Pas shumë vitesh takohet me dy dashuri të hershme, për t’u rikthyer në ekran ndryshe në një spektakël kërcimi. E para është ish-e dashura, Roza Lati, dhe e dyta është dashuria për kërcimin, hobi i adoleshencës. Tani të kërcejë trup më trup me ish-in në një garë kërcimi mund t’i shkaktojë probleme që duhet t’i menaxhojë mes dy femrave. Kantautori Ernest Duka (Stine) rrëfen për “Panoramë” sekretet e një djali mendjehapur, të cilit e shkuara nuk i prish punë në të tashmen …
Merr pjesë në një garë kërcimi, pra i rikthehesh pasionit të fillimit të karrierës. Është bukur…?
Përjetimi është maksimalisht i bukur, emocionues, i lodhshëm, por që ia vlen, aq më tepër për mua që kam shumë kujtime me kërcimin gati në gjithë adoleshencën time.
Partner i Roza Latit, ish-të dashurës që kishe para disa vitesh. E mendove dy herë pjesëmarrjen, apo më shumë se dy?
Në fakt, në fillim nuk e dija që do kisha Rozën për partnere, thjesht me thanë që do të jetë pjesë e casting, por kur biseduam nga afër me produksionin, më pyetën nëse e kisha problem të kërceja me të, përgjigjja ishte “jo, aspak, pse duhet ta kem problem?”. Kështu që s’pata dhe shumë kohë ta mendoja këtë pjesë. Ndërsa sa i takon pjesëmarrjes në “Dance with me”, i dhashë vetes tri ditë kohë, për ta menduar që të rakordoja provat e netët e spektaklit me projektet e mia. Them se kam bërë zgjedhjen e duhur, edhe pse zgjodha rrugën më të vështirë për të mbajtur edhe gjërat e mia nën kontroll.
Gjatë kësaj periudhe që s’ishit bashkë me Rozën, kishit ruajtur një komunikim me njëri-tjetrin, apo armiq të përbetuar?
Në fakt, kur thoni “bashkë” është një fjalë që tashmë mua më duket si shaka, se kanë kaluar shumë kohë që kur ne shoqëroheshim, aq sa gati s’mbahet mend. Më pas të dy kemi pasur dhe kemi jetët tona pa njëri- tjetrin. Tani mund të them se më shumë kohë kemi si shokë sesa të lidhur, ndaj gjatë këtyre viteve me intervale i kemi ruajtur kontaktet dhe jemi takuar ndonjëherë. Kuptohet gjithmonë si dy shokë, asgjë më shumë.
Cili ka qenë deri tani kërcimi që përfaqëson marrëdhënien tuaj në këtë moment? Dhe cili është kërcimi që ju ngre peshë?
Ende s’e kam kërcyer atë që më përfaqëson. Ndërsa kërcimi ku gjej veten ishte puntata e tretë në linjën hiphop batle and break dance, ku dhe publiku e priti mjaft mirë si numër.
Por duket se je mes dy zjarreve, duke pasur parasysh që tashmë shoqërohesh me tjetër vajzë, ndërsa zënkat nuk mungojnë me Rozën gjatë provave…
Nuk është se grindemi vërtet me Rozën, ashtu siç përcillet nga ekrani. Ne komunikojmë drejt, pa zbukurime false që vihen re te një çift kërcimi të saponjohur. Kjo vjen për arsye të konfidencave që ne kemi ndër vite. Dhe ndoshta nganjëherë duket sikur grindemi, po në fakt unë e quaj llastim, jo zënkë.
Si është puna e të dashurës që të rri pranë në prova, nga e cila Roza ndihet e bezdisur?
Sa për personin e tretë, ajo është një shoqja ime, të cilën e njoh prej më shumë se 7 vitesh, dhe që është një nga personat që më ka qëndruar afër në shumë gjëra te miat. Ajo vazhdon e më shoqëron gjithmonë, dhe për këtë e falënderoj! E nëse bezdiset dikush për këtë pjesë, s’është problemi im.
Po atë batutën që the në spektakël se pajtohesh në darkë me Rozën, si ta kuptojmë?
Që pajtohemi në darkë, siç është thënë.
Je penduar që ia ke dedikur asaj këngët më të bukura të dashurisë?
E para, unë për faktin që shumicën e këngëve i kam për dashurinë s’do të thotë që i kushtoj këngë njërës apo tjetrës. Unë mund të frymë- zohem nga momenti, dhe dua ta përjetoj edhe me këngë, por dedikime specifike s’kam bëre ende. Plus publiku njeh vetëm Rozën si pjesë e të kaluarës sime, dhe sa herë që unë bëj këngë, e përkthejnë si dedikim për të, por jo.
Kërkon të thuash që pas lidhjes me Rozën ke provuar histori më të bukura e më interesante?
Gjatë këtyre shtatë viteve që s’kemi të bëjmë me njëritjetrin unë kam pasur histori shumë më të bukura dhe shumë më interesante se ajo me Rozën, kështu që s’ka lidhje më kjo pjesa e dedikimeve specifike. Fakt është që unë s’kam dashur t’i përfshij në profesionin tim, dhe as në showbiz si emra, ndaj përkthehet gabim vazhdimi pas asaj ndarjeje. Unë dashurisë do t’i këndoj gjithmonë dhe s’do pendohem kurrë për këtë, sepse është ajo çfarë bëj më së miri.
Keni ambicie për të fituar në “DWM”, dhe cili prej jush do e marrë kupën në shtëpi, nëse do jeni çifti fitues?
Unë mendoj se për kupën Roza s’do të ishte kundër ta mbaja unë, meqë ajo do të shijojë suksesin e saj. E nëse marrim dy kupa, atëherë do i ndajmë secili, nëse marrim tre, atëherë do ishte ç’do ishte.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al