë, trajneri vijon të punojë çdo ditë me skuadrën në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” dhe mbetet kandidati kryesor për t’i drejtuar sërish fierakët në Kategorinë e Parë. Për momentin nuk ka pasur një takim zyrtar mes palëve për të sqaruar situatën dhe nëse do ta vazhdojnë ose jo bashkëpunimin mes tyre. I kontaktuar ekskluzivisht nga “Panorama Sport”, trajneri Artan Mërgjyshi ka sqaruar shkurtimisht situatën aktuale me Apoloninë: “Ne po vazhdojmë të stërvitemi çdo ditë, ka vullnet nga të dy palët për të vazhduar më tej bashkëpunimin, por s’është mbyllur asgjë.”

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"