Sulaj bën bashkë qindra karikaturistë nga e gjithë bota për tërmetin në Shqipëri

Dec 20, 2019 | 13:39
SHPËRNDAJE

agim-sulaj

ANILA DEDAJ/ Ndërsa shikonte përtej detit vendin e tij të mbështjellë nga zemërimi i tokës, piktori Agim Sulaj mendonte një gjest solidar që do të qetësonte sadopak zemrat e të lënduarve nga tërmeti.

“Që prej mëngjesit të 26 nëntorit kur ra tërmeti, pyesja veten se çfarë mund të bëja për të qenë pranë atyre që kanë nevojë”, tregon ai. I ndërgjegjshëm se arti e humanizmi së bashku bëjnë një grusht të fortë kundrejt dëshpërimit që ka kapluar ata që humbën të afërmit e të tjerë që mbetën të pastrehë, Sulaj organizon në 27 nëntor, fill një ditë pas tragjedisë, një konkurs ndërkombëtar me karikatura për tërmetin që preku Shqipërinë. “Doja që ky konkurs të përcillte mesazhe shprese, force, kuraje.

Afati i pjesëmarrjes ishte deri në 7 ditë, një kohë relativisht e shkurtër, ndaj mendova se artistët do të ishin jo më shumë se 40-50 vetë”. Mirëpo, solidariteti nuk njeh kufij e afate, ndaj kolegë nga e gjithë bota befasojnë artistin vlonjat, duke dërguar qindra karikatura me në fokus plagën e hapur në bregun e Adriatikut. “Përgjigjja ishte aq dashamirëse, saqë tejkalonte çdo pritshmëri timen. Dërguan punë nga të gjitha vendet, aq sa nëse shënoj në hartën e botës të gjitha vendet, formohet pa dyshim globi. Pati artistë nga Amerika, Britania, Rusia, Franca, Italia, deri tek Irani, Iraku, Siria etj.

agim-sulaj-1

Te të gjitha veprat, unë gjeja mesazhin që kisha menduar të përcjell”. Veprat e artistëve reflektojnë përmes zhanrit të karikaturës dhimbjen e madhe, hijen e zezë të dëshpërimit, grackën e vdekjes që vjen nga lëkundjet zemërake të tokës, por njëherazi inkurajojnë të prekurit nga tërmeti të ringrihen, për të kapërcyer tragjedinë. Sulaj e konsideron këtë konkurs si një tjetër tërmet të artit vizual, ku gjuha e solidaritetit dhe e bashkimit mbeten kryefjalë të veprave.

Nisma e piktorit, që gjeti përgjigje në më shumë se 45 shtete, pritet të pasqyrohet në një ekspozitë të posaçme për këtë konkurs në kryeqytet, ndërkohë disa punime janë ekspozuar në hotel “Plaza”, ku ai mban për të katërtin vit ekspozitën personale “Rrënjët IV”.

Mes artistëve që kanë propozuar karikaturat e tyre ka edhe mjaft emra të njohur, si: Marco d’Agostino nga Italia, Jitet Kustana nga Indonezia, David Row nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. Veprat pjesëmarrëse në këtë ngjarje artistike, por edhe të tjera janë pasqyruar në faqen e “Facebook”-ut “International Cartoon Contest Earthquake”, së cilës i shtohen çdo ditë punë të reja. “Janë vepra që tregojnë solidarizimin mes vendeve, mes njerëzve, pa bërë dallime, përkundrazi duke u unifikuar me një frymë vëllazërimi. Kjo nismë duket se ka përfshirë një numër të madh njerëzish, fëmijë e të rritur. Ka qenë shumë emocionuese kur një zotëri më ka kërkuar që të publikonim edhe reflektimin e vajzës së tij 9 vjeçe rreth kësaj ngjarjeje tragjike”, thotë piktori.

RIKTHIM TE RRËNJËT 

Prej 4 vitesh, artisti Agim Sulaj, pavarësisht angazhimeve në konkurset ndërkombëtare, rikthehet te “Rrënjët” duke sjellë për publikun kryeqytetas disa nga punët e tij më pikante. Kësaj here, mes 60 veprash artisti ekspozon për herë të parë 30 vizatime të viteve studentore, ku pasqyrohen me finesë edhe qytetet si Berati, Tirana, Vlora, Durrësi, siç kanë qenë afro 4 dekada më parë. Ekspozita do të qëndrojë për disa ditë e hapur në katin e parë dhe të tretë të hotel “Plaza”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura