Zyrtarizohet trajneri i ri i kombëtares shqiptare, Duka prezanton Kristian Panuçin
Kombëtarja shqiptare e futbollit tashmë ka zyrtarisht në krye një trajner të ri. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka zyrtarizuar sot në një konferencë për shtyp se për 2 vite e 4 muajt e ardhshëm në krye të kuqezinjve do të jetë italiani 44-vjeçar, Kristian Panuçi.
Ish-futbollisti i njohur i cili ka qenë pjesë e skuadrave me emër si Milan, Real Madrid, Inter apo Roma, do të zëvendësojë Xhani De Biazin në krye të Shqipërisë me objektivin për të mbyllur kualifikueset e “Rusi 2018” në vendin e tretë në Grupin G dhe për të synuar më pas kualifikimin në finalet e Kampionatit Europian 2020.
Panuçi ka një eksperiencë të shkurtër si trajner teksa ka punuar si ndihmës i Fabio Kapelos në kombëtaren ruse dhe ka drejtuar skuadrat e Livornos dhe Ternanës në Serinë B.
DUKA
“Ka qenë një proces ndoshta i zgjatur pak në kohë sepse bashkë me stafin teknik të FSHF-së nuk kemi marrë një vendim të lehtë. Në këtë konferencë falënderoj të gjithë kandidatët që kemi kontaktuar të cilët kanë qenë gati të marrin drejtimin e Shqipërisë, duke filluar nga Zenga, një trajner shumë i mirë, Sedorf, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, Malezani.
Kemi marrë vendimin më të mirë, kemi zgjedhur një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, nuk besoj se ka nevojë t’ua prezantoj. Ka një eksperiencë të madhe si lojtar, ndoshta modeste në trajnim. Kemi bërë zgjedhje shumë të mirë, për mua është një njeri me vullnet dhe dëshirë të jashtëzakonshme. Jam i bindur që të gjithë bashkë do të bëjmë të mundur të jemi pjesë e EURO 2020.”
PANUÇI
“Mirëdita të gjithëve! Jam i nderuar që jam trajneri i ri i kombëtares shqiptare. Falënderoj presidentin Duka që më ka besuar këtë detyrë që po më jep emocione të mëdha, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi të madhe për këtë vend që po rritet shumë në futboll.
Ndaj si gjithmonë dua të falënderoj të gjithë Federatën të cilët bashkë me presidentin vendosën të më besonin kombëtaren. Jam i bindur se kemi një skuadër shumë të mirë, se ky vend mund të më dhurojë mua dhe stafit tim njohje në arenën ndërkombëtare.
Por njëkohësisht, shpresoj që fundit të jetë sa më vonë të jetë e mundur, edhe stafi im t’i ketë dhënë diçka Shqipërisë. Tani kemi katër ndeshje të rëndësishme, edhe pse Botërori është thuajse i pamundur, për të ndërtuar skuadrën për të shkuar në EURO 2020.
Këto katër ndeshje duhet të jenë katër ndeshje të luajtura me shumë dëshirë, ku do të shoh grupin që do të bëjë kualifikueset e EURO 2020. Nuk kam ende shumë për të thënë, pres me padurim që të punoj në këtë vend që po rritet.”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"