Magani zyrtarizohet në drejtimin e stolit bardheblu: Mbijetojmë, s’i trembem fundit
Gugash Magani është trajneri i ri i Tiranës. Kanë mjaftuar vetëm 12 orë që peqinasi të bindet dhe të marrë drejtimin e skuadrës kryeqytetase. Pas telefonatës së marrë nga donatori Babasi, dje paradite, konkretisht në orën 10:00, palët janë ulur në kafe kanë gjetur akordin. Vetëm një orë më vonë ai është prezantuar para futbollistëve kryeqytetas si drejtuesi i ri i tyre. Pas mbylljes së seancës së parë stërvitore si trajner i Tiranës, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai rrëfen arritjen e marrëveshjes 6-mujore, si dhe objektivat. Është i bindur për mbijetesën, ndërsa beson se mund ta ngjisë edhe më lart në renditje.
Magani, jeni zyrtarisht trajner i Tiranës, çfarë akordi keni arritur?
Po, e vërtetë. Nga sot (dje) jam zyrtarisht te Tirana. Kam arritur një marrëveshje 6- mujore me drejtuesit e klubit. Pas telefonatës që më bëri donatori Ndriçim Babasi, pasi e mendova, vendosa që të pranoja.
Ekipi renditet i fundit, ju tremb ky fakt?
Gjendja është e vështirë, çka dihet tashmë. Vendi i fundit e dëshmon, por veç disavantazheve ka edhe shumë avantazhe kjo situatë. Mendoj se ekipi duhet të ketë më shumë besim te vetja dhe besoj se nuk do e rrezikojë rënien.
Sa e njihni këtë skuadër?
Çdo skuadër ka pikat e veta të forta, por edhe të dobëtat. Do mundohemi që të nxjerrim më shumë nga këto elemente pozitive që kemi. E kam ndjekur këtë skuadër, ndaj mendoj se e njoh mjaftueshëm. Në vazhdim sigurisht që do e njoh edhe më shumë.
Me këtë grup mendoni se Tirana do e kalojë krizën, këtu u referohemi ndeshjeve të mbetura të këtij viti kalendarik?
Nëse e sheh grupin, pjesa dërrmuese e tij është me ekipe kombëtare të moshave. Pra, sigurisht që vlera ata kanë, kësisoj jam i bindur që kriza mund të kalohet. Megjithatë, do t’i marrim ndeshjet një e nga një.
Klubi ju ka vendosur si objektiva 6 pikë në tri ndeshje dhe fitimin e kupës, e vërtetë?
Për objektivat do të flasim më mirë më vonë, tani të mendojmë për takimin e radhës.
Kupa afron, Tirana luan sërish me Lushnjën. Besoni te fitorja dhe kalimi i këtij raundi?
Sigurisht që besoj. Unë kam ardhur me ide të qarta dhe me shpresën që fitoret të nisin që nga sfida e radhës, pra që tek ajo me Lushnjën.
Shumë trajnerë shqiptarë e kanë refuzuar Tiranën. Ndiheni më shumë guximtar, përderisa pranuat ta drejtoni, edhe pse në vendin e fundit?
Nuk e di se kush mund ta ketë refuzuar, por unë u binda pasi fola menjëherë. Pastaj, unë jam guximtar nga natyra. Edhe para disa vitesh kur e mora Flamurtarin, po rrezikonte rënien, dhe në fund kapëm vendin e 5-të.
Mendoni se do e ripërsërisni një gjë të tillë edhe me Tiranën?
Ky është qëllimi. Që t’i largohemi fundit dhe më tej të tentojmë ngjiten për më lart. Klodian Dervishi do jetë krahu juaj i djathtë? Po, ai do të jetë bashkëpunëtori i mirë në këtë detyrë.
JA SI U ARRIT AKORDI ME MAGANIN
1. Pasditen e së shtunës, fill pas humbjes në Lushnjë, donatori Ndriçim Babasi telefonoi Gugash Maganin, të cilit i kërkoi që të merrte drejtimin e skuadrës bardheblu.
2. Magani kërkoi kohë, pasi donte të mendohej. Në mbrëmjen e së shtunës u la që palët do të uleshin për kafe dhe do bisedonin më konkretisht.
3. Të dielën paradite, konkretisht në orën 10:00, Magani u takua në kafe me Babasin. Pasi folën me detaje, gjetën gjuhën e përbashkët, edhe financiare.
4. Donatori i ka vendosur vetëm dy objektiva trajnerit të ri: të marrë 6 pikë nga 3 ndeshjet e mbetura të këtij viti kalendarik dhe të fitojë Kupën e Shqipërisë.
5. Për pjesën financiare, mësohet se tekniku do të përfitojë afërsisht 4 milionë lekë në muaj.
6.Mendohet që sot të hidhet edhe firma mbi kontratë, duke qenë se në të gjitha drejtimet është arritur akordi.
7.Nuk kaloi as një orë dhe, në orën 11:00 të ditës së djeshme, Babasi, nën shoqërinë e Maganit dhe Dervishit, iu drejtuan ambienteve të stërvitjes. Aty ata u prezantuan zyrtarisht si trajneri dhe zëvendëstrajneri i ri i Tiranës.
Magani zhvilloi seancën e parë si trajner
Gugash Magani dje ka nisur zyrtarisht punën si trajner i Tiranës. Në orën 11:00 ai u prezantua si numri një i stolit dhe menjëherë filloi nga puna. Pasi u prezantua me lojtarët që do të ketë në dispozicion, ai zhvilloi stërvitjen e parë. Më shumë se një orë zgjati seanca, gjatë të cilës Magani e ndau grupin më dysh. Ata që luajtën të shtunën zhvilluan përgatitje të lehtë, të përqendruar te vrapi, ndërsa pjesa tjetër me ngarkesa. Nga dje nisi java anti- Lushnjë, sfidë që luhet të mërkurën në kuadër të Kupës së Shqipërisë. Do të jetë pikërisht kjo transfertë, në të cilën stafi teknik, me Maganin në krye, do të debutojë.
Kafe me ekipin pas stërvitjes
Fill pas mbylljes së stërvitjes, trajneri i ri i Tiranës, Gugash Magani, i ftoi të gjithë futbollistët bardheblu për kafe. Ata u ulën së bashku në lokalin që ndodhet pranë kompleksit “Skënder Halili”, ku kanë folur gjatë e gjerë me njëri-tjetrin. Qëllimi i teknikut ishte që të njihte më mirë lojtarët, duke qenë se i njeh ata kryesisht nga distanca. Bashkë me ta ka qenë edhe zëvendëstrajneri Klodian Dervishi, i cili mori dje këtë detyrë. Pas shkarkimit të Sokol Bulkut, Magani pat kërkuar që ta zgjidhte vetë ndihmësin e tij. Dervishi është peqinas, ashtu si edhe Magani, kësisoj do të jenë pikërisht ata stafi i ri kryeqytetasve. Sa i përket trajnerit të portierëve, ai nuk lëviz, pra Astrit Nallbani do vazhdojë të mbajë të njëjtën detyrë.
Semedo i mërzitur, mendon ikjen
Hoze Semedo ndihet i lodhur nga përvoja me Tiranën. Ai është parë mjaft i mërzitur dje. Në fund të seancës stërvitore, në një bisedë me gazetën, u shpreh tejet i pakënaqur me veten dhe rezultatet e ekipit. “Nuk po fitojmë prej javësh dhe unë nuk po arrij të shënoj, ndaj pa diskutim që jam i mërzitur. Nuk erdha këtu për parà, e them me pastërti, por për të bërë diçka të mirë. Mirëpo më duket se s’paska qenë e thënë. Megjithatë le të shpresojmë që të kthehemi në vazhdim”, – tha Semedo. I pyetur nëse po e mendon largimin në janar, ai u përgjigj: “Nuk e di, kam kontratë dhe dua ta respektoj. Por në këto momente realisht nuk di gjë”.
Keqmenaxhim i donatorëve, katër trajnerë në 13 javë
Tirana renditet e fundit, si asnjëherë tjetër gjatë historisë së saj si klub profesionist. Katër trajnerë në 13 javë kampionat nuk janë pak. Më i fundit që u emërua është pikërisht Gugash Magani. E gjithë kjo situatë ka si fajtorë drejtuesit, si dhe keqmenaxhimin e donatorëve, me në krye Babasin e më pas Halilin e Morinën. Që prej ardhjes së tyre, ata jo vetëm që nuk janë marrë vesh me njëri-tjetrin, por kanë marrë edhe vendime të nxituara. Siç është rasti më konkret, ai i lëvizjeve të shpeshta të trajnerëve, apo ndërhyrjet në pjesën teknike. Klubi më i titulluar në vend është duke përjetuar momentin më të errët në historinë e tij, pasi renditet i fundit dhe është kandidati kryesor për të rënë nga kategoria.
ADELA MERKO