Tabela me pagat që do të rriten nga data 1 korrik! Nga sistemi arsimor e shëndetësor, burgjet e deri te punonjësit e administratës, zbardhen rrogat e reja për çdo kategori

Jun 27, 2024 | 9:57
SHPËRNDAJE

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimet për rritjen e pagave në sektorin publik.

4

Rritja e pagës, që hyn në fuqi nga 1 korriku, do të jetë për 135 mijë punonjës të administratës shtetërore, konkretisht punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar, punonjësit e sistemit shëndetësor, punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit (Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, Garda e Republikës, Forcat e Armatosura, Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi) si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.

PAGAT NE ARSIM

Nga rritja e pagave në administratën publike do të përfitojnë ndër të tjerë edhe 30 mijë punonjës në sistemin arsimor. Lajmin e bëri të ditur ministria e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu pas mbledhje së qeverisë ditën e sotme. Paga mesatare do të ketë rritje me 18 mijë lekë të reja apo me 3 paga në vit. Paga mesatare e mësuesve shkon në 950 euro.

Paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm, të lartë me vjetërsi mbi 15 vite punë nga 79 mijë 98 mijë 500 lekë. Në ciklin fillor, paga mesatare me mbi 15 vite pune nga 72 mijë 400 lekë në 95 mijë e 200 lekë. Paga mesatare e punonjësve socialë dhe psikologëve shkon në 910 euro. Paga mesatare e punonjësve të sigurisë në shkolla shkon në 900 euro në muaj. Do kemi dyfishim të pagesës për shërimin për kualifikim për mësuesit i kualifikuar dhe mësues specialist do dyfishohen shpërblimin. Kjo politikë pagash është gjithëpërfshirëse dhe përfitojnë gjithashtu edhe edukatorë në kopshte dhe çerdhe si dhe mësues të arsimit profesional.

Risitë në këtë skemë pagash janë: Rritja e masës së shpërblimit për mësuesit sipas kategorisë së kualifikimit, duke dyfishuar pagesën për kualifikimin për mësuesit e kualifikuar dhe mësuesit specialistë dhe duke rritur me 50% për mësuesit mjeshtër. Pagesa për vjetërsinë në punë përllogaritet mbi pagën e pozicionit për 30 vite punë në ndryshim nga aktuale ku përllogaritet mbi pagën e grupit deri në 25 vite punë. Përafrimi i pagave të mësuesve të arsimit 9-vjeçar me ata të mesëm. Shtimi i roleve të reja në shkollë si mësuesi/koordinator i cilësisë dhe orientimit të karrierës, i cili do të ndihmojë në rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe në kualifikimin e mësuesve.

Nga kjo politikë e re pagash përfitojnë gjithashtu edhe punonjësit e shërbimit psiko-social (psikologët dhe punonjësit socialë), oficerët e sigurisë në këto institucione, të cilët luajnë rol tepër të rëndësishëm në mirëqenien e dhe sigurinë e fëmijëve.

USHTRI E ZJARRFIKESE

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, bëri publike vendimin për rritjen e pagave për ushtarakët, që u miratua sot në Këshillin e Ministrave. Për ushtarin e katërt, paga do të shkojë në 71.000 lekë paga bazë sipas gradës dhe viteve të shërbimit, nga 42.000 lek në vitin 2019 pra një rritje në këto vite prej 29.000 lekësh. Të gjitha pagave u shtohet dhe trajtimi me ushqim që jepet në formën e pagës prej 16.000 lekësh. Ministri Peleshi ftoi dhe të rinjtë për t’u bërë pjesë e FA.

“Pra, një ushtar i VI nuk do të marrë 71.000 lekë, por do të marrë 87.000 lekë. Këtë duhet të dëgjojnë të gjithë të rinjtë, pasi kushdo që do të bëhet pjesë e Forcave të Armatosura e nis me një pagesë 87.000 lekë. Politika e këtij viti, e këtij vendimi, është nga 7 deri në 22% ku në ndryshim nga dy vitet e fundit, ku për të gjitha gradat pagat janë rritur me të njëjtën %, këtë vit do i japim më shumë prioritet gradave më të ulëta”, deklaroi Peleshi.

