Të enjten e parë të muajit shkurt të vitit të kaluar, Bujar Mehmeti nuk do ta harrojë kurrë. Atëkohë vetëm 20 vjeç, ai mori një ofertë që t’i niste studimet e doktoraturës për fizikë mjekësore në SHBA.
Edhe pse vetë kishte aplikuar në dy universitete amerikane, ai priste që procesi deri në përzgjedhjen përfundimtare të zgjaste të paktën deri në gjysmën e prillit.
“Ka qenë një intervistë gati dyorëshe dhe kemi biseduar për tema të ndryshme. Në fund të intervistës, profesori ka vendosur të ma ofrojë pozitën e asistentit dhe më ka thënë që dëshiron që unë të jem pjesë e laboratorit të tij”, thotë Bujari, nga fshati Babush i Muhaxherëve i Lipjanit, për Radion Evropa e Lirë.
Oferta ishte e papritur, por Mehmetit nuk iu nevojit shumë kohë për të vendosur. Ai i tha “po” atë ditë Universitetit Wisconsin-Madison, njoftoi universitetin tjetër amerikan se po tërhiqej nga gara dhe pak muaj më vonë u nis për në SHBA.
“Ky universitet, sidomos për kërkime shkencore në këtë fushë, është i përsosur. Buxheti i departamentit është gati 1.8 miliard dollarë. Për më tepër që doktoratura është një rrugëtim i gjatë dhe është e rëndësishme që të të pëlqejë ajo që do ta hulumtosh”, shton 22-vjeçari.
Bujarit i është thënë se është personi më i ri në moshë që është pranuar ndonjëherë në studimet për doktoraturë në këtë departament. Sipas Academia Insider, mosha mesatare e studentëve në doktoraturë në SHBA është 31.5 vjeç.