Zyrtarizohet Morina, dështojnë afrimet e Kageres dhe Stojkov
Mario Morina është zyrtarisht pjesë e Tiranës. Më në fund ka marrë zgjidhje ky operacion, sepse nga Korça ka ardhur Ok-ji përfundimtar. Po dje është mbyllur edhe transferimi, kësisoj përfundimisht kartonin e lojtarit tashmë e kanë bardheblutë. Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, e ka lënë të lirë sulmuesin tiranas, i cili sot do ta nisë ndeshjen si titullar kundër Kastriotit. Lojtari ka nënshkruar një kontratë 6- mujore, që e mban të lidhur me bardheblutë deri në fund të këtij edicioni. Nga ana tjetër, pistat “Kagere” e “Stojkov” dështojnë. Ardhja e sulmuesit nga Ruanda nuk u realizua dot, për shkak se klubi i tij kërkonte para për kartonin. Kijovu Sport, që disponon kartonin, e ka bllokuar atë, pasi lojtari i detyrohet 30 për qind të kontratës që ka nënshkruar në 2013-ën. Ndërsa sa i përket mesfushorit maqedonas, Aco Stojkov, zvarritja e një përgjigjeje jo vetëm i lodhi drejtuesit e Tiranës, por edhe i detyroi ata që të hiqnin dorë përfundimisht nga shërbimet e tij. Në kushte të tilla, skuadra e drejtuar nga Magani e mbyll merkaton e janarit me 8 blerje. Më i fundit që do i bashkohet skuadrës është sulmuesit nga Burundi, Selemani Ndikumana, i cili ka firmosur për një vit e gjysmë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"