DEKLARATA E PLOTË E MINISTRIT

“Rreshteri në vitin 2019 e ka pasur pagën 48.200 lekë, më rritjen prej 30% shkoi në 62.660 me rritjen e sotme shkon në 80.000, plus 16.000 të trajtimit ushqimor. Majorit nga 68.800 lekë paga i shkoi në 89.440 lek pas rritjes me 30% dhe sot shkon në 107.000 pa trajtimin ushqimor. Diferenca në pesë vite është 38.200 lekë. Koloneli në 2019-ën paguhej 110.000 lekë, shkoi në 143.000 pas rritjes me 30% dhe sot shkon në 163.500 lekë pa trajtimin ushqimor.

Gjenerali e ka pasur 127.500 në vitin 2022, shkoi në 165.000 pas rritjes me 30% dhe sot shkon në 190.000 lekë. Pra, një rritje prej 62.500 lekësh. Brenda buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, ku e rikujtoj që ka arritur në 2% të GDP duke e bërë Shqipërinë një nga 22 vendet aleate në NATO që përmbushin angazhimin Aleancës ku 2% e GDP të jetë për mbrojtjen. Në buxhetin e pagave ne lëvizim 11 milionë dollarë, duke pasur parasysh që edhe personeli civil do të ketë rritjen e pagave siç u sqarua nga ministri i Financave. Unë kam kënaqësinë të sjell këtu edhe një vendim tjetër, po për rritjen e pagave, për një kategori që bën një punë shumë të rëndësishme, të pazëvendësueshme, të çmuar, që janë personeli zjarrfikës. Kanë një rritje që shkon deri në 30% në varësi të gradave. Asistent zjarri, që është grada më e ulët e zjarrfikësit, paga aktuale është 46.000 lek, rritet në përqindje 30.43%, në vlerë 14.000 lekë, paga sot shkon në 60.000 lekë.

Sapo hyn në Shërbimin Zjarrfikës, paga fillestare nga sot do të jetë 60.000 lekë. Zjarrfikës, një gradë më lartë, ka pasur pagën 52.500 lekë, sot shkon në 65,000 lekë. Kryezjarrfikës nga 55.000 lekë shkon në 70,000 lekë. Kryeinspektor zjarrfikës nga 74.500 lekë shkon në 85.000 lekë. Inspektor zjarrfikës 64.200 lekë shkon në 75.000 lekë, kom isar zjarrfikës nga 97.500 lekë shkon në 105.000 lekë. Drejtues zjarrfikës nga 108.000 lekë shkon në 115.000 lekë. Drejtues i parë zjarrfikës nga 120.000 lekë në 140.000 lekë dhe drejtues i lartë zjarrfikës nga 131.000 Lek shkon në 160.000 lekë. Peleshi e mbylli me një apel drejtuar kryetarëve të bashkive e forcave zjarrfikëse, të qëndrojnë në krye të detyrës për eliminin e pasojave, në një stinë që fatkeqësisht pritet të jetë me e nxehtë se vitet e tjera”.

POLICI E BURGJE

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se pagat në sektorin e burgjeve do të kenë një rritje që shkon nga 13- 27% dhe se përfitues do të jenë 3430 punonjës.

“Nga politika për rritje page ka përfituar edhe sektori i burgjeve, ku përfshihen Policia e Burgjeve, stafet mjekësore dhe ato civile. Nga kjo rritje do të përfitojnë 3430 punonjës të policisë së burgjeve. Rritja e pagave varion nga 13-27% mesatarisht 15.12%”, deklaroi ai, në një prononcim për mediat pas mbledhjes së qeverisë.

Sipas Manjës, nga vendimi i sotëm i qeverisë përfitues janë edhe kandidatët për t’u bërë pjesë e policisë së burgjeve, të cilët do të bëhen pjesë e strukturës dhe organikës dhe do të paguhen nga data 1 korrik me 80% të pagës së inspektorit.

“Rritja prej 15.12% mesatarisht përfshin vetëm njërin nga elementët e pagës, atë bruto, pasi vendimi parashikon rritje tek të gjithë elementët e tjerë të pagës si vjetërsia, shtesa për natyrë të veçantë të punës dhe kompensimin e normës ushqimore. Kjo rritje në vlerë e pagës blutë do të variojë nga 6 mijë në 33 mijë e 600 lekë. Kjo nuk do të jetë rritja e fundit e pagave”, tha ai.

a

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